E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edlir Petanaj: “Ne, pjesë e të Gjelbrës Evropiane”

Autori i Lajmit: red.
Kryetari i "Partisë së Gjelbër", Edlir Petanaj, flet mbi objektivat, arritjet dhe synimet e Partisë së Gjelbër. Sot na duhet një politikë ndryshe, thekson Petanaj, ku mjedisi të jetë prioritet i qeverive të ardhshme si dhe ndërgjegjësimi të fillojë që nga fëmijët parashkollorë. Për këtë arsye, ne dëshirojmë të sjellim këtë faktor politik si një garanci për ndryshim. Ky projekt nën emrin "Partia e Gjelbër" kërkon të promovojë një lëvizje gjithëpërfshirëse në mbrojtje të mjedisit, burimeve natyrore dhe vlerave mjedisore, drejt një zhvillimi të qëndrueshëm. Ky projekt duhet të na bashkojë së bashku, të jemi një numër sa më i madh mbështetësish e me një përfshirje sa më të gjerë intelektuale, gra, të rinj, e të gjithë ata që duan ta bëjnë jetën e tyre më cilësore, në një lëvizje paqësore për t i dhënë një dinamikë të re shoqërisë sonë drejt "Një Shqipërie të Gjelbër". Tashmë Partia e Gjelbër e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota e Partisë së Gjelbër Evropiane dhe Edlir Petanaj është anëtar i përhershëm i Këshillit të Partisë së Gjelbër Evropiane me të drejtë të plotë vote.
Çfarë përfaqëson Partia e Gjelbër?
Partia e Gjelbër është një parti e majtë, është një parti opozitare. Thelbi i politikës së saj është mbrojtja e mjedisit dhe ekozhvillimi. Duke parë gjendjen aktuale dhe të vështirë të mjedisit në Shqipëri, e cila është një nga vendet më të ndotura të Evropës, ishin të rinjtë ata që ndërmorëm një mision politik, që në vitin 2001 për krijimin e Partisë së Gjelbër, për ta shndërruar këtë lëvizje ekologjike, e cila kishte nisur nga shoqatat ambientaliste, ndonëse e vakët, por me një sens ndërgjegjësues dhe sensibilizues për opinionin publik, në një lëvizje të re politike elektorale. Kjo do t i shërbente më së miri mbrojtjes së jetës të të gjithë qytetarëve duke sjellë një reflektim të tyre ndaj krizës ekologjike që po kalojmë. Përgjegjësia ndaj mjedisit i përket të gjithëve prandaj dhe angazhimi ndaj tij kërkon solidaritetin e të gjithëve. Ne duhet të kemi një model ekonomik sa më afër ekozhvillimit, pasi ky i sotmi është përgjegjësi kryesor për nivelet e larta të kësaj ndotjeje. Kjo do të ruante një ekuilibër ndërmjet nevojave për konsum dhe respektimit të mjedisit. Një ndër objektivat tanë kryesorë lidhur me mjedisin duhet të jetë implementimi i një politike të re që synon ndalimin e ndotjes së mjedisit dhe pakësimit të CO2 në ajër. Nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm në një sistem që nuk përdor energjitë e rinovueshme, transportin ekologjik, dhe që nuk ka si prioritet ruajtjen e burimeve natyrore, shtimin e hapësirave të gjelbra, stimulimin e produkteve të sigurta dhe ruajtjen e shëndetit përmes adaptimit të politikave sociale të sigurisë. Në qendër të politikës sonë të re do të jetë ruajtja e biodiversitetit, shumëllojshmërisë së gjallesave, krijimi i kushteve për një bujqësi organike, larg OMGJ-ve, krijimi i një strategjie për burimet ujore dhe ruajtja e cilësisë së ujit të pijshëm. Ky është dhe mbetet thelbi i Partisë së Gjelbër.
Si u bashkuat ju në këtë lëvizje dhe si është e organizuar Partia e Gjelbër sot ?
