E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët, deklarim online për vizitat e pacientëve

SHKRUAN: Jonida Tashi 16-03-2011 12:04

Mjekët e qendrave shëndetësore, qofshin këto ambulancat e lagjes apo poliklinikat e specialiteteve, do të deklarojnë online çdo vizitë të kryer. Kjo është një nga risitë e përfshira në kontratat që Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ka lidhur me qendrat shëndetësore, dokument që i detyron këto të fundit të hedhin në sistem formularët e vizitës dhe të procedurave mjekësore, për ato qendra që tashmë e kanë të instaluar programin. Në këtë mënyrë, ISKSH jo vetëm që do të mundet të kontrollojë më mirë punën e mjekëve, por do të marrë edhe të dhëna më të sakta përsa i përket plotësimit të indikatorëve për vlerësimin e cilësisë, nga të cilët varet edhe përcaktimi i pagës shtesë (bonusi) që mjekët e qendrave shëndetësore marrin në fund të çdo tremujori. Pagesa për aktivitet (10%) dhe bonusi (5%) do të llogariten në bazë të formularit të vizitës të plotësuar saktë nga personeli shëndetësor i qendrës shëndetësore për çdo vizitë. Në kontratën që ISKSH ka nënshkruar me qendrat shëndetësore përcaktohet se formulari i vizitës dhe formulari i procedurave duhet të plotësohen saktësisht, siç përcaktohen në Manualin për plotësimin e formularit të vizitës dhe të çdo akti të shpërndarë nga ISKSH-ja. Më konkretisht, formulari do të konsiderohet i pavlefshëm nëse nuk plotësohen të gjitha të dhënat e domosdoshme, siç përcaktohen në manual që janë: kod institucioni, nr. regjistri, kod mjeku (kur vizita kryhet nga mjeku), kod infermiere, data e vizitës, kod pacienti, i siguruar-i pasiguruar, seksi, statusi civil, vizitë shtëpi-institucion, (PVHP, vizitë e planifikuar, referim, kohëzgjatje e vizitës-kur vizita kryhet nga mjeku). Po ashtu, formulari do të konsiderohet i pavlefshëm nëse informacioni i plotësuar nuk ka sens logjik; konkretisht: nëse plotësohen më shumë se një kuadrat tek “Arsyeja kryesore e vizitës”, kur plotësohet kuadrati tek “Arsyeja kryesore e vizitës” dhe nuk plotësohen kodet e diagnozës dhe kodet e veçanta, ose kur këto kode nuk u korrespondojnë arsyes kryesore të vizitës, sipas rastit. Për më tepër, formulari i vizitës do të konsiderohet i pavlefshëm edhe nëse paraqitet me korrigjime dhe shkrimi është i palexueshëm. Për të gjitha rastet, nënkuptohet që vizita nuk do t’i llogaritet personelit të qendrës shëndetësore dhe nuk do të jepet pagesa për këtë vizitë. Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 420 qendra shëndetësore, 1900 ofrues shërbimi mjek që raportojnë në nivel kombëtar, të cilët gjenerojnë një fluks mesatar mujor rreth 460 mijë formularë dhe rreth 6500 ofrues shërbimi infermier, të cilët po ashtu raportojnë në nivel kombëtar. Sipas ISKSH-së, nëpërmjet zbatimit të Sistemit të Informacionit Shëndetësor në Kujdesin Parësor (SISH) është shtuar gama e pasqyrimit të të dhënave të aktivitetit të qendrave shëndetësore. Konkretisht, sot ISKSH është në gjendje të pasqyrojë numrin e procedurave mjekësore të kryera nga infermierët, që është një hap tjetër i rëndësishëm për monitorimin dhe vlerësimin adekuat të aktiviteteve të ofruesve dhe në rastin konkret të infermierëve të kujdesit shëndetësor parësor (KSHP). Kështu, për vitin 2010 nga infermierët që ofrojnë shërbim në kujdesin parësor janë kryer rreth 2 milionë procedura injeksione dhe 235 mijë mjekime. Gjithashtu, nga infermierët e kujdesit parësor janë kryer në total afër 5.5 milionë vizita, ku nga këta rreth 1 milion janë kryer vetëm nga infermierët pa praninë e mjekut, e ku mbi 60% të vizitës janë kryer për arsyen “tjetër”, 15% “vaksinim”, 8.7% “vizitë tjetër e gruas shtatzënë”, dhe 9.4% “edukim shëndetësor”. Programi i hedhjes dhe manaxhimit të formularit të depistimit u ndërtua mbi nevojën e hedhjes në formë elektronike të formularit të depistimit, në mbështetje të procesit të regjistrimit të saktë të popullsisë që mbulon çdo mjek. Aktualisht, janë 407 qendra shëndetësore që kanë lidhje interneti dhe hedhin vetë skedat e depistimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›