City e Chelsea, si fëmijë

Drejtuesit e Bayern Munichut preferojnë të flasin në mënyrë të drejtpërdrejtë. E bënin Beckenbauer, Rummenigge e Hoeness, ndërsa tani është radha e Christian Nerlinger, drejtor sportiv i gjigantit bavarez. Ai, gjatë një konference për shtyp, ka kritikuar ashpër politikat e klubeve angleze Chelsea dhe Manchester City, por nuk la pa sulmuar edhe filozofinë e tifozëve në stadiumet e Serisë A.
“Mendoj se futbolli i sotëm nuk ka më durim. Është e qartë se përderisa Abramovich shpenzon nga 100 milionë euro në vit, ai dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve, por për ndërtimin e një skuadre të madhe nevojiten shumë elemente të tjera vendimtare. Kur shikoj atë që ka ndodhur te Chelsea ose Manchester City, atëherë është e qartë se është bërë shkelje e çdo kuptimi ekonomik”, tha Nerlinger para se të ashpërsonte shkallën e kritikave. “Kam tre fëmijë; një 4 vjet, një 2 dhe një prej 7 javësh, atyre sigurisht se u pëlqejnë lodrat, por në botën e futbollit duhet të sigurohemi që askush të mos e trajtojë klubin si lodër. Janë rregulla të rëndësishme të cilat duhen respektuar”, shtoi ai.
Bayerni nuk shpenzon kurrë 50 milionë euro për një futbollist
Fair-play financiar përfaqëson një ide të UEFA-s për një futboll më të barabartë, por Nerlinger (dhe jo vetëm ai) është paksa skeptik rreth tij. “Nuk kam ndonjë siguri rreth fair-playt financiar, shpresoj që së shpejti të bëhet një ide konkrete. Bayern tashmë njëzet vite ka një filozofi të fiksuar sa i përket kësaj çështjeje. Nuk shpenzojmë kurrë 50 milionë euro për një futbollist, sepse përvoja jonë thotë se stabiliteti ekonomik është shumë i rëndësishëm për suksesin në periudhë afatgjate”, u shpreh ai.
Shembujt: Manchester United dhe Barcelona
Sa u përket shembujve që duhen përcjellë, Nerlinger i ka dy: Manchester Unitedin dhe Barcelonën. “Sir Alex Ferguson ka bërë një punë të madhe. Sigurisht ka kaluar edhe periudha të vështira, por në përgjithësi ka ndërtuar një imazh të një klubi fitues në shkallën botërore. Barcelona nga ana e saj është duke kaluar një fazë të jashtëzakonshme, një grup i artë falë futbollistëve si Messi, Xavi e Iniesta. Filozofia e saj për zhvillimin e të rinjve për momentin është fituese”, theksoi Nerlinger.
Italia, filozofi e dhunës
Një faktor vendimtar që, sipas Nerlingerit, luan rol në ngjitjen e një klubi drejt kulmit është atmosfera që krijohet në vetë stadiumin e tij. Në këtë kategori, Bayerni është në pozitë të mirë, meqë ka një impiant fantastik si Allianz Arena. “Në gjashtë vitet e fundit stadiumi ka qenë i mbushur për ndeshjet si vendës. Në stadium vijnë familje dhe krijojnë një klimë të përkrahjes së madhe ndaj ekipit, nuk është sikurse në Itali, ku përkrahja është ende e lidhur me dhunën”, përfundoi ai.