Derbi me Romën, vendimtar për Lazion

Igli Tare e pret me padurim derbin e madh të kësaj fundjave në futbollin italian, Roma-Lazio. Në një intervistë për ‘Lazio Style Radio’, drejtori sportiv i klubit Biancocelesti e ka shpalosur rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe ka treguar për punën që po e bën trajneri Edy Reja, në krijimin e një grupi solid, i cili do t’i arrijë objektivat e klubit.
“Vijmë nga katër humbje të pamerituara. Dëshirojmë të fitojmë për ta përmirësuar sa më shumë imazhin në tabelë. Kjo ndeshje do të jetë vendimtare për ne”, deklaroi ish futbollisti shqiptar.
Tare pret edhe mbështetjen e publikut, për të cilin thotë se është lojtari i 12-të i Lazios. Përkundër eliminimit të Romës nga Shakhtar Donetsk në Ligën e Kampionëve, zyrtari i Lazios e sheh ekipin e Vincenzo Montellas mjaft të frikshëm.
“Kanë një ekip të fortë, mbi të gjitha në fazën ofanzive. Kanë lojtarë që janë të aftë ta vendosin vetë lojën. Ata e dinë se nëse humbin ndaj nesh, do të largohen nga objektivat që kanë. Do të jetë një luftë që duhet të sfidohet, me dëshirë dhe me vendosmëri”, vazhdoi Tare.
Ai e di se derbi me Romën do të jetë vendimtar në luftën për ta kapur një vend që çon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Afërsia ndërmjet klubit, skuadrës e publikut mund të jetë arma fituese e kësaj Lazioje.