Civici: Qeverisja e korporatave kërkon menaxherë të nivelit të lartë
“Ne kemi tashmë shumë menaxherë biznesi, por nuk kemi “qeverisës korporatash”, që nënkupton një nivel më të lartë menaxhimi e administrimi. Pikërisht kjo është e reja që ofron ky master: një program të specializuar që përgatit drejtues apo “qeverisës korporatash”
Universiteti Europian i Tiranës në bashkëpunim me International Financial Coorporation (IFC) ofron një master të ri në “Qeverisje Korporatash”, një “profesion” ky që përmbledh koordinimin e gjithë aktorëve që përcaktojnë suksesin në menaxhim, si aksionerët, këshillat mbikëqyrës, drejtuesit teknikë, personelin, bankat, klientët, partnerët e jashtëm, etj. Profesor Adrian Civici shprehet për një intervistë për “Mapo”-n, se “Ekspertët në fushën e qeverisjes së korporatave janë një dukuri e re dhe pak prezente në Shqipëri, ndërkohë që realiteti dhe zhvillimet aktuale e kërkojnë shumë. Pikërisht këtë boshllëk tenton të mbushë ky program i ri masteri në UET.”
Çfarë elemente të veçantë sjell një Master në Qeverisje Korporatash në bashkëpunim me IFC?
E reja e këtij masteri qëndron në ofrimin e një formimi profesional të nivelit të lartë dhe shumë specifik. Në realitetin shqiptar, qoftë ky ekonomik, financiar, menaxherial apo juridik, kanë ndodhur e po ndodhin zhvillime të shpejta, të cilat jo vetëm na afrojnë më shumë me vendet e zhvilluara, por mbi të gjitha na ballafaqojnë çdo ditë e më tepër me to. Koncepti dhe praktikat e qeverisjes së korporatave janë një dukuri relativisht e re, që përmbledh marrëdhëniet e të gjithë “aktorëve” të suksesit në menaxhim, si aksionerët, këshilli administrativ, drejtuesit teknikë, personelin e specializuar, partnerët e jashtëm, klientët, bankat, komunitetin që përfiton apo ka nevojë nga shërbimet e korporatës etj. Për të “qeverisur” në mënyrë eficente gjithë këta aktorë kërkohen njohuri e koncepte të veçanta, kërkohen metoda e instrumente të specializuara që kombinojnë aspektet ekonomiko-financiarë me ata juridikë, aspektet organizative me sjellje lidershipi, pjesën menaxheriale me logjikën aksionere etj. Qeverisja e korporatave përbën një profesion të ri, shumë më kompleks sesa menaxhimi i biznesit, e drejta e biznesit apo marketingu, një profesion që mungon në Shqipëri. Pikërisht kjo është e reja që ofron ky master: një program të specializuar që përgatit drejtues apo “qeverisës korporatash”, shumë të nevojshëm e të kërkuar në tregun shqiptar të punës, por dhe atë rajonal e ndërkombëtar.
Cilët janë grupet e ekspertëve dhe menaxherëve të cilëve u drejtohet ky Master dhe çfarë kriteresh specifikë ka?
Masteri i drejtohet një segmenti të specializuar menaxherësh e drejtuesish të niveleve të ndryshme në banka, shoqëri sigurimesh, kompani të mëdha biznesi kombëtare e ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri, ndërmarrje prodhuese e shërbimesh, agjenci të specializuara shërbimesh financiare, shit-blerje, turizmi, kabinete të shërbimit ligjor, menaxhues e drejtues shërbimi spitalor, qendra të mëdha arsimore e kulturore, strukturave të administrimit publik si ministri, bashki, komuna, qarqe etj. Fakti se janë pikërisht këto nivele që duhet të kenë njohuri të specializuara në qeverisjen e korporatave, nënkupton dhe faktin se kriteret për të ndjekur një master të tillë janë më rigorozë e seleksionues. Masteri zhvillohet në anglisht dhe pothuajse e gjithë literatura e përzgjedhur nga burimet dhe autorët më të mirë në këtë fushë është në anglisht. Leksionet dhe seminaret do të zhvillohen pothuajse tërësisht nga pedagogë të huaj, mjaft të specializuar në këtë disiplinë. Stazhet praktike dhe punimi i diplomës kërkojnë një nivel cilësor të ngjashëm me atë të universiteteve prestigjioze perëndimore.
Cili është vizioni që shohin drejtuesit e këtij programi lidhur me perspektivën që mund të kenë të zgjedhurit në këtë master?
