E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pa frikë dhe me kurajë, mbetemi në Serie A

Nga Express më 11 mars 2011 në ora 11:29

Blerim Xhemajli kërkon angazhim dhe përkushtim nga bashkëlojtarët e tij, në mënyrë që Parma ta sigurojë mbijetesën në Serie A. Në të kundërtën, nëse skuadra ka frikë dhe i mungon kuraja, mesfushori shqiptar thotë se Parma do të shkonte drejt e në Serie B.

“Lufta për mbijetesë është e gjatë dhe e vështirë. Janë 6-7 skuadra që dëshirojnë të na kalojnë, do të ketë luftë deri në fund. Jemi vetëm 1 pikë larg zonës së ekipeve të rrezikuara. Për t’i ikur fundit të tabelës, duhet të dalim në fushë gjithmonë për të arritur rezultat dhe me kurajë, sepse pa këto nuk mund të shpëtojmë”, deklaroi përfaqësuesi zviceran në konferencë për shtyp.

24 vjeçari është ndalur të flasë për sfidën e radhës të ekipit ‘Parmalat’ ndaj Napolit. “Kemi mposhtur skuadra si Juventus e Udinese, kështu që nuk shoh arsye pse nuk mund ta bëjmë të njëjtën gjë edhe me Napolin. Jemi duke u përgatitur maksimalisht për ta arritur këtë. Skuadra e Mazzarrit është e fortë, por edhe ne kemi anën tonë të fortë. Duhet të hyjmë në fushë pa frikë dhe respekt të tepruar”, vazhdoi ish futbollisti i Boltonit e i Torinos.

Xhemajli shpreson po ashtu që gjyqtarët të jenë në nivel të detyrës, pasi që ai kujton se përpos Napolit, edhe Parma është dëmtuar nga ta. Futbollisti tetovar ndihet i lumtur që luan rregullisht në ekipin e parë dhe pëlqen pozitat në të cilat e vendos trajneri, pasi po ka mundësi të jetë më afër portës kundërshtare. Ndeshja ndërmjet Parmës dhe Napolit do të zhvillohet të dielën në stadiumin “Tardini”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›