E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançini: Thërras policinë për të ndalur Ronaldon

Imiton strategjinë e Murinjos, duke pohuar se Mançester Siti është i eliminuar nga Champions-i, por e ka përgatitur ndeshjen me Realin deri në detajet më të imëta. Matematika i lejon të shpresojë ende, prandaj Roberto Mançini i ka studiuar të gjitha kartat për të mposhtur Realin sot në “Etihad”. Madje me humor menaxheri i kampionëve të Anglisë di edhe se si do ta bllokojë Kristiano Ronaldon. Për trajnerin e Sitit, portugezi meriton “Topin e Artë” dhe është lojtari i pamundur për t’u markuar. “Si do ta ndalim? Ndoshta do të njoftojmë policinë”, – e nis konferencën për shtyp 47-vjeçari. “Ai është lojtar klasi, i cili mund të shënojë 2 apo 3 gola në çdo ndeshje. Duhet përqendrim maksimal për të mos i lejuar hapësira. Për mua, Kristiano meriton ‘Topin e Artë’. Ka shënuar shumë gola sezonin e fundit, duke e renditur Realin sipër Barcelonës. Shpresoj të jetë në një ditë të keqe. Ndoshta Murinjo vendos ta lërë në shtëpi”.
Me laps në dorë – Për ish-teknikun e Interit, Siti do të përpiqet të tregojë potencialin më të mirë që zotëron për të shpresuar në fitoren e parë në grup. “Kur luan një ndeshje kaq të rëndësishme kundër Realit, ka presion, pavarësisht objektivave. Është e rëndësishme për ne që të hyjmë në fushë dhe të mos mendojmë asgjë tjetër, përveçse të bëjmë detyrën. Tifozët do shijojnë një spektakël të paprecedentë, sepse ne nuk kemi asgjë për të humbur”, shton Manço. Në teori, Mançesteri i tij mund të arrijë ende të sigurojë një biletë në 1/8-at.

Zbresin 1.1 miliardë euro
Veç duelit të dy kampionëve respektivë të kampionateve më të forta në botë, në “Etihad Stadium” do të ketë dhe një duel milionerësh. Në total do të zbresin 1.1 miliardë euro. Kaq kushtojnë kartonët e kampionëve të Anglisë dhe Spanjës. Skuadra më e shtrenjtë është ajo e Zhoze Murinjos, e natyrshme kur në skuadër kanë lojtarin më të shtrenjtë të historisë së futbollit, Kristiano Ronaldo. 26 lojtarët e skuadrës së parë madrilene kushtojnë në total 601 milionë euro, ndërkohë që 26 futbollistët e Roberto Mançinit përllogariten diku te 498 milionë eurot.

Dortmundi, një pikë kualifikimi
Borusia e Dortmundit do të përpiqet t’i mbyllë që në “Amsterdam Arena” llogaritë në grupin e ferrit, duke mos e vendosur fatin e saj në përballjen me Sitin dy javë më pas. Për të prerë biletën, skuadrës së Klopit i duhet një barazim. Në Vestfali, kampionët e Gjermanisë kanë fituar me shumë vështirësi vetëm falë një goli të vonë dhe janë të përgatitur për një tjetër duel të vështirë me skuadrën që i ka marrë 4 pikë Mançester Sitit. Mario Gëce do të kërkojë golin e parë në Champions, sepse goli që shënoi në “Bernabeu” u regjistrua si autogol i Arbeloas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›