E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lartësi Letërsie



Në të vërtetë shkrimtari i madh, ai që këtu e quajtëm Lartësi Letërsie, gjithë hasetin e ka me letrën, hyn në armiqësi e luftë me të, për të nxjerrë prej andej format e modelet që atij i vijnë për mbroth. Kësisoj, jo rrallë kjo lloj desidence letrare është më radikale, më e madhe e më e përjetshme se desidenca politike... Po bëhen fiks mbi njëqind e ca vjet që një qengj manar ngarend gjithë shend e gaz çaireve të letërsisë shqipe, del nga shtëpia e frashërllinjve e futet në konakë të tjerë. Ulet në gjunjë e pi: e dëng, e dëng, e dëng. Pastaj, i ngopur e i velur, shkrehet mbi bar. Thamë i “shkrehur“, sepse mes gjesteve babëzitëse të ngimjes dhe seksualitetit, siç e keni vënë re të gjithë besoj, ka një ngjashmëri të habitshme dhe, kësifarshëm, këtu kemi të bëjmë thjesht me një inçest. Inçestin e birit me nënën, shkrimtarit me atdheun. Dhe mëndja të shkon tek diçka e mbrapshtë. A mos vallë ata, që e kanë ushqyer me tagji të gjelbër filozofie këtë imazh, kanë dashur që atdheu ynë të jetë pikërisht i tillë: një kavanoz qelqi i mbyllur mes maleve? I mbyllur në mënyrë të atillë që, të gjitha dëborërat dhe akujt, mu sikur të ishin qelqe konkavë, t‘i zmadhonin ata, t‘u rritnin përmasat dhe nga cironka përroskash të dukeshin si peshkaqenë oqeanesh?!..

Balil GJINI

1.
Po bëhen njëqind e ca vjet që një qengj manar ngarend gjithë shend e gaz çaireve të mendimit shqiptar, del nga shtëpia e frashërllinjve e futet në konakë të tjerë, lëndinë më lëndinë, shteg më shteg, as brirët i bien dhe as thundrat i hahen, s‘ka drizë a murriz nakarzi t‘i mbajë peng një fjollë leshi drudhë, dhe, për të qenë të drejtë, duhet të themi se më i dridhur se leshi i tij, është blegërima e tij vetmitare. Bash ajo blegërimë që do t‘na pikë në zemër gjersa të gjejë mëmën, të ulet në gjunjë dhe të pijë qumësht nga gjinjtë e saj: dëng, e dëng, e dëng.
Ky imazh, si një fotofinish sportiv, i pazbërdhylur nga koha, me patetikën e vet ngashëryese, me sentimentalitetin qaraman të kopesë, vazhdon të ketë forcën mistike të naforës së kungimit dhe, në instrumentat e brumatriçet e tij, përgatit e hedh me qindra kallëpe të gatshëm qeniesh që thonë se janë shkrimtarë e artistë dhe se hajmalia e tyre është atdheu.
“De la France“, domethënë “I Francës“, kështu e quan një nga librat e tij të shkëlqyer Ciorani. Jam i Francës, jo i Rumanisë që më ka lindur, por ma ka plasur buzën me zilitë dhe thashethemet provinciale të saj. Po kështu Kundera, për shumë e shumë shkaqe të ndryshme, i dha munxët Çekisë dhe adaptoi si atdhe Francën. Kasëm Trebeshina, jetën dhe veprën e të cilit e kanë mbështjellë me një zhguall të trashë legjendash, a thua është fjala për një bashkëkohës të Homerit, ka deklaruar fare açik: “Nëse Shqipëria s’më do një herë, unë s’e dua atë njëqind herë.“
Që të tre rastet bëjnë pjesë tek ata, që mund t‘i këtillojmë Lartësi Letërsie.

