E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cirku kosovar

Në futbollin kosovar ndodh edhe kjo. Vëllaznimi të enjten do të udhëtojë nga Gjakova në Skenderaj, për t’u përballur me Drenicën. Mirëpo ata nuk do të luajnë asnjë minutë, por do të ekzekutojnë vetëm penalltitë.

Këtë vendim e ka marrë Komisioni i garave pranë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në bazë të nenin 66 të rregullores së garave.

Por, rëndësia e këtyre penaltive është e madhe, sepse pas ekzekutimit të tyre do të kuptohet se cila prej këtyre dy skuadrave do të kalojë në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Në fakt, në ndeshjen e parë çerekfinale, Vëllaznimi e ka mposhtur Drenicën me rezultat 1:0. Kurse, në ndeshjen e kthimit Drenica e mposhti Vëllaznimin me rezultat të njëjtë, 1:0.

Ndërsa në lojën shtesë 2x15 minuta, të dyja ekipet kanë shënuar nga një gol, por në vazhdime, sipas rregullores së garave të FFK-së, nuk vlen përparësia e golit mysafir.

Prandaj, duhet të ekzekutoheshin penaltitë, por gjyqtari i asaj ndeshjeje, Artan Hoxhaj, nuk i urdhëroi skuadrat që t’i ekzekutojnë penaltitë, por, e shpalli Vëllaznimin gjysmëfinalist.

“Komisioni i Garave mbajti mbledhjen e vet dhe vendosi që të enjten në ora 14:00 në Skenderaj, Drenica dhe Vëllaznimi ta bëjnë ekzekutimin e penaltive. Këtë vendim KG-ja e ka marrë në bazë të rregullores së garave, sepse të dielën gjyqtari dhe vëzhguesi i takimit nuk e kanë përfillur nenin 66 të rregullores, sipas të cilit është dashur të ekzekutohen penaltitë me atë rast”, deklaroi për Express, kryesuesi i këtij komisioni, Azem Brovina.

“Komisioni i Garave ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit dhe vëzhguesit të atij takimi dhe i mbetet tani Komisionit Disiplinor të vendosë rreth tyre”, theksoi ai.

Sipas Brovinës, Drenica dhe Vëllaznimi janë të obliguara që në stadium të paraqiten me formacion dhe ekip të njëjtë sikurse në ndeshjen e së dielës.

Në anën tjetër, gjakovarët këtë rast e quajnë tmerr për futbollin kosovar. Megjithatë, thonë se do të udhëtojnë drejt Skenderajt të enjten.

“Çdo tri javë i ndërrojnë rregulloret. Ky është tmerr për Superligën e Kosovës. A shkohet për pesë minuta punë prej Gjakovës në Drenicë, pra katër orë udhëtim, kur dihet se të dielën nis kampionati. Ky është maltretim shumë i madh për ne. Më mirë do të ishte që të zhvillohet ndeshja 90 minuta, sesa të udhëtojmë katër orë vetëm për penalti”, deklaroi për Express, zyrtari i Vëllaznimit, Ahmet Morina.

Të dielën, në gjysmëfinale kanë depërtuar Liria, Gjilani e Besa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›