Publiku rendit ndër dhjetë më të mirët filmin Lindje Perëndim Lindje
Filmi Lindje Perëndim Lindje i regjisorit Gjergj Xhuvani është përfshirë në dhjetë filmat më të mirë të vitit që lamë pas, që janë shfaqur në kinema Millennium. Filmi i vendos ngjarjet në një periudhë kyçe të historisë shqiptare siç janë vitet 90. Në një Shqipëri të varfër e të izoluar, në prag të ndryshimeve që sollën rënien e komunizmit. Ngjarjet të cilat zhvillohen ndërmjet Shqipërisë, Italisë e ish-Jugosllavisë. Tregojnë për peripecitë e një grupi çiklistësh, të
udhëhequr nga Ilo, një ish-kampion 40-vjeçar, që duhet të përfaqësojnë Shqipërinë në një garë në Francë. Ngjarjet fillojnë kur në Ministrinë e Sportit dhe Kulturës së asaj periudhe, mbërrin një letër e ardhur nga Evropa, e cila fton çiklistët shqiptarë të marrin pjesë në një kampionat që do të organizohet në Francë. Ilo, ishte një kampion i harruar që ushqente pasionin e tij duke rregulluar biçikleta. Por pas kësaj letre ai vihet në krye të pesë çiklistëve për tu nisur drejt Perëndimit. U nisën në një garë çiklizmi, por në fakt mbetën rrugëve. Në Itali dëgjojnë për protestat në Tiranë, për njerëz që hyjnë në ambasada, për shembjen e të shkuarës dhe nisjen e një ëndrre të re. E gjejnë veten të braktisur në Trieste nga zyrtarët e ambasadës shqiptare në Itali. Nuk shkojnë dot në Francë, por nuk dinë si të kthehen as në Shqipëri. Shteti nuk ekziston më. Trajneri dhe çiklistët do të udhëtojnë me biçikletë nëpër Jugosllavinë e asaj kohe për të mbërritur në Shqipëri. Në kastin e aktorëve spikasin Ndriçim Xhepa, Fino, Gentjan Hazizi, Ervin Bejleri, Lulzim Zeqja, Fajton Pustina, Romir Zalla, Petrit Malaj, si dhe aktorja me origjinë boshnjake, Nela Luciç, që ka punuar me aktorët italianë Pupi Avati, Tinto Brass e Peter Del Monte. Skenari është shkruar nga shkrimtari e skenaristi i njohur, Dhimitër Xhuvani, i cili disa kohë më parë u nda nga jeta, nga vetë regjisori Gjergj Xhuvani dhe nga një tjetër skenarist i afirmuar shqiptar siç është Jani Duri. Lindje-Perëndim-Lindje është një prodhim italo-shqiptar, që ka filluar xhirimet e tij në prill të vitit 2008. Shesh-xhirimet e këtij filmi janë vendosur në Shqipëri (Durrës, Përmet, Qafë-Thanë), Maqedoni dhe Itali. Lindje-Perëndim-Lindje është filmi i tretë i regjisorit Gjergj Xhuvani që është shfaqur në kinema Millenium. Nga shtypi ai është cilësuar si një vijim i dy filmat të mëparshëm të këtij regjisori; Parrullat dhe I dashur armik. Lindje-Perëndim-Lindje është një dramë që zgjat për rreth 100 minuta, ku piktor është Durim Neziri, ndërsa si producentë të këtij realizimi janë Arben Tasellari, Francesko Tagliabue.