E Shtunë, 31 Tetor 2026

City me ‘polici’ kundër Ronaldos

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka njoftuar se do të kërkojë ‘ndihmë’ nga policia për të ndalë Cristiano Ronaldon në përballjen kundër Real Madridit në kuadër të Grupit D të Ligës së Kampionëve. Borussia Dortmund do të kërkojë kualifikimin përballë Ajaxit. Kurse, në Grupin B, Schalke dhe Arsenali synojnë të ecin bashkërisht tutje. Kalimin e grupit e kanë në dispozicion edhe PSG e Milani.

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka pranuar se skuadra e tij do ta ketë vështirë të mposhtë Real Madridin nëse nuk arrin të ndalë Cristiano Ronaldon. Kampioni i Premierligës takohet me kampionin e La Ligës të mërkurën mbrëma në Etihad Stadium në kuadër të xhiros së parafundit të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.

City duhet të fitojë për të mbajtur gjallë shpresat – edhe ashtu të vogla – për kualifikim të mëtutjeshëm, por Mancini tha në shaka se vendasve do t’u duhet të “thërrasim policinë” për të ndalur Ronaldon.

“Shpresoj që ai të kalojë një natë të keqe sepse kur takoheni me një futbollist, i cili shënon nga një ose dy gola në çdo ndeshje, është vështirë. Ronaldo është futbollist i madh dhe mendoj se e meriton Topin e Artë, pasi me golat e tij në sezonin e shkuar Reali përfundoi mbi Barcelonën”, u shpreh Mancini.

Në Grupin D, lider është Borussia Dortmund me 8 pikë. Kampioni i Bundesligës është mysafir i Ajax Amsterdamit dhe me fitore do të siguronte kualifikimin. Reali e përcjell me 7 pikë, kurse Ajaxi ka 4. City është i fundit me 2. Në Grupin A, Paris Saint-Germain do të ndeshet me Dynamo Kievin të vetëdijshëm se me fitore ose barazim do të sigurojë kualifikimin më tutje, duke iu bashkuar kundërshtarit të grupit, Porto.

Kurse, gjiganti portugez do të kërkojë fitoren ndaj Dinamo Zagrebit për të përforcuar pozitën e parë. Në Grupin B, dy favoritët Schalke dhe Arsenal janë vendës kundër Montpellier, përkatësisht Olympiacosit dhe me fitore do të kalonin bashkërisht më tutje. Skuadra gjermane kryeson grupin me 8 pikë, kurse Arsenali i përcjell me një më pak. Olympiacos është në lojë me gjashtë, kurse Montpellier ka vetëm 1.

Në Grupin C, Malaga e kualifikuar dhe pothuajse e sigurt se do të përfundojë e para, do të luajë pa presion në Rusi, ku vendasit e Zenti St Petersburg do të mundohen të shpëtojnë atë që është ende në dispozicion për t’u shpëtuar – vazhdimi i aventurës evropiane në Europa League.

Kurse, Anderlechti pret Milanin në një duel jashtëzakonisht të rëndësishëm për pozitën e dytë, e cila aktualisht u takon Rossonerëve, që kanë një pikë më pak se skuadra belge.

Grupi A

Dynamo K-PSG 20:45

Porto-Dinamo Z 20:45

Grupi B

Arsenal-Montpellier 20:45

Schalke-Olympiakos 20:45

Grupi C

Zenit-Malaga 18:00

Anderlecht-Milan 20:45

Grupi D

Ajax-B.Dortmund 20:45

Man City-Real Madrid 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›