E Shtunë, 31 Tetor 2026

Europa u beson konservatorëve për menaxhimin e krizës ekonomike

Votuesit evropianë u besojnë konservatorëve të djathtë më shumë se të majtës për menaxhimin dhe përballimin e krizës më të rëndë ekonomiko-financiare që ka përfshirë kontinentin që pas Luftës II Botërore.


Ky ishte mesazhi kryesor i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që përfunduan me rezultate të fuqishme për konservatorët në pushtet në Gjermani, Francë, Itali dhe Poloni, por humbje të mëdha për socialistët në pushtet në Britaninë e Madhe, Spanjë dhe Hungari.


 Votimi mund të zbusë presionet politike ndaj programeve të mëdha të shpenzimeve për rimëkëmbjen ekonomike, por duket se nuk do të ngadalësojë reformat për rregulla financiare më strikte, që pritet të jenë kauza kryesore e legjislaturës së re të Parlamentit Evropian.


Zgjedhjet mbarë-evropiane do të ndihmojnë gjithashtu edhe konservatorin Hose Manuel Barroso të sigurojë një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të Komisionit Evropian, me një mandat për forcimin e mbikëqyrjes mbi të gjitha tregjet dhe institucionet financiare.


Rezultatet e fuqishme të partive të gjelbërta janë një mesazh i qartë se ligjet për luftën kundër ndryshimit të klimës dhe promovimin e energjisë së pastër do të jenë prioritare në axhendën e asamblesë së re.


Në Gjermani, që më 27 shtator zhvillon zgjedhjet kombëtare më të rëndësishme në Evropë, Kristian Demokratët e kancelares Angela Merkel rezultuan me shanse të mëdha për të triumfuar ndaj partnerëve aktualë Social Democratë në "koaliconin e madh", dhe për të formuar një koalicion të ardhshëm të qendrës së djathtë me liberalët e partisë Demokratët e Lirë.


Disfata e së majtës pothuajse në të gjithë kontinentin, përveç Greqisë dhe Sllovakisë, ishte një nga zhvillimet dhe rezultatet më të rëndësishme të këtyre zgjedhjeve. Lideri i Socialistëve evropianë, Martin Schultz e konsideroi humbjen si "një mbrëmje e trishtuar për socialdemokracinë në Evropë". Ndërkohë ambientalistët ishin përfituesit më të mëdhenj të këtyre zgjedhjeve në Francë dhe Gjermani. Por në pjesën më të madhe të vendeve të bllokut, votuesit që përfaqësojnë klasën punëtore bojkotuan zgjedhjet, ose preferuan të djathtën ekstreme, të majtën ekstreme apo nacionalistët anti-evropianë.


Në Britaninë e Madhe, Laburistët e kryeministrit Gordon Broën pësuan një disfatë të rëndë duke u renditur si forca e tretë politike. Në Irlandë, shanset për ratifikimin e Traktatit të Lisbonës në një referendum të dytë këtë vit duket se janë më të larta pasi lideri, i cili financoi dhe kryesoi fushatën e "jo-së" së vitit të kaluar, dështoi në tentativën e tij për të siguruar një vend në Parlamentin Evropian.


Por një largim i madh i elektoratit irlandez nga partia "Fiana Fail" e kryeministrit Brian Coëen pas skandaleve bankare, nënkupton se qeveria do të jetë e dobët dhe jo popullore në nxitjen e zgjedhësve për të aprovuar dokumentin e rëndësishëm evropian në një referendum të dytë këtë vit.


Pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje ishte në një shifër të ulët rekord prej afro 43 për qind, për shkak të apatisë së elektoratit të amplifikuar edhe nga kriza ekonomike. Edhe pse pjesëmarrja ishte pak më e ulët nga 45.5 për qind që ishte në vitin 2004, ajo tregon se votuesit e kanë të vështirë identifikimin me Parlamentin Evropian.


Trendi konservator "mund të duket paradoksal", pasi sondazhet tregojnë që votuesit kërkojnë një rol më të fuqishëm të shtetit në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rregullimin e financave. Por konservatorët si Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy kanë arritur të "ta pushtojnë" këtë territor duke rezultuar më bindës se e majta.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›