E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zvicra, para Kosovës

Pasi aventurës me ekipin U-21, Shkëlzen Gashi tani e do ekipin A të Zvicrës. Në mendjen e 24 vjeçarit momentalisht nuk po qëndron përfaqësuesja e Kosovës, të paktën derisa kjo e fundit të pranohet në FIFA e UEFA. Ai ka folur për udhëtimet e shpeshta në karrierë, për të kaluarën e turbullt dhe për eksperiencën që po e kalon në Grasshoppers.

Pas Xherdan Shaqirit, Granitës Xhakës, Valon Behramit, Albert Bunjakut, Blerim Xhemajlit e Admir Mehmedit edhe mesfushori kosovar Shkëlzen Gashi synon të luajë me përfaqësuesen e Zvicrës.

24 vjeçari ishte pjesë e ekipit U-21 të helvetikëve në të kaluarën, por nga ajo kohë nuk kishte luajtur më për këtë ekip. Natyrisht, në mendjen e tij qëndron ende Zvicra, për të cilën shpreson t’ia japë rastin.

“Sigurisht, synim imi është të luaj sërish për ekipin kombëtar. Unë kam zhvilluar shumë ndeshje me ekipin e të rinjve. Grasshoppersi megjithatë është prioritet imi. Dëshiroj ta jap kontributin posaçërisht për klubin dhe të luaj mirë, ndërsa të tjerat më pas vijnë vetvetiu”, theksoi 24 vjeçari për ueb faqen zvicerane sport.ch.

“Kjo është një eksperiencë e veçantë dhe e rëndësishme për një lojtar, i cili nuk e ka pasur asnjëherë mundësinë të luajë për përfaqësuesen. Mua më mbetet të jem i freskët dhe të mos e humbas kokën. Shpresoj të vazhdoj me formë të mirë”, tha ai.

Gashi ka nënshtetësi të dyfishtë. Edhe pse ka pasaportë të Kosovës, ai nuk mendon të luajë për vendlindjen e tij, së paku derisa kjo e fundit të pranohet në FIFA dhe UEFA.

“Jo, momentalisht Kosova nuk është në mendjen time, jam i fokusuar te Grasshoppersi. Nëse një ditë do të ndodhë pranimi i saj dhe ekipi kombëtar do të bashkohet, atëherë do ta shikoja mundësinë, por jo më herët”, vazhdoi ai.

Gashi kishte një periudhë të gjatë lëndimi në fillim të sezonit, me çka edhe përfundoi në bankinë disa herë. Kurse, ndaj Baselit luajti për herë të parë nga minuta e parë. Tash ai ndihet mirë dhe është i gatshëm për lojë.

“Mund të luaj 90 minuta dhe po ndihem mirë. Jam 100 për qind i gatshëm, kam ushtruar për këtë shumë pas lëndimit. Futbolli është pasioni im, edhe kur kam qëndruar jashtë për shkak të lëndimit, e kam përkrahur ekipin pa marrë parasysh se isha në bankinë”.

Pasi ndërroi shumë ekipe si Zurich, Schaffhausen, Bellinzona, Xamax e Aarau, Gashi thotë se ka fituar eksperiencë, edhe pse kaloi momente të mira dhe të këqija. Ai nuk e ka ndërmend të lëvizë nga ekipi aktual.

“Shpresoj të jem i aftë të ofroj diçka për klubin. Lëndimin e kam lënë prapa krahëve dhe tash jam 100 për qind i gatshëm të jap gjithçka për Grasshopersin”, vijoi ai.

Gashi i ka falënderuar trajnerët me të cilët ka punuar deri tash, të cilët e kanë ndihmuar të arrijë deri këtu ku është sot, por nuk e harroi as familjen, e cila ka qenë përkrahje e vazhdueshme e tij gjatë karrierës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›