E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, ODIHR: “MB shpërndau të dhëna të pasakta, kartat problem”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Misioni vëzhgues i ODIHR publikon raportin e dytë të ndërmjetëm për ecurinë e procesit zgjedhor. Raporti citon se më 28 maj Ministria e Brendshme u ka shpërndarë organizmave të huaj, por edhe Partisë Socialiste, të dhëna të pasakta lidhur me personat që nuk janë pajisur me pasaporta e që nuk kanë aplikuar ende për karta identiteti. Sipas vëzhguesve të ODIHR, vërehen probleme teknike në disa qarqe të vendit, ndërkohë që shumë aplikues nuk po kompensohen sipas vendimit të qeverisë për kartën e identitetit. Ndërkombëtarët shprehen gjithashtu të shqetësuar se administrata po përdoret për fushatë politike dhe në funksion të saj, mbi punonjësit e administratës po ushtrohet presion.
Shqetësimi, sipas raportit të ODIHIR, vjen pas ankesave të shumta të paraqitura ku përmendet këtu edhe shqetësimi i PBDNJ-së se zyrtarët e saj për këtë qëllim janë pushuar nga puna. ODIHR cilëson se deri më tani fushata ka qenë e qetë dhe me incidente të izoluara. Dy javë më parë vëzhguesit afatgjatë të ODIHR në Shqipëri publikuan raportin e parë, në të cilin përfshihej situata parazgjedhore deri më 19 maj. ODIHR, citoi Partinë Socialiste lidhur me vonesat në pajisjen e shtetasve me karta identiteti, duke nënvizuar shqetësimin e opozitës se për shkak të parregullsive, një numër domethënës votuesish rrezikojnë të mbeten pa votuar. Vëzhguesit në raportin e tyre mbi çështjen e dokumentit të votimit, kartave të identitetit, dhe publikimit të listave të personave pa pasaportë që nuk kanë një kartë apo nuk e kanë tërhequr atë nënvizon: “Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme janë kryer në total 1,172,279 aplikime për letërnjoftime elektronike që prej datës 31 maj, ndërsa janë arritur të prodhohen 1,045,910 karta identiteti. 1,019,910 karta identiteti janë shpërndarë në qendrat e aplikimit nga këto 652,067 karta janë tërhequr nga qytetarët. Sipas qeverisë, rreth 730,000 qytetarë nuk kanë pasaportë, një numër që opozita e ka vënë në dyshim pasi është shumë i ulët. Nga këta qytetarë 460,000 kanë dorëzuar aplikimin që prej datës 29 maj. Mes këtyre votuesve të aftë që nuk kanë aplikuar ende një numër prej 160,000–260,000 besohet se jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë pa dokumente të vlefshme, sipas një letre nga zëvendësministri i Brendshëm dërguar Partisë Socialiste. Shumica e çështjeve që lidhen me procesin e aplikimit, prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve vazhdojnë të jenë shumë të debatueshme mes qeverisë dhe opozitës. PS-ja vazhdon të insistojë se aplikimi për kartat pranohet në mënyrë selektive në favor të mbështetësve të PD-së. opozita përmend probleme, si mungesa e energjisë, probleme të internetit, të cilat ngadalësojnë procesin e aplikimit dhe shkurajojnë mbështetësit e PS-së për të aplikuar. Raportet nga OSBE-ODIHR-i tregojnë në disa raste se jo të gjithë qytetarët janë subvencionuar për kartën e identitetit dhe pse ajo bie ndesh me vendimin e qeverisë dhe jo të gjithë punonjësit e zyrës së postës, kishin njohuri për këtë vendim. Më datë 28 maj Ministria e Brendshme i dërgoi një letër Partisë Socialiste dhe prezencës së OSBE-ODIHR-it me të dhëna të pasakta për qytetarët që nuk posedonin një pasaportë. Kjo çoi në lindjen e një debati mes Qeverisë dhe Partisë Socialiste. Ministria e Brendshme ia atribuoi këtë problem një gabimi teknik, ndërsa PS-ja pretendoi manipulimin e të dhënave, të cilat do të ndikonin në rezultatin e zgjedhjeve”, - thuhet në raportin e dytë të ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri.

