Civici: Shqipëria nuk e merr seriozisht krizën
Alfred Lela
Libri juaj më i fundit ‘Iluzionet monetare-mashtrimet e mëdha’ vjen në një kohë kur kriza financiare e lindur diku nga vitit 2007 po merr një kthesë të re në Europë, por nuk po zhduket. A ka një lidhje mes momentit financiar të botës dhe librit tuaj, apo është thjesht një përkim rastësor?
Historia e kapitalizmit si sistem ekonomiko-shoqëror është e mbushur me kriza ekonomike, financiare e monetare. Në 5 shekujt e fundit janë evidentuar rreth 45 të tilla, çka nënkupton se pothuajse në çdo dekadë kapitalizmi është përballur me një krizë, që ka prekur një vend të veçantë, një rajon apo gjithë botën. Shumica e këtyre krizave është prodhuar si pasojë e fenomenit të “iluzionit monetar”, apo imazhit të gabuar që të krijon paraja e lehtë, paraja e bollshme që “prodhohet lehtë”, por që rëndon e ndëshkon rëndë çdo lloj subjektivizmi e amatorizmi në lidhje me rolin dhe efektet e saj në ekonomi dhe shoqëri. Shkaku kryesor i shkrimit të këtij libri natyrisht që ishte momenti i veçantë financiar e monetar që kaloi bota në vitet 2007-2010, dhe natyrisht “provokimet” profesionale, akademike e intelektuale që shkaktonin pyetje të tilla si: është thjesht krizë financiare apo globale? Është thjesht krizë amerikane dhe e Wall Street-it, apo krizë e gjithë sistemit financiar e monetar ndërkombëtar? Është pasojë e gabimit njerëzor dhe etjes së shfrenuar për fitime, apo krizë e vetë sistemit kapitalist? A ka nxjerrë shkenca ekonomike mësimet e duhura sesi eliminohen kriza të tilla, dhe a kanë faj ekonomistët që nuk e paralajmëruan një krizë të tillë etj.
A nuk ju duket se krizat në kurbën e tyre nuk janë endemike, por janë thjesht pjesë e natyrës së kapitalizmit; e hapjes dhe dinamizmave të tij. Në librin tuaj nuk ka raste krizash në shoqëritë e mbyllura, të centralizuara, që e kontrollojnë ekonominë dhe financat vertikalisht. A vjen kjo për shkak se vendet e mbyllura janë të vështira për t’u studiuar, për shkak të mungesës së informacionit, apo mos krizat janë tipike për kapitalizmin?
Padyshim që krizat janë pjesë e vetë natyrës së kapitalizmit. Por kjo nuk duhet parë vetëm në aspektin negativ e zhvlerësues të sistemit kapitalist. Duke iu referuar kuptimit dhe përmbajtjes së nocionit “krizë”, ajo përmban në vetvete momentin dhe kohën e një ndryshimi të madh. Kinezët që shkruajnë me simbole, krizën e përshkruajnë si një sëmundje dhe si një ilaç. Pa hyrë në teoritë dhe interpretimet e shumta që shkencat ekonomike dhe ekonomistë të shquar u bëjnë krizave, në thelbin e tyre ato shprehin një prishje të rëndë të ekuilibrit të sistemit (sipas rastit, ekonomik, financiar, monetar, social, ose të kombinuara) dhe një domosdoshmëri për kthimin në normalitet të tij. Meqenëse në shumicën e rasteve, në ekonomitë e lira, tregjet janë të pakontrollueshme, “kriza shpërthen” dhe ajo që mbetet janë masat për eliminimin e pasojave të saj, si dhe analizat e konkluzionet për shkaqet e lindjes dhe politikat më të mira për përballimin e saj. Nuk është e vërtetë se në shoqëritë e mbyllura dhe të centralizuara nuk ka pasur kriza. Përkundrazi, ka pasur dhe madje shumë të forta, por ato janë “fshehur” në sytë e publikut ose në mjaft raste janë servirur si pasojë e ndikimit dhe luftës që sistemi dhe shtetet kapitaliste i bëjnë sistemit dhe shteteve socialiste apo komuniste. Jo vetëm përvoja e Shqipërisë, e viteve 1944-1990; por dhe ajo e ish-Bashkimit Sovjetik, Rumanisë, Polonisë, Hungarisë, Bullgarisë, Çekosllovakisë etj., në periudhën e viteve 1930-1989, e dëshmon më së miri një konkluzion të tillë. Problemi është se teoricienët e ekonomisë së planifikuar e centralizuar, duke e ideologjizuar krejtësisht teorinë ekonomike, pranonin se krizat janë vetëm “sëmundje e kapitalizmit”.