Unë iu përgjigja pozitivisht ftesës nga ky grupim duke u bërë pjesë e tij në kongresin e parë të mbajtur në vitin 2003, në të cilin m u dha besimi për drejtimin e Partisë së Gjelbër. Dy ishin objektivat tona: Organizmi dhe shtrirja e Partisë së Gjelbër në të 12 qarqet, dhe anëtarësimi i saj me të drejta të plota në Partinë e Gjelbër Evropiane, objektiva tashmë të realizuara. Sot Partia e Gjelbër ka 12 degë rajonale të ngritura në bazë të qarqeve të vendit. Partia drejtohet nga Këshilli i Përgjithshëm drejtues i përbërë nga 51 anëtarë dhe Kryesia e përbërë nga 11 anëtarë. Degët e Partisë drejtohen nga Këshillat dhe Kryesitë e tyre lokale. Pranë kryesisë qendrore dhe atyre lokale janë ngritur komisionet e politikave të gjelbra. Mbi 40 % e strukturave të zgjedhura janë gra dhe 40% burra, është ruajtur raport i të drejtë gjinore. Partia ka një anëtarësi prej 2500 anëtarë. Nga këta 1450 janë meshkuj dhe 1050 femra. Mbi 1500 janë të rinj nga 18-30 vjeç. Pjesë e strukturave tona janë: Forumi Rinor i Gjelbër dhe Forumi e Gruas. Forumi Rinor sot është anëtar i Forumit të Gjelbër Rinor Evropian".
Cilat janë aktivitetet më kryesore që ka ndërmarrë partia juaj gjatë gjithë periudhës së veprimit të saj?
Aktivitet kryesore që ka marrë Partia gjatë kësaj periudhe kanë qenë të shumta. Unë do të përmend një protestë në qytetin e Elbasanit për sensibilizimin e popullsisë nga ndotjet që i shkakton metalurgjia, protestë në portin e Durrësit për futjen e OMGJ-ve në vendin tonë, protestën që kemi bërë në gropat e gëlqeres në Fushë-Krujë, protestën që kemi bërë në zonën e Sharrës, në këtë zonë kaq problematike për qytetarët e Tiranës dhe një sërë protestash të tjera të kësaj natyre. Këto kanë qenë faza e parë e aktiviteteve që ne kemi organizuar. Të gjitha këto konsiderohen si reagime ndaj ndotjes së mjedisit, ndaj shkatërrimit të mjediseve të gjelbra, ndaj shkatërrimit të faunës dhe florës, ndaj mbetjeve toksike, të cilat ndodhen në terrenin shqiptar dhe për të cilat akoma nuk po merren masa për administrimin dhe për heqjen e tyre. Gjithashtu, kemi organizuar protesta për zhdukjen e pyjeve, që është një nga problemet më thelbësore që ka kurora jonë e gjelbër. Të njëjtat reagime për çështje të tjera që tregojnë forcën që ka kjo parti për sensibilizimin dhe ndërgjegjësimin e popullatës. Partia e Gjelbër ka faqen e internetit ëëë.partiaegjelber.org, ku pasqyron platformën politike, aktivitetet, alternativat dhe veprimtarinë e saj. Boton gazetën me 1000 kopje dhe del një herë në dy muaj. Organizon 3-5 seminare dhe konferenca në vit në qytete të ndyshme ku trajtohen problemet e mjedisit, pyjeve, bujqësisë biologjike dhe burimeve natyrore. Boton materiale sensibilizuese dhe fletëpalosje për ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin, por si dhe paraqet alternativa të gjelbra dhe mesazhin politik në to. Zhvillon një pjesëmarrje aktive me prononcime në gazetat e të gjelbërve evropianë për politikën e ditës dhe problemet mjedisore në Shqipëri. Organizon tavolina të përbashkëta me OJQ-të mjedisore dhe klubet ekologjike ku diskutohen çështjet e mjedisit dhe ekozhvillimit. Boton një revistë vjetore me 1500 kopje, ku pasqyrohet gjithë veprimtaria vjetore e Partisë si dhe pjesë të politikave të saj. Organizon takime me qytetarët ku parashton alternativat e saj për çështjet e mjedisit si dhe për zhvillimin e qëndrueshëm. Kuptohet që ky proces kërkon kohë dhe kërkon që zëri ynë të jetë shumë më i fuqishëm si në strukturat lokale vendimmarrëse ashtu edhe në atë qendrore. Kjo ka bërë që qëllimi kryesor të jetë shndërrimi i Partisë së Gjelbër në një forcë politike elektorale. Për këtë arsye ne u angazhuam seriozisht për të marrë pjesë në zgjedhje, si ato të përgjithshme dhe ato lokale. Në vitin 2003 arritëm realisht një sukses të dukshëm, pasi jo vetëm që arritëm të shtonim numrin e votuesve tanë duke qenë një parti e vogël, por arritëm që ta shndërrojmë punën tonë dhe politikën tonë, në një lëvizje gjithëpërfshirëse të faktorit të ambientalistëve. Kjo na ka ndihmuar edhe për të afruar ambientalistë, klubet ekologjike, shoqata ambientaliste. Kjo bëri që në vitin 2007 të shumëfishohen këshilltarët tanë në pushtetin lokal.