Së pari është një “profesion” që mungon në Shqipëri, ndërkohë që realiteti i përditshëm po e kërkon çdo ditë e më tepër. Ne kemi tashmë shumë menaxherë biznesi, por nuk kemi “qeverisës korporatash”, që nënkupton një nivel më të lartë menaxhimi e administrimi. Vendimet e marra në këtë nivel janë me efekte të mëdha për korporatat, sepse kanë të bëjnë me zgjedhje e zgjidhje strategjike të tyre, kanë të bëjnë me aleanca të rëndësishme në treg, kanë në dorë fatin e buxheteve të tyre, qëndrueshmërinë financiare, vlerën e aksioneve, shkallën e penetrimit në tregje masive e strategjike, rekrutimin, shpërblimin dhe motivimin e stafeve, shfrytëzimin e gjithë hapësirave ligjore në shërbim të fitimit të kompanisë apo mbrojtjen e saj nga kontrata jo cilësore, kredi problematike, investime të pastudiuara, partneritete të kota etj. Angazhimi në këto nivele sipërmarrjeje e drejtimi është përfitimi më i madh i atyre që do të ndjekin këtë master, ndërkohë që kjo është e pandarë nga rritja cilësore profesionale e atyre që tashmë i kryejnë direkt apo indirekt këto detyra në korporatat shqiptar apo ndërkombëtare.
A mendoni se tregu shqiptar është i përgatitur për një program të tillë elitar?
Mendoj se po. Përpara se të përgatisnim programet dhe të ofronim një master të tillë, kaq elitar e të specializuar, ne bëmë shumë sondazhe, anketa e takime me aktorë të rëndësishëm të tregut të punës në Shqipëri. Konkluzioni i gjithë kësaj pune paraprake ishte se drejtuesit apo aksionerët kryesorë të korporatave, bizneseve të mëdha, bankave, shoqërive të sigurimit, studiove ligjore, agjencive të specializuara, universiteteve, qendrave shëndetësore e spitaleve, bashkive e komunave etj., shprehën një kërkesë të hapur për nevojën që ata kishin për këtë lloj specializimi. Nga ana tjetër, duke patur parasysh faktin se një master i tillë zhvillohet në partneritet me Bankën Botërore (IFC-International Financial Coorporation), e cila nëpërmjet këtij masteri sjell në Shqipëri pedagogët, vizionin dhe eksperiencën e saj pozitive në shumë vende të botës për këtë lloj profesioni, është një dëshmi më shumë se tregu shqiptar do të përfitojë ndjeshëm e cilësisht nga një program i tillë. Diploma e këtij masteri është një diplomë e përbashkët e Universitetit Europian të Tiranës dhe IFC. Partneri i tretë që garanton cilësinë dhe elitarizmin e këtij masteri është dhe Qeveria Zvicerane dhe kooperimi zviceran, të cilët e mbështetin akademikisht dhe praktikisht zhvillimin brenda standardeve nga më cilësoret të këtij masteri.
Nga përvoja në fushën akademike, cili është mendimi juaj lidhur me dëshirën e shqiptarëve për t'u shkolluar dhe edukuar në mënyrë cilësore?
Besoj se shumica e shqiptarëve janë të prirur dhe kërkojnë të kenë një shkollim sa më cilësor. Fakti se shumica e gjimnazistëve kërkojnë me çdo kusht të ndjekin studimet në universitete, fakti se numri i atyre që duan të përfundojnë studimet në nivel master apo dhe doktoraturë, duke qenë gati që, për të realizuar këtë të bëjnë sakrifica të konsiderueshme financiare dhe njerëzore në kurriz të familjes apo jetës së rehatshme, është një dëshmi e pakundërshtueshme e kësaj dëshire. Por, përtej kësaj dëshire, shoqëria shqiptare po vuan dhe dy dukuri negative: tentativat e mjaft njerëzve për të marrë fiktivisht një diplomë, tentativa që fatkeqësisht gjejnë terren apo frymëzohen nga punësimet klienteliste e abuzive; si dhe ofertat mësimore e universitare jo cilësore që ndeshen në realitetin edukues shqiptar.
Pikërisht, në “luftë” të hapur e pa kompromis ndaj këtyre tendencave, UET ofron një “produkt” të ri cilësor siç është masteri në qeverisjen e korporatave, por dhe shumë programe të tjera në nivelin bachelor, master shkencor apo profesional, dhe së shpejti besojmë edhe programe doktorale, për të cilat kemi bërë një përgatitje serioze akademike, duke i dhënë gjithë rëndësinë dhe vlerën.