Në libër ju i kushtoni mjaft vend edhe mashtruesve të mëdhenj, ku përveç Ponzit, atij që edhe i dha emrin skemave piramidale Ponzi, gjenden edhe mashtruesit shqiptarë Velia, Sudja, Xhaferri etj. Duke gjykuar nga numri dhe përsëritja e këtyre skemave e mashtruesve, duket se shoqëria njerëzore nuk di të nxjerrë mësime nga gabimet e së shkuarës. Pse është e pamundur ikja nga ky iluzion monetar?
Tablosë së krizave i shtohet edhe një dukuri tjetër tejet negative dhe po kaq interesante: individë të ndryshëm, që duke shfrytëzuar dëshirën pa limit të njerëzve për të fituar lehtësisht para dhe për t’u bërë shumë shpejt të pasur, kanë ndërtuar me dhjetëra skema financiare mashtruese. Shumë prej tyre tashmë kanë zënë vend në analet e historisë njerëzore, nganjëherë edhe si krijesa me një inteligjencë gjeniale, megjithëse në sensin e gabuar. Personazhe si Therese Humbert, Marthe Hanau, Charles Ponzi, Ivar Kreuger, Alexandër Stavisky, Maria dos Santos, Yasuo Hamanaka, Serguei Mavrodi, Angelo Haligiannis, Wang Feng You, Lou Perlman, Giancarlo Parreti, Bernard Madoff etj., kanë hyrë tashmë në listën e “mashtruesve të mëdhenj”. Historia dhe “vepra” e tyre dëshmon gjithashtu se miopia njerëzore ndaj iluzioneve monetare vazhdon të jetë e lartë, se mjafton që dikush të ofrojë në mënyra nga më të çuditshmet fitime marramendëse, por të lehta në dukje, dhe menjëherë mijëra e miliona njerëz vrapojnë t’i besojnë atij paratë dhe shpresat e tyre. Dhe në këtë aspekt, megjithëse lista e “mashtruesve të mëdhenj” është shumë e gjatë, përsëri të krijon përshtypjen e një historie pa mbarim, e një historie që duket sikur askush nuk do ta mësojë apo të mësojë prej saj...!
Zhak Atali, presidenti themelues i BERZH-it, por edhe të tjerë, kanë hedhur idenë e krijimit të një Ministrie të Financave Europiane, e cila të merret me rregullimin e financave të Unionit. Ndërkohë është folur për krizën që ka përfshirë Greqinë e vende të tjera evropiane, si krizë politike më shumë se ekonomike. Ju ku e shihni dështimin?
Kriza greke në thelbin e saj nxori në dritë një nga problemet më të rëndësishme që kushtëzojnë vetë ekzistencën e zonës euro dhe BE. Kritikat dhe debatet për rolin e euros u përmblodhën në mënyrë shumë lakonike në shprehjen: “futja e euros si monedhë e përbashkët evropiane, pa pasur një Europë të vërtetë financiare e monetare, është njësoj si të vendosësh karrocën përpara kalit”. Europa, përveçse si entitet territorial apo strukturë e konsoliduar politike e sociale, duhet të funksionojë në mënyrë unitare edhe si Europë ekonomike e monetare. Fakti që çdo vend i veçantë, përtej kritereve të Maastrihtit, ka lirinë dhe mbi të gjitha mundësinë që t’i përcaktojë vetë politikat fiskale e buxhetore, deficitet buxhetore e nivelin e borxhit etj., bëri që jo vetëm Greqia, por dhe Irlanda, Spanja, Portugalia, Italia etj., të kenë probleme serioze të financave publike brenda tyre, por mbi të gjitha të destabilizojnë euron dhe gjithë zonën euro. Në këtë këndvështrim, Zhak Atali, por dhe kancelarja Merkel, presidenti Sarkozy etj., po kërkojnë me insistim krijimin e “Ministrisë Europiane të Financave” dhe “ministrit Europian të Financave”, ashtu siç po propozojnë sanksione të ashpra ndaj vendeve që shkelin kriteret e Paktit Europian të Stabilitetit. Ndoshta shumë shpejt, edhe buxhetet nacionale do të aprovohen në Bruksel, duke e krijuar realisht Europën financiare.
Duket se Shqipëria ka dhënë shenjat e para se po e merr seriozisht krizën dhe ngjan se po përgatitet një paketë kursimesh që ka filluar me shkurtimet në buxhet. Ndërkohë FMN ka kërkuar rritje taksash dhe mosrritje të rrogave e pensioneve, gjë që është kundërshtuar nga kryeministri Berisha. A kemi edhe këtu një “iluzion monetar”?