Raporti II

•Gjatë periudhës së raportimit ka nisur zyrtarisht më 28 maj fushata elektorale dhe veprimtaritë e partive në fushatë. Sipas vëzhguesve të ODIHR, fushata dhe mjedisi në të, qenë përgjithësisht të qetë dhe paqësorë, me përjashim të vetëm disa incidente të izoluara. Fushata është shënuar shpesh me shembuj të gjuhës së ashprër dhe akuza të ndërsjella.
• Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon përgatitjet e tij për zgjedhjet. Gjatë periudhës raportuese, komisioni miratoi në një prej mbledhjeve një udhëzim për tabelën e transferimit të të dhënave të rezultateve si dhe fletën zyrtare të votimit. KQZ mori gjithashtu edhe disa vendime të tjera të rëndësishme. Përkundër përpjekjeve nga ana e Kryetarit të KQZ-së për të arritur konsensus mbi vendimet Komisioni vazhdon të jetë i ndarë dhe çështjet më të diskutueshme janë pozicionuar sipas debateve të linjave politike partiake.
• OSBE-ODIHR dhe vëzhguesit afatgjatë raportojnë se shumë nga Komisionet e Administrimit të Zgjedhjeve Zonale, nuk janë korrekt me orarin e punës, sipas regullores së vendosur nga KQZ-ja. Ngritja e Komisioneve të Qendrave të Votimit është shtyrë për shkak të dështimit të shumë prej partive për emërimin e anëtarëve të tyre në kuadër të afatit të fundit ligjor.
•Në një proces gjithëpërfshirës, KQZ-ja ka miratuar regjistrimin listave të kandidatëve të partive mes të cilëve dhe një kandidat të pavarur, i propozuar nga një grup votuesish. Ndërsa një parti, e cila ishte regjistruar, u përjashtua nga zgjedhjet, pasi doli se ajo kishte paraqitur dokumentacion të falsifikuar në Komisionin Qendror Zgjedhor.
•Përpjekjet për të pajisur të gjithë qytetarët me letërnjoftime elektronike vazhdojnë. Që nga data 30 maj do të aplikojnë për të marrë kartat e identitetit vetëm qytetarët që nuk disponojnë një pasaportë dhe që nuk janë në gjendje të votojnë pa këtë dokument. Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 1.17 milion aplikime janë kryer deri më 31 maj. Opozita vazhdon të dyshojë se procesi i pajisjes dhe shpërndarjes nuk është trajtuar si duhet dhe më 1 qershor njoftoi se do të paraqiste një padi penale kundër zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për faktin që për Partinë Socialiste ishte manipulimi me të dhënat për kartat.
•Gjatë periudhës së raportimit, asnjë nga subjektet zgjedhore, nuk kontestoi përmbajtjen e listës së votuesve, në dallim të mprehtë me zgjedhjet e mëparshme.
• Në dy javë para fillimit të periudhës zyrtare të fushatës, të gjitha reklamat e stacioneve televizive të transmetimit u monitoruan nga subjekte të ndryshme politike, për shkelje të dispozitave ligjore. Monitorimi i mediave nga OSBE / ODIHR tregon se gjatë periudhës të monitorimit për lajmet dhe programet e mediave elektronike rezultoi të ishte i pabalancuar dhe kishte mbulim të pjesshëm të subjekteve kryesore politike.
•Gjatë periudhës raportuese, Kolegji Zgjedhor mori në shqyrtim katër ankesa kundër vendimeve të KQZ-së. Një vendim i KQZ-së u kthyen në këtë organ dhe një tjetër u pezullua. Dy apele të bëra për një rast të tretë do të dëgjohen në datën 6 qershor. Nuk ka ankesa të paraqitura në KQZ.
• Shumica e listave të kandidatëve të partive ishin kthyer nga ana e KQZ-së për korrigjime, pasi ata nuk i plotësojnë kërkesat gjinore të vendosura në Kodin e ri Zgjedhor. Në dy raste, listat e miratuara ende nuk i përmbushin këto kërkesa.

ODIHR për Berishën

Raprti i dytë i OSBE-ODIHR-it analizon fushatën e PD-së dhe kryeministrit Sali Berisha duke thënë se “Partia Demokratike, PD, e kryeministrit Sali Berisha është përqendruar në arritjet e Qeverisë në largim, si dhe synon një tjetër mandat katërvjeçar në qeveri duke parashtruar në programin e vet në fusha të tilla si zhvillimi i infrastrukturës, lufta kundër korrupsionit, arsimin, reformën fiskale, dhe promovimin
e bizneseve të vogla”, thuhet në raportin e ODIHR-it.

ODIHR për Ramën

Raprti i dytë i OSBE-ODIHR-it analizon edhe fushatën e opozitës së majtë të liderit të PS-së, Edi Rama, duke nënvizuar se “Partia Socialiste, PS, ka parashtruar arritjet e liderit të saj, Edi Rama, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke e zgjeruar punën e suksesin e tij edhe për pjesën tjetër të vendit, në fusha të tilla si infrastruktura, reformat fiskale dhe mjedisi”, - thuhet në raport.
Ky lajm është publikuar: 09/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›