2.
Në vendin tonë, herë fare ashiqare e herë në mënyrë më tinzare, herë si ca qenie pushmurme që copën e allçisë së lavdisë e kanë ngatërruar me copën e djathit që është ngulur mu tek ngrehësi i çarkut të fabulës, e herë të tjera si rasate delfinësh fatcaktuar për një rezervat me ujë të ndenjur, vegjeton shkrimtari i atdheut, i partisë, i shtetit (të tri këto fjalë ekzistojnë brenda një nocioni).
Për këtë soj letërsia është thjesht një pretekst, një alibi, ndaj e përdor si një lerushk të tharë për t‘iu ngjitur në majë kavakut të pushtetit. Shkrimtari i lindur nga mitra e imazhit të mëmës dele dhe e birit qengj, medemek shkrimtari i adheut-shtet, është qenia trendy, me kollaren e ujdisur gjithë sevda, me dosjen e zezë të futur nën sqetull, me kostumin e blerë në dyqanin e modës, qenia që fut kokën sa nga njëra zyrë në tjetrën, që del në media e TV, që shefave u shtiret si shkrimtar kurse vartësve si administrator i thekur, por që apapapa... Zoti mos e dhëntë, nuk rrezikon kurrë. Estetika e krijimeve të tij është ajo e fastfoodeve: e gatshme, rutinore, pa pikë reqati. Ai ka një listë të gjatë botimesh, të cilën, si një bisht të zi dallëndysheje, po aq të vlertë sa dhe frakun e dhëndërisë, e ka varur pa kremastar në kopertinën e fundit të librit të ri. Ai gërdoq sytë sikur porsa ka parë fantazmën e Hamletit, po t‘i thuash se Xhojsi ka thënë se atdheu i tij, Irlanda, ishte si një dosë që hante bijtë e vet.
Tej sinoreve të këtij modeli mëmëdhetar, Rreshpja bridhte rrugëve me këpucë të grisura, mes kllapish e makthesh, kurse Ilir Belliu shiste kanaçe për të mbajtur frymën gjallë. Por poezia e tyre ishte brilante, ishte si një dërstilë e krijuar nga një përrua ligjërimor pasionesh shkumëzuese, dhe ata mund t’i përfytyrojmë si skifterë të egër që bënin sërf mbi dallgët e zeza të pasioneve të veta. Ishin Lartësi Letërsie.

3.
Gjatë viteve të diktaturës, imazhit të qengjit hareshumë iu var një çokane e kuqe në qafë, u fut brenda aparatit të projeksionit, iu nasqerisën ca vida e burma për t‘ia zmadhuar pamjen dhe çka ndodhi ishte një batërdi e vërtetë: një letërsi e belbër, e gjymtë, mizore, dhe mu si në sëmundjen e kancerit, ku qelizat e sëmura pjellin qeliza, edhe këtu shkrimtarët pillnin shkrimtarë, me qindra, me mijra: shkrimtarët e kooperativave, e uzinave, e kantiereve. Lebetia ishte aq e madhe, sa edhe sot ingranezhet e saj skëterrore, -mu si një lëndinë që dikur pillte fantazma dhe tani pjell vetëm pufka -, vazhdojnë të pjellin ndonjë model anapodha. Kësisoj, autorit të këtyre radhëve, jo më herët se para tri-katër muajsh i erdhi një ftesë nga një shoqatë që mëkonte në gjinjtë e saj kangurorë mbi dhjetë mijë shkrimtarë. Dhjetë mijë, një thnegëli e vërtetë: as qeniet që jetojnë në koloni, dhe vetë milingonat, p.sh, instikti i pengon të mbërrijnë te shifra të tilla katastrofike.
Ajo çka la pas realizmi socialist ishte një shkretëtirë letrare. Ndonjë kaktus vetanak, i ngritur tek-tuk mes dunave shkretuese, s‘mund ta thyente dot peizazhin e zymtë e të murmë. Ishte një kohë, ku akcili lexues shqiptar do të donte të shndërrohej në një shpend dhe, mu ashtu siç ulet laraska mbi brirët e qengjit e fillon ta pastrojë nga parazitët, edhe ata ta pastronin qenien e shkrimtarit nga parazitët e huaj të veseve borgjeze: mërzia, intelektualizmi, vetmia... As që iu shkonte ndër mend se shkrimtari s’ka pse të marrë fletë lavdërime për sjelljen, se Marsel Prusti ishte një maniak, kurse Jean Genet një hajdut ordiner. Letërsia s’është vetëm aftësi, por edhe fat. Falë këtij fati, por edhe farës së xanxës që përmbante vepra e tyre, shumë shkrimtarë erdhën Përkëtej pothuajse të pacënuar: Zija Çela, Rudolf Marku, Xhevair Spahiu. Ishin Lartësi Letërsie.