Shqipëria nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht krizën. Ose e ka anashkaluar atë, duke thënë se “nuk na ka prekur”, se “jemi i vetmi vend që kemi rritje ekonomike pozitive dhe nuk po ndiejmë asnjë pasojë prej krizës”; ose ka shkuar në ekstremin tjetër, duke thënë se “kriza e gjunjëzoi plotësisht vendin”, se “kriza është ulur këmbëkryq në çdo qelizë të ekonomisë dhe financave tona”. Ne nuk bëmë kurrë një bilanc real të efekteve dhe pasojave të krizës, ashtu siç nuk bëmë kurrë një plan “special” masash e politikash për reduktimin e efekteve të saj, ashtu siç bëri shumica e vendeve të botës. Veprimet e fundit për shkurtimet në buxhet apo rishikimin dhe ndryshimin e buxhetit janë më shumë një korrigjim konjukturor që ne i bëjmë zakonisht në muajin korrik buxhetit, praktikë kjo shumëvjeçare në Shqipëri. Rritja e rrogave dhe pensioneve në këto momente, më shumë se një iluzion monetar apo “karshillëk” ndaj rekomandimeve të FMN-së, duket se është një preferencë e qeverisë për të anuar më shumë nga ndjeshmëritë dhe prioritetet sociale, se sa nga politikat e investimeve apo kursimeve në këtë moment delikat ekonomik e financiar për vendin. Mendoj se është e pranueshme si politikë dhe e mirëpritur nga mjaft shtresa e kategori sociale në vend, por nuk mund të jetë strategji afatgjatë, sepse rritja ekonomike e qëndrueshme dhe kontrolli i inflacionit kërkon balancim të fortë të treguesve kryesorë makroekonomikë.
Çfarë e shpjegon këtë zhvillim ekonomik-financiar dykahesh të Europës, ku Veriu dhe Qendra rriten e bëjnë përpara, ndërsa Jugu mbetet në vend ose bën mbrapsht? A duket se ideja për një supershtet europian doli mbi pragmatizmin financiar, gjë që çoi në atë që revista The Economist e quan “Europë e dy shpejtësive”?
Tashmë po flitet jo vetëm për Europë të dy shpejtësive, por edhe për Europë të tri shpejtësive, duke nënkuptuar këtu sidomos vendet e Ballkanit Jugperëndimor, apo vende që pranohen në BE vetëm për arsye politike apo gjeopolitike. Konvergjenca e ekonomive europiane është ndoshta sfida më e madhe që vetë BE-ja ka përpara. Çdo diferencë në nivelin e zhvillimit ekonomik, në strukturën e kapitalit, në produktivitetin e punës, konkurrueshmërinë e produkteve, shkallën e inovacionit dhe kapitalin social e intelektual etj., krijon “kate” të diferencuara ndërmjet vendeve europiane. Rasti i Greqisë, Spanjës, Portugalisë etj., ishte tipik për të treguar se grekët apo spanjollët nuk punojnë më pak se gjermanët apo francezët që bëjnë pjesë në “Europën e parë”, por, megjithëse harxhojnë të njëjtat orë punë, rendimenti dhe produktiviteti i punës dhe produkteve apo shërbimeve të tyre është ndjeshëm më i ulët se ai i gjermanëve.
Profesor, pse i jemi kthyer debatit të hershëm dhe me sa duket të përhershëm, Hayek-Keynes dhe a mendoni si Martin Woolf, i cili pas krizës financiare 2007-2010 shpalli “vdekjen e ëndrrës së kapitalizmit global të tregjeve të lira”?
Debati Hayek-Keynes është vetë thelbi i një dileme shekullore mbi mënyrën më të mirë të “administrimit, apo qeverisjes së kapitalizmit dhe tregjeve të lira”: treg apo shtet? Pra, t’ia lëmë gjithçka në dorë tregut dhe të ndjekim e të veprojmë vetëm sipas “sinjaleve të tij”, apo të pranojmë dhe ndërhyrjen shtetërore për një administrim të kontrolluar të tregjeve. Mbas çdo krize të kapitalizmit, mbas çdo dështimi apo dhe suksesi të madh në sferën ekonomike, vrapohet të bëhen analiza dhe të merren meritat apo të gjendet fajtori: tregu apo shteti? Nga kjo pikëpamje, debati Hayek-Keynes nuk ka për të “mbaruar” asnjëherë, të paktën në “epokën e kapitalizmit”. Nuk mendoj në mënyrë kaq disfatiste apo katastrofike si gazetari britanik dhe njëkohësisht kryeredaktori i “Financial Times”, Martin Wolf. Duket se kapitalizmi ka akoma shumë potenciale e “rezerva” si sistem. Çështja është se shumë rregulla të sotme që menaxhojnë, kontrollojnë apo sanksionojnë tregjet globale duhet të ndryshohen duke rritur transparencën e tyre, dhe mbi të gjitha duke qenë më shumë në interes të të gjithëve dhe jo vetëm të atyre që mund t’u imponohen dhe që përfitojnë prej tyre në nivel global.