Ju keni hedhur idenë “Për një Shqipëri të Gjelbër”, çfarë nënkupton kjo ide?
"Për një Shqipëri të Gjelbër" është projekti ynë politik, qëllimi ynë kryesor për të cilin ne punojmë, ku bashkohen të gjithë faktorët ambientalistë, socialë, ekonomikë, për të marrë përgjegjësi politike duke sjellë një lëvizje gjithëpërfshirëse, ky është qëllimi. Një lëvizje për të gjithë ata që duan të jetojnë në një ambient të pastër dhe të shëndetshëm, për gjithë ata që duan të kenë një jetë më cilësore, për të gjithë ata që duan një zhvillim të qëndueshëm pa dëmtuar mjedisin. Në këtë kuadër, ne jemi duke punuar për Manifestin tonë të Gjelbër, i cili në qendër të tij ka një qeverisje të Gjelbër në Shqipëri.
Më lart theksuat se Partia e Gjelbër është bërë anëtare me të drejta të plota në Partinë e Gjelbër Evropiane. Çfarë përfaqëson ky angazhim?
Në mbledhjen e Këshillit të Partisë së Gjelbër Evropiane, të mbajtur në Paris, u votua pranimi i Partisë së Gjelbër Shqiptare si anëtare me të drejta të plota në Partinë e Gjelbër Evropiane. Kjo është një arritje shumë e madhe politike për ne, në aspektin ndërkombëtar. Me pak fjalë, është antarësimi ynë në Evropë. Një parakalim që ne, një parti e vogël, i kemi bërë Qeverisë Shqiptare. Ne arritëm të realizojmë ëndrrën e Të Gjelbërve Shqiptarë. Mënyra e funksionimit të Partisë së Gjelbër Evropiane është e atillë që Partitë Anëtare të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të vendeve që kanë firmosur marrëveshje për t u bërë anëtare siç është dhe vendi ynë kanë të drejta të njëjta, çka nënkupton që ne propozojmë, miratojmë, votojmë njësoj si këto parti. Ne mund të kalojmë rezoluta për Shqipërinë në Parlamentin Evropian me anë të Grupit të Deputetëve të Gjelbër Evropianë, pasi t i miratojë ato Këshilli i Partisë së Gjelbër Evropiane.
Si i shikoni zgjedhjet e 28 Qershorit 2009 dhe cilat janë pikat e programit tuaj elektoral?
Partia e Gjelbër do të dalë me sukses nga këto zgjedhje. Ajo ka regjistruar listën e saj në të 12 qarqet e vendit duke përfshirë në këto lista përfaqësuesit më të mirë nga shoqëria civile ambientaliste si dhe nga shoqata rinore dhe të gruas. Ajo nuk hyn thjesht si Parti e Gjelbër e Shqipërisë, por vjen edhe si dega e Partisë së Gjelbër Evropiane në Shqipëri. Kjo është një domethënie e madhe për të gjithë ata njerëz që duan që ndryshimin ta fillojnë me mjedisin. Mjedisi është plaga kryesore e shoqërisë sonë.

Politikë për mjedisin
Programi i “të gjelbërve”, ja synimet

Përgjegjësia ndaj kësaj katastrofe ekologjike u përket të gjithëve, prandaj dhe angazhimi për përmirësimin e mjedisit kërkon solidaritetin e të gjithëve. Çdo gjë që siguron natyra duhet të shikohet si vlerë e përbashkët. Mbrojtja e këtyre vlerave të përbashkëta është pjesë e përgjegjësive politike, mjedisore dhe ekologjike të Partisë së Gjelbër. Bazuar mbi këto përgjegjësi, ne kemi ndërtuar një program elektoral, i cili synon kapërcimin e kësaj krize mjedisore. Ne synojmë: Reduktimin e nivelit të ndotjes së ajrit si pasojë e çlirimit të CO2 nga makinat e vjetra. Kjo arrihet duke investuar në përmirësimin e transportit publik në të gjithë vendin. Ne jemi për një politikë transportesh që shikon nga e ardhmja. Ne dëshirojmë të investojmë në transportin hekurudhor, dhe në linjat e tramvajit dhe metros, të cilët do të përmirësojnë transportin publik në qytetet tona dhe do të na siguronin një mjedis më të pastër.
