E Diel, 1 Nëntor 2026

Nastradin Rama dhe “banja” e Bashkisë

Midis dhjetëra anekdotave për Nastradinin tregohet dhe ajo me titull: “Zëri i Nastradinit”, në të cilën thuhet: “Njëherë Nastradini hyri në banjë. Rastësisht ndodhi që në banjë nuk kishte njeri dhe ai filloi të këndojë motivin e këngës së Kaja-bashit (këngë e kënduar më së shumti nga barinjtë kryesisht në malet midis shkëmbinjëve). Atij i pëlqeu shumë zëri i vet, saqë mendoi: Kur paskam kaq zë të bukur, pse të mos u krijoj mundësi muslimanëve të më dëgjojnë?” Prandaj doli nga banja dhe u ngjit në minare. Ishte mesditë, por Nastradini këndoi. Dikush  nga poshtë i bërtiti: “Hej, ti, kokërr budallai! Pse nuk e thërret në kohën e vet temxhidin (lutja madhështore që lexohet në mëngjez nga minareja), aq më tepër me atë zë aq neveritës?” Nastradini duke u përkulur nga minareja u përgjigj: “Po ja, nëqoftëse ndonjë bamirës do ta kishte ndërtuar këtu banjën atëherë ti do ta kishe marrë vesh se sa zë të bukur që kam!”.

Këtë anekdotë, tani pas promovimit të slloganit: “Ta bëjmë Shqipërinë si Tirana” dhe të këngës “Çohu” si himn i fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste, kanë filluar ta tregojnë gjithnjë e më shumë për Edi Ramën, i cili është njëherësh jo vetëm kryetar i PS-së dhe i Bashkisë së kryeqytetit, por edhe pjestar i grupit këngëtar. Por sa herë që Ramës i pëlqen zëri i vet në “banjën” e Bashkisë, për ta kënduar këtë këngë “barinjsh çetnikë” në “minaren” e takimeve elektorale të socialistëve, duke menduar se nuk ka njeri të mos e pëlqej, del jo më “dikush” si në rastin e Nastradinit, por një grup i madh shqiptarësh të ndershëm e patriot, duke i bërtitur: “Hej, ti kokërr skizofreni! Pse nuk kërkon atë që ky vend meriton në kohën e vet, aq më tepër me atë zë neveritës?” Edi Rama pushon një çast këngën dhe përgjigjet: “Po ja, nëqoftëse të gjithë shqiptarët do të kishin qënë “bamirës” të bashkisë dhe “banjën” e saj do ta kishin ndërtuar në selinë e PS-së, atëherë do ta kishit marrë vesh se ç’zë të bukur që kam!”. 

Tani po flasim më konkretisht, për t’na kuptuar edhe socialistët më fanatik dhe më i pashkollë, që për fat të keq janë shumë, se, kush është në fakt lejtmotivi i vërtetë i këngës “çohu”? Është ajo ç’ka thotë vetë Rama përtej “të majtës e të djathtës” së kësaj kënge: “Për ta bërë Shqipërinë si Tiranën”(!?), në një kohë që kundërshtari i tij politik, kryeministri Sali Berisha dhe mazhoranca aktuale po e bëjnë “Shqipërinë si gjithë Europa”. Kur Edi Rama thotë: “Ta bëjmë Shqipërinë si Tiranën”, kryesisht ka parasysh shtrirjen e modelit qeverisës të pushtetit lokal në të gjithë vendin. Këtë model fillimisht ai e shtriu në Partinë Socialiste, duke zëvendësuar përbërjen e formumeve kryesore të saj me punonjës të Bashkisë së kryeqytetit. Një gjë të tillë mund ta konstatojmë lehtë edhe në listën e kandidatëve për deputetë të PS-së ku shumica e tyre janë ish-punonjës të Bashkisë Tiranë ose ndërtues “bamirës” të kësaj bashkie. Kësisoj, një pjesë e mirë e figurave kontributore të Partisë Socialiste, duke filluar me ish-kryetarin historik të saj, z. Fatos Nano u spostuan nga pozicionet e tyre politike, për t’u hapur vend miqve dhe shokëve të kryebashkiakut Edi Rama. Në këtë mënyrë u zëvendësua vizioni kombëtar i Partisë Socialiste me vizionin lokal të punonjësve të Bashkisë që u katapultuan nga Rama në krye të kësaj force politike. “Atë që lind macja, gjuan minj”, thotë një fjalë e urtë popullore. Udhëheqësit bashkiakë të PS-së, duke thënë: “Do ta bëjmë Shqipërinë si Tiranën”, më shumë sesa një model referues pohojnë një mentalitet izolues. 

