E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cinizmi i deklamimit “Tirana Evropiane e Bashkisë”

Të shikosh bukur qytetin ku jeton nuk ka më mirë. Askush – mendoj - nuk do të ngurronte të falenderonte atë që e bënte të tillë qytetin, pavarësisht simpative partiake. Shpesh Kryetari i bashkisë apo zëdhënës të tij dalin në media duke përdorur shprehje si: “Tiranës po i japim vizionin e një qyteti evropian”, etj, duke e ilustuar me thënie të trajtës: “U ndërtua një shesh pushimi ne këtë lagje, një lulishte ne atë lagje; u mbollën kaq e aq pemë”. Të gjitha këto kur i dëgjon të gëzojnë dhe të bëjnë të ndihesh mirë që kryeqytetit po i bëhen aq shumë ndryshime. Mirëpo një ndodhi e një dite më bëri të fusja në thonjëza fjalën Evropiane. Tek nxitoja për në punë një mëngjes, më kish mbetur një biletë e autobuzit urban dhe një letër që m’u desh t’i hidhja. Fatkeqësisht nga Rozafa deri tek sheshi tek Xhamlliku, nuk po gjeja një kosh plehrash. Aty e gjeta një por më pas vendosa ta vëzhgoj këtë fenomen. Duke ecur deri tek shkolla “Xhezmi Delli” përsëri pashë të njëjtën  gjë .

Para ca kohësh Kryebashkiaku inauguroi sheshin e pushimit. Hodha sytë nëse aty mund të kishin vënë ndonjë kosh, por më kot. Ditën tjetër vëzhgova nga afër sheshin për siguri, por aty pashë plehra të shumta, të hedhura anash stolave dhe jo kosha.

Është për të ardhur keq. Në shkolla ne bëjmë punë edukative që në klasën e parë që nxënësit të mbajnë pastër mjedisin; Madje shpesh këtë ne e kujtojmë me posterin “Mbani pastër mjedisin”, “Mos hidhni mbeturina ne toke” etj. Por në kushtet e sipërpërmendura  ato nuk kanë mundësi konkrete zbatimi, paçka se shkolla vetë gjen mundësi për të vënë kosha në klasa, në korridore, WC e oborr. Kur del në rrugë fëmija, gjersa nuk e gjen koshin do detyrohet t’i hedhë plehrat në rrugë. Kësisoj mund të themi se atë që shkolla e familja krijon me aq mund, e prish Bashkia për një mungesë vëmendjeje klasike. Nëse do ta dëgjoj këtë shkrim z.Rama me siguri do të thotë: “Po dhe me koshat e plehrave unë do merrem?! “Vërtet z.Rama nuk do merret me këto gjëra, por në Bashki ka drejtori përkatëse që mbikëqyr këto fenomene. Madje në funksionet e Bashkisë, në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike është specifikuar: “Grumbullimi, largimi dhe përpunimi i mbeturinave” (Këtë mund ta gjeni duke klikuar në google, “bashkia Tiranë”). Kështu që kujdesi dhe serioziteti duhet filluar që në përzgjedhjen e firmave që pastrojnë kryeqytetin. Zëdhënësit e Bashkisë deklarojnë në media, që Z.Rama inspekton çdo pjesë të Tiranës duke u takuar me qytetarë. A nuk i ka rënë në sy kjo gjë zotit Rama, qoftë edhe thjesht si qytetarë?! Kur këto gjëra vërehen në qendër të Tiranës, ç’ndodh në periferi të saj...?! Po jap një shembull: Në zonën e Shkozës në pellgun e të ardhurve, në rrugën “Shote Galica”, në pjesën e sipërme të saj, nuk ka asnjë kazan plehërash e jo më kosha  që kalimtarët të hedhin mbeturinat. Banorët detyrohen të mbledhin plehrat e t’i çojnë deri tek firma “Kamberi” pasi aty ka kazanë, dhe këto banorë duhen falendëruar. Por ka vende ku sheh grumbuj mbeturinash (pasi edhe durimi i qytetarit dikur humbet) e që askush nuk kujtohet t’i heqë. Pale, kur bëhet fjalë për WC publike, ato mungojnë edhe në qendër, jo më në rrethina. 

Kapa këtë temë pasi ka të bëjë në mënyrë direkte me shëndetin e qytetarit dhe edukimin e brezit të ri. Duke iu referuar këtyre që thashë më lind e drejta të them: Së pari, se ndërtimi  i ndonjë sheshpushimi, mbjellja e pemëve, lyerja e pallateve vetëm në zemër të Tiranës bëhen për fasadë, për t’u përdorur në rast fushate, ja shikoni ç’po bëjmë, kur nuk bëhet kujdes për shëndetin e njëriut, pasi ai (shëndeti) është parësor. Së dyti, se Bashkia nuk po kryen siç duhet funksionet e saj, pasi siç e përmenda më lart fenomeni i mësipërm është pjesë e funksioneve të saj. Ne po përgatisim një brez që do përballet me standarde evropiane në të gjitha fushat e jetës. Të kontribuojmë të gjithë pozitivisht në formimin e tij, me të gjitha mënyrat e mundshme pa diskutuar ato të detyrueshme. Le të fillojmë nga ato që sapo përmenda, të vazhdohet me të tjerat, por jo vetëm në qendër të saj  dhe atëhere mund ta quajmë Tiranën evropiane.

Autorja e shkrimit është Drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare “Xhezmi Delli”, në Tiranë

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›