Deri më 2020 duhet që të gjitha veturat e reja që futen në Shqipëri të punojnë me karburant ekologjik. Kjo do të realizohet duke hequr taksat për përdorimin e tyre.
Ne synojmë: Investimet në fushën e energjive të rinovueshme.
Në planet e ardhshme të investimeve të jetë prioritet prodhimi i rrymës elektrike nga era dhe energjia diellore. Ne dëshirojmë të kemi panele diellore në shumicën e pallateve deri në vitin 2020. Kjo do të sillte jo vetëm kursimin e energjisë nga rrjeti, por dhe përfitimet ekonomike të familjarëve, pasi do të paguanin më pak për energjinë.
Ne synojmë: Punësim në sektorin e teknologjive të gjelbra. Nëse politika e sotme premton hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës, vetëm zhvillimi i këtij sektori është një garanci reale për t i hapur ato. Kjo është një politikë konkrete tashmë e implementuar në vendet evropiane. Këto janë të vetmet ekonomi në shkallë botërore që nuk po e ndiejnë krizën ekonomike globale. Pra kjo kërkon një strategji të gjelbër punësimi.
Ne synojmë: Përmirësimin e standardeve të jetës për njerëzit që jetojnë në zonat rurale nëpërmjet politikave mbështetëse dhe investimeve në infrastrukturë dhe zhvillimit të bujqësisë. Ne duhet t ujapim përparësi zhvillimeve të tregjeve bujqësore lokale Ne dëshirojmë heqjen e TVSh-së për produktet ushqimore ekologjike. Ne duhet ta orientojmë bujqësinë shqiptare në prodhimin ekologjik,pasi kërkesa e tregut evropian për të është e lartë. Kjo do të krijonte mundësi eksporti dhe të ardhura për familjet fermere.
Ne synojmë: Përmirësimin e garancisë ushqimore. Të gjithë duhen garantuar për cilësinë e lartë të artikujve ushqimorë në tregjet tona, të cilët duhet të jenë të pastra nga substanca helmuese. Të gjithë artikujt ushqimorë të pajisen me deklarime të qarta rreth përmbajtjes së tyre, ku çdo pjesë përbërëse të deklarohet. Ne jemi kundërshtarë të rrezatimit të ushqimit dhe preferojmë kujdes në përdorimin e teknikës së manipulimit gjenetik. Fushat shqiptare dhe tregjet ushqimore nuk duhet të përmbajnë prodhime gjenetikisht të modifikuara. Ne jemi për një Shqipëri pa OMGJ.
Ne dëshirojmë që fëmijët tanë të kenë ushqim të cilësisë së lartë dhe biologjik.
Ne synojmë: Shtimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe pyjore. Ne duhet ta ndalojmë me ligj prerjen e pyjeve deri më 2020, Kjo do të sillte përmirësimin gradual të kësaj masakre që ka ndodhur. Një pemë përmirëson cilësinë e ajrit, përmirëson cilësinë e jetës së qytetit. Nën moton “Një qytetar, një pemë” ne dëshirojmë që deri më 2020, kurora e gjelbër e qyteteve tona të shtohet me 4.000.000 pemë të reja.
Ne synojmë: Zhvillimin e turizmit si një sektor fitimprurës për ekonominë e vendit. Ekoturizmi do të sillte të ardhura në ekonomitë familjare, duke e parë këtë politikë si një zhvillim ekonomik rajonal.

Programi ynë elektoral është një program ambicioz dhe ka një vizion të qartë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit drejt “Një Shqipërie të Gjelbër”. Ky program mbështetet në filozofinë dhe eksperiencën e Partisë së Gjelbër Evropiane. Kjo është një arsye më shumë që ne kërkojmë përkrahjen, mbështetën dhe votën tuaj për Partinë e Gjelbër.Ky lajm është publikuar: 09/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›