E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cilin do Kosova?

Edi Rama, do vizitojë Kosovën dhe arsyeja zyrtare është promovimi i librit. “Kurbani” ndoshta ka të meta apo merita,
por ende nuk ka folur kritika e specializuar, veç prototipave që dinë gjithçka dhe asgjë. Mund të ketë pasaktësira historike, por nuk ndjehen protagonistët, veç sehirxhinjtë. Shijet personale të gjithfarë lexuesi, afishohen si standarde në gazeta. Por si nxitje për udhëtim në Kosovë të udhëheqësit të majtë, ky libër do ngacmojë ujërat.
Pavarësisht kohës së zgjedhur dhe shkakut, kjo është një vizitë e domosdoshme. Periudha dyvjeçare e kaluar, ka qenë e mbushur me aktivitet brenda kufijve të Shqipërisë, për shkak të zgjedhjeve të 2009-ës dhe atyre lokale, por Kosova dhe Maqedonia, është një realitet të cilit nuk mund t’i shmanget politika shqiptare e cilitdo krah. Është e nevojshme për identitetin mbarëkombëtar të një organizate politike, ky dimension psikologjik dhe shtrirje territoriale. Tashmë si kur blejmë të drejta për botim librash, për transmetim programesh televizive, përfaqësi biznesi apo çfarëdolloj veprimtarie tregtare a kulturore, bota na shikon si një hapësirë të vetme shqipfolëse, ku përfshihen përveç Shqipërisë zyrtare, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi. E njëjta gjë duhet të reflektohet edhe nga politika jonë. Një parti shqiptare, nuk mund të konsiderohet e tillë, në qoftë se nuk ka identitetin e saj mbarëkombëtar, dhe homologët e saj në trevat shqiptare. Pa një komponent të tillë, në sytë e botës, cilado parti shqiptare, shikohet si faktor lokal. Pa rezonancë dhe shtrirje në Kosovë, PS-ja do shikohet si parti e toskëve, me ca vatra në Veriun e vendit, por jo si faktor mbarëshqiptar. Në të kundërtën, në rast padrejtësish, apo vjedhjeje vote nga qeverisja aktuale e Shqipërisë, kjo do perceptohet si e tillë, edhe nga faktori pro PS në trevat shqiptare jashtë kufijve zyrtarë. Një PS e cila ndikon në rajon, është më e respektuar nga ndërkombëtarët. Gjithashtu, shtetasit kosovarë me dyshtetësi, nuk mund të mohohen si faktor në zgjedhjet e ardhshme, qofshin lokale apo të përgjithshme, dhe si i tillë, ka për të ardhur gjithmonë e më shumë duke u fuqizuar e faktorizuar.
Në nëntokën e shoqërisë shqiptare, është krijuar mendimi se në Kosovë duan vetëm Berishën, duke u nisur edhe nga prejardhja e tij nga zona ku kalon kufiri zyrtar. Është kjo një ide e hedhur nga njerëzit e tij, me siguri të mbështetur edhe nga ai vetë, të cilën nuk ngurojnë ta fryjnë. Por kjo nuk mund të jetë e vërtetë për dhjetëra arsye sociale dhe kulturore.
Duke e parë në aspektin politik, Kosova është një zonë e varfër dhe si e tillë, e prirur drejt partive që mbështesin shtresat e vobekta dhe në spektrin politik shqiptar, kjo mbulohet nga PS-ja, ndaj ka prirje që të ketë bashkëpunim dhe interferencë. Homologia e saj në Kosovë, është partia në fuqi, e cila ideologjikisht, është një aleate e saj.
Historikisht, midis udhëheqësve të PD-së së Kosovës dhe asaj të Sali Berishës, nuk rrjedhin ujëra të mira. Berisha ka qenë ai që futi në burg Adem Jasharin, simbolin e UÇK-së, si dhe vetë Hashim Thaçin. Për arsye shtetërore, Hashim Thaçi, mund të mbyllë një sy, pasi përfaqëson Kosovën, ndërsa Berisha, Shqipërinë, por në zemrën e tij, vështirë se ka prush dashurie. E njëjta gjë mund të thuhet për enturazhin politik të Kosovës, dhe këtu spektri bëhet më i gjerë, pasi në front futet LDK-ja, trashëgimtare e Rugovës dhe historisë ngrij–shkrij midis dy liderëve.
Si para, gjatë dhe pas luftës së Kosovës, Berisha ka qenë një ndjekës i interesit të tij të ngushtë. Furnizoi me naftë Millosheviçin; përndoqi dhe burgosi aktivistët për pavarësi; këshilloi mosfirmosjen e marrëveshjes së Rambujesë; përkrahu dhe mbështeti hyrjen e bizneseve serbe në Shqipëri. Të gjitha këto, nuk janë karta që të japin titullin “patriot”. Në krahun tjetër, socialistët, përveç të kaluarës miqësore historike me liderët aktualë, kanë në biografi të shënuar përkrahjen e dhënë UÇK-së gjatë kohës që ishin në pushtet, furnizimin me armë, kthimin e vendit në bazë logjistike, dhe strehimin e refugjatëve gjatë luftës. Në mos gjithë kosovarët, një pjesë e mirë e tyre i dinë këto fakte, dhe sado dashuri krahinore të kenë për Berishën, dinë ta bëjnë diferencën. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shqiptarët e Maqedonisë, megjithëse kanë karakteristika lehtësisht të ndryshme nga sivëllezërit e veriut dhe perëndimit, kanë identitet panshqiptar. Nuk mund të konsiderohen filoberishë as Menduh Thaçi, Arbër Xhaferri apo Ali Ahmeti.
Në ndryshim nga Berisha, i cili stimulon ndarjen krahinore si identitet të pushtetit të tij dhe bazë për vazhdimësi politike të familjes biologjike, e majta, është më idealiste dhe mbarëkombëtare. Si e tillë, ka më shumë perspektivë për mbështetje në Kosovë. Është e pamundur nga dialektika historike, që feudi i Sali Berishës të shtrihet në dy shtete, sado të varfër dhe të prapambetur të jenë. Imazhi i dashurisë së Kosovës për Berishën, dhe i mospasjes vend për një të dytë, është sa i rremë aq dhe i pabazë. PD-ja e Thaçit, “Vetëvendosja” e Kurtit, sa për të përmendur disa parti të spikatura, nuk duken të ‘vluara’ ndaj tropojanit. Rexhep Qosja, figurë mbarëkombëtare, është ndër kritikuesit më të ashpër të tij. Kaq pak mjafton, që socialistët shqiptarë, mos t’i lënë fushë të lirë Berishës në Kosovë dhe Maqedoni. E shkuara ka treguar se shqiptarët jashtë kufijve kanë të njëjtat virtyte, vese, pasione dhe ideale si ne që jemi brenda kufijve. Ndaj nuk është e vërtetë që çuditërisht, në bllok duan Berishën. Thjesht nuk kanë pasur rast të provojnë të kundërtën.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›