E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibrahimoviç dështon përsëri

Futbollist vendimtar në Serie A, por pothuajse anonim në Evropë. Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç të mërkurën kundër Tottenhamit dështoi edhe njëherë tjetër në një ndeshje vendimtare të Ligës së Kampionëve. Ai thotë se është i kënaqur me paraqitjen e tij, por mbetet në kuotë prej vetëm tre golave në 22 ndeshje gjatë fazave eliminatore të garës. Nga Express më 11 mars 2011 në ora 12:31

Eliminimi i Milanit nga Liga e Kampionëve vuri në spikatje personalitetin e dyfishtë në fushë të Zlatan Ibrahimoviçit, i cili edhe njëherë dështoi të shfaqë formën e tij më të mirë në një ndeshje të rëndësishme evropiane.

Pas humbjes të liderit të kampionatit italian në rrethin e dytë me rezultat të përgjithshëm 1-0 nga Tottenham Hotspur të mërkurën, mediet italiane reaguan ndaj misterit të paraqitjeve të ndryshueshme të Ibrahimoviçit, i cili prej 10 mori notën 4.5 nga televizioni shtetëror Rai.

E përditshmja Corriere della Sera e përshkroi atë si “të zhdukur” pas paraqitjes anonime në White Hart Lane, ku suedezi vazhdoi rekordin e tij të paraqitjeve të dobëta dhe mbeti në kuotën e vetëm tre golave në 22 ndeshje të fazës me karakter eliminimi në Ligën e Kampionëve. Dështimi i tij për të shënuar dallon shumë nga përqindja e shënimeve të tij në rrugë drejt titujve në secilin prej shtatë viteve të kaluara në Ajax, Juventus (klub që më pas i humbi dy si rezultat i Calciopolit), Inter dhe Barcelona.

Ai është në rrugë drejt një tjetri, derisa Milan ka pesë pikë epërsi në krye të tabelës në Itali. “Jam i kënaqur me kontributin tim”, tha Ibrahimoviç pas ndeshjes.

“Të gjithë luajtën mirë dhe dhamë gjithçka, por topi nuk deshi të hyjë brenda”, shtoi ai.

Pavarësisht pozitivizmit të tij, goditja e lirë në fillim të ndeshjes që u dëbua nga portieri i Tottenhamit, Heurelho Gomes ishte kërcënimi i vetëm nga numri 11 i Milanit, i cili u ndal me sukses nga mbrojtja londineze të mërkurën. Në një moment në pjesën e dytë pas dështimit në një aksion, ai shprehu zemërimin e tij duke ngritur duart larg, shikoi drejt qiellit dhe bërtiti “per favore” (të lutem).

Milan, që u eliminua si rezultat i humbjes 1-0 në shtëpi dhe dështimit të shfrytëzojë rastet më të mira në ndeshjen e kthimit, ishte i përcaktuar të nxjerrë gjëra pozitive nga fakti se tani mund të përqendrohen në fitimin e titullit të parë në Serie A pas shtatë viteve.

“Na u nevojit vetëm një gol, por jo gjithmonë ekipi më i mirë fiton ndeshjet. Në dy ndeshjet, Tottenham kishte vetëm një goditje në portë. Gjëja e mirë është se tani ne mund të përqendrohemi në luftë për titull në Serie A dhe në Coppa Italia”, deklaroi Ibrahimoviç.

Edhe pse është skuadra më e suksesshme italiane në Evropë me shtatë tituj, Milan ka treguar synimin e qartë se është i përqendruar në garë për Scudetto. Pas shitjes së Ronaldinhos gjatë afatit kalimtar të dimrit, Rossonerët sollën futbollistë që nuk kishin të drejtë loje në Ligën e Kampionëve, Mark van Bommel, Antonio Cassano dhe Urby Emanuelson.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›