Natyrisht, nëpërmjet një shpjegimi të tillë unë nuk po bëjë lojë fjalësh, duke komentuar variantin letraresk të këtij sllogani. Madje, varianti që unë po tregoj është mëse i vërtetë. Tirana është kryeqytet i Shqipërisë dhe ashtu si çdo kryeqytet tjetër në botë, ka njëfarë ndryshimi me qytetet dhe qendrat e tjera urbane. Edi Rama, prej 9 vitesh vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së kryeqytetit, dhe normalisht ndryshimet e ndodhura në këtë dekadën e fundit janë të lidhura edhe me veprimtarinë e tij si kryebashkiak. Ndryshimet, me të cilat Edi Rama krenohet dhe synon t’i shndërrojë në model janë kryesisht ato që lidhen me ndërtimtarinë. Në këtë aspekt ka ndryshime për mirë, por ka edhe ndryshime për keq, të cilat përbëjnë shumicën. Fjala vjen, ndryshime për mirë mund të konsdierohen heqja e kisokave apo rikostruksioni i disa rrugëve, ndërkohë që ndryshimet për keq janë më të mëdha, pasi lidhen me ndërtimin në mënyrë klienteliste dhe pa një plan urban. Nga ana tjetër, heqja e kioskave apo asfaltimi i disa rrugëve kryesore e rrugicave në qëndrat e ndryshme të banimit në kryeqytet, nuk është tërësisht meritë e tij dhe e stafit të bashkisë, por kryesisht e politikave të ndryshme të qeverisjes qëndrore. Po qe se Rama me slloganin: “Ta bëjmë Shqipërinë si Tirana”, ka parasysh vetëm aspektin ndërtimor dhe donte që një model të tillë ta merre nga një bashki “përtej së djathtës”, më e përshtatshme do të kishte qënë t’i referohej bashkisë Vlorë apo Durrës, të cilat kanë ndërtime e rikostruksione ndërtimore më të studjuara dhe jo kaq klienteliste sa në kryeqytet. Ndërsa po qe se do të merrte një model të qeverisjes lokale “përtej së majtës”, që është shëmbull në ndërtimin sipas një plani rregullues, le t’i referohej Sarandës dhe Shkodrës. Por sidoqoftë, një model i qeverijes vendore, sado i mirë që të jetë, nuk mund të shërbejë si model i qeverisjes qendrore, për më tepër në një moment të tillë kur Shqipëria ka 3-4 vjetë, që po qeveriset sipas modelit të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pikërisht, duke ecur mbi bazën e këtyre modeleve, Shqipëria është sot anëtare e NATO-s, ka aplikuar për ta marrë statusin e vendit kantidat për në BE, është në fazën e fundit për liberalizimin e vizave brenda pak muajësh me vendet e Bashkimit Europian, qëndron në krye të të gjitha vendeve të kontinentit tonë lidhur me treguesin e rritjes ekonomike dhe imunitetin e fituar për të mos u prekur nga kriza globale, etj. Në këto kushte, të pretendosh ta bësh “Shqipërinë si Tiranën”, do të thotë t’i thuash vendit: “Prapa ktheu”! 

Sllogani majtist: “Ta bëjmë Shqipërinë si Tiranën”, do të thotë ta krahasosh atë me vetveten, sikundër është bërë për 50 vjet me radhë në kohën e monizmit dhe 8 vjet rresht në kohën e qeverisjes tetëvjeçare të socialistëve në vitet ’97-’05. Kësisoj, nëse gjatë “socializmit të parë shqiptar”, përmasat e “fanarndriçimit” binin në sy të krahasuara me ’38-ën e mjerimit dhe gjatë “socializmit të dytë” ato “shkëlqenin” në raport me shkrumbin e ngjarjeve të ’97-ës, në “socializmin e tretë” që parajamëron Rama të vijë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ndryshimi u dashka të matet me ndërtimin e pallateve të tipit “Shkreli-Eftimi” edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Pra, për këtë u dashkan të “çohen” shqiptarët, jo për të “rrëmbyer armët” si në ’97-n, po për të rrëmbyer të ardhmen e afërt europiane të vendit të tyre, duke e bërë “bamirësi” bashkiake në të gjithë Shqipërinë. Kësaj i thonë, “të prishësh bute për të bërë kanaçe”. 

