E Diel, 1 Nëntor 2026

Leka Zogu ende në gjendje kritike, me frymëmarrje të asistuar

TIRANE - Vijon të mbetet kritike gjendja shëndetësore e pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu I. Burime spitalore bëjnë të ditur për NEWS24, se Leka Zogu është nën kujdesin intensiv të mjekëve, ndërsa i nënshtrohet edhe frymëmarrjes artificiale.

Oborri Mbretëror në një njoftim për shtyp, një ditë më parë, bëri të ditur se pavarësisht përmirësimit të gjendjes shëndetësore, Leka Zogu nuk ka dalë ende nga gjendja kritike.

“Në orën 23:30 të ditës së premte më 25 nëntor, Mbreti Leka I pësoi një arrest kardiak dhe për pasojë u intubua deri në rikthimin e punës së zemrës. Falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve dhe trajtimit përkatës, u arrit një stabilizim i gjendjes së Mbretit. Mbreti Leka është vigjil dhe ka dhënë shenja të komunikimit me L.T. Princin Leka por mbetet me frymëmarrje të asistuar dhe vazhdon ndjekjen nën kujdesin dhe mbikëqyrjen e pandërprerë të mjekëve ndërsa gjendja e tij ngelet kritike” theksoi zëdhënësi për shtyp i Oborrit Mbretëror.

Prej datës 17 nëntor Leka Zogu ndodhet i shtruar në reanimacionin e spitalit Nr.5 në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë. Mësohet se 73-vjeçari vuan prej kohësh nga vështirësi në rrugët e frymëmarrjes dhe nga anoreksia e theksuar.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›