4.
Hija e Partisë-shtet, e cila bie mbi pllajat dhe brigjet e letërsisë edhe sot, nuk është si ajo letra e zezë e fletës së punëdores, të cilën kalamajtë e presin me gërshërë, sajojnë modele dallëndyshesh, i ngjitin nëpër xhamat e klasës dhe presin gojëhapur mos sqepi i tyre hapet e lëshon atë “çvit-çvit“-in lirik. Ajo është hija e rëndë e malit që, ose s’le të rriten fare barëra përreth, ose edhe në u rritshin janë të lëmekur e të zbehtë, sikur u ka rënë lëngjyeri.
Ky shtet mund të bëjë hatanë duke e shpërfillur fare artin, të krijojë një ministri që e quan veten ministri turizmi, ta shndërrojë atdheun në shpellë-shtrungë, kurse veten në një lloj Polifemi, që fillon e numëron kokë pas koke: një turist, dy turista... treqind mijë.
Ndonëse në letërsi s‘ka të rinj e të vjetër, të zinj a të bardhë, por vetëm të talentuar dhe të patalentuar, filozofia mëmëdhetare e modelit komunist e shikon letërsinë me shtresime moshore, ndërtuar sipas shëmbëlltyrës së zonave të pyllit: zona e makieve (shkrimtarët e rinj), zona e shkurreve (shkrimtarët e traditës), zona e halorëve (shkrimtarët e mediave) dhe... zona alpine, ku, mes mërzisë së lexuesit dhe kritikës, ngaqë s‘po merr çmimin Nobel, mbretëron i vetëm Ismail Kadare. Dhe mu si për haset, a karshillëk, bash disa prej atyre që ky takëm kritikësh i quan të rinj, janë cok ata të cilët kërkojnë risitë, polenin e blertë në majëmalet e letërsisë: Agron Tufa, Arian Leka, Ervin Hatibi. Janë Lartësi Letërsie.
Ka një rrëkezë të hollë argjendërore që fillon mbase me Gëten, rrjedh pastaj te Floberi, Xhojsi, Rushdie, Kundera, e mjaft të tjerë, që e kanë parë mbylljen e letërsisë brenda caqeve kombëtare, si mbyllje brënda një livadhi të lulëzuar varrezash. Vepra letrare, e ngopur me tematikën e vendit të vet, me thashethemet provinciale, me zënkat, mëritë, problematikën specifike, e rënduar pra nga një barrë e tillë, i ka taksur vetes një mbytje të sigurt. Shigjeta e gravitacionit me një ngarkesë të tillë tregon gjithmonë tokën, teksa, po të kishte më shumë harlisje, më shumë gaz, frymë universale, pra më shumë ajër, kjo shigjetë do të dëftonte qiejt. Vetë vula kombëtare, që kjo letërsi mban përsipër, e ka destinuar të tregëtohet si mall vendi. Vini re shkrimtarët e mëdhenj: Shekspirin, Cervantesin, Rabëlenë: gjurmët e përkatësisë kombëtare ose mezi u duken, ose janë të padukshme fare.

5.
Në të vërtetë shkrimtari i madh, ai që këtu e quajtëm Lartësi Letërsie, gjithë hasetin e ka me letrën, hyn në armiqësi e luftë me të, për të nxjerrë prej andej format e modelet që atij i vijnë për mbroth. Kësisoj, jo rrallë kjo lloj desidence letrare është më radikale, më e madhe e më e përjetshme se desidenca politike. E ka thënë thënë vetë Kasëm Trebeshina. Po kështu Martin Camaj, shkrimtari finosh, i cili, duke e kundruar Shqipërinë nga jashtë, ka ndërtuar një estetikë krejt të veçantë e universale në veprën e tij. Ishte Lartësi Letërsie.
Po bëhen fiks mbi njëqind e ca vjet që një qengj manar ngarend gjithë shend e gaz çaireve të letërsisë shqipe, del nga shtëpia e frashërllinjve e futet në konakë të tjerë. Ulet në gjunjë e pi: e dëng, e dëng, e dëng. Pastaj, i ngopur e i velur, shkrehet mbi bar. Thamë i “shkrehur“, sepse mes gjesteve babëzitëse të ngimjes dhe seksualitetit, siç e keni vënë re të gjithë besoj, ka një ngjashmëri të habitshme dhe, kësifarshëm, këtu kemi të bëjmë thjesht me një inçest. Inçestin e birit me nënën, shkrimtarit me atdheun.
Dhe mëndja të shkon tek diçka e mbrapshtë. A mos vallë ata, që e kanë ushqyer me tagji të gjelbër filozofie këtë imazh, kanë dashur që atdheu ynë të jetë pikërisht i tillë: një kavanoz qelqi i mbyllur mes maleve? I mbyllur në mënyrë të atillë që, të gjitha dëborërat dhe akujt, mu sikur të ishin qelqe konkavë, t‘i zmadhonin ata, t‘u rritnin përmasat dhe nga cironka përroskash të dukeshin si peshkaqenë oqeanesh?...

10 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›