Por koha e krahasimit të Shqipërisë me vetveten duket se ka përfunduar njëherë e mirë, qëkurse ajo filloi të ngjit një e nga një shkallët e integrimit të strukturat euroatlantike dhe sot është drejt fundit të tyre. Shqipëria ka rreth 4 vjet që po bën reforma si gjithë Europa, ndërsa Edi Rama kërkon që ajo në vitet e ardhshme të bëjë reforma si Bashkia e Tiranës. Marrëzi më të madhe nuk ka, por njëkohësisht nuk ka marrokër më të mëdhenj se ata që i shkojnë pas atij. Mirë socialistët e tipit “Shkreli-Shamku-Eftimi”, po mjeranët e majtë kryeqytetas që po u zënë frymën shumëkatëshet tek dera e shtëpisë dhe shumfishat e taksave në vatrat familjare, ç’kërkojnë që këndojnë në korin e kukuvajkave ramiste: “çohu, çohu…”? Akoma nuk kanë vënë mend nga këngët militare të kësaj force politike në ’97-ën: “ O, djem rrëmbeni pushkët. Ja vdekje, ja liri!…” Mos u çudisni! E njëjta histori kërkon të përsëritet, pavarësisht maskave që përdoren. A nuk u thanë dhe atëherë shqiptarëve që: “Përmbysni Sali Berishën, se është hajdut i piramidave dhe ne do t’ju kthejmë 100 për qind paratë e humbura në këto skema mashtruese”. Por koha provoi se Berisha dhe qeverisja e demokratëve të vetmin faj kishin faktin që lejuan krijimin e këtyre skemave piramidale, të cilat drejtoheshin dhe menaxhoheshin nga ish sigurimsa, ish oficerë enveristë, ish partiakë të monizmit, etj., me një strategji të qartë; për t’i shndërruar ato pnë roblem për qeverisjen e suksesshme të demokratëve, pas anëtarësimit në KE dhe përgatitjes së të gjithë kushteve për çeljen e negociatave për MSA-në, brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisës së demokratëve, që filloi në qershor të vitit ’96 dhe u ndërpre nga rebelimi komunist pas 6 muajsh. Edhe në atë kohë Shqipëria ishte në krye të vendeve ish-komuniste të Europës Lindore lidhur me suksesin e reformave dhe treguesin e rritjes ekonomike. E njëjta gjë kërkon të përsëritet tani, që ne jemi në krye të të gjithë vendeve europiane, nëpërmjet “rebelimit” bashkiak për ta bërë “Shqipërinë si Tiranën”.

Së fundi, ta bësh “Shqipërinë si Tiranën”, do të thotë që në praktikën qeverisëse të vendit tonë të instalosh praktikën e qeverisjes bashkiake të kryeqytetit, që është praktika e korrupsionit me lejet e ndërtimit. Nëse Shqipëria në këto 3-4 vitet e fundit nuk arriti të marrë 10-ën e plotë në treguesit e antikorrupsionit ndërkombëtar, shkak u bë korrupsioni i Bashkisë së Tiranës me vonesat në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe mungesën e planit rregullues të kryeqytetit. Këto janë fakte të publikuara disa herë nga institucionet ndërkombëtare dhe mediat vendase.  Dhe siç dihet, korrupsioni është kanceri i progresit dhe integrimit që ne kemi arritur deri tani. Nga ana tjetër, “modeli ndërtimor” i Bashkisë së Tiranës, që Rama do ta shndërrojë në hymin “çohu” të socialistëve, është tërësisht i pakrahasueshëm me volumin dhe arkitekturën e ndërtimit të infrastrukturrës rrugore, asaj energjitike dhe veprave të tjera publike në vitet e qeverisë “Berisha”. Gjithë pallatet dhe rrugët e Tiranës nuk bëjnë as sa tuneli i Kalimashit dhe 29 urat e rrugës “Durrës-Kukës-Morinë”. Megjithatë veprat ndërtimore, private apo publike qofshin, janë veçse produkte dhe jo procese. Proceset janë rruga e krijimit të produkteve. Një prej produkteve të shumta qeverisëse të Shqipërisë në kohën e sotme “i papjekur” ende, është edhe anëtarësimi në Bashkimin Europian, i cili nuk mund të arrihet duke kënduar në “banjën” e bashkisë apo dhe atë të PS-së këngën “çohu”, por duke thelluar më tej reformat demokratike që ka ndërmarrë qeveria “Berisha”. Në këto kushte, në zgjedhjet e 28 qershorit nuk ka nevojë për përmbysje, po për vazhdimësi. Dhe kjo është e qartë si drita e diellit. Ndaj, “ti kokërr budallai”, mos na shqetëso më “me atë zë aq neveritës”!... “Shqipëria po ndryshon”, dhe kjo çdo shqiptari i mjafton.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›