Universitetet, fituesit dalin më 11 shtator
Lista paraprake e fituesve të universiteteve do të shpallet më 11 shtator, ndërkohë që një ditë më pas do të nisë edhe regjistrimi paraprak i tyre. Për të sqaruar të gjitha rregullat se si do të kryhet kjo procedurë, që është edhe vendimtarja për të marrë statusin e studentit, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur dje udhëzimin datë 20.7.2011 “Për procedurat e pranimit dhe të regjistrimit në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2011-2012”, në të cilin detajohen hapat që duhet të hedhin fituesit e universiteteve që nga momenti i shpalljes së fituesve e deri te regjistrimi përfundimtar. Në hyrje të udhëzimit, MASH sqaron edhe njëherë se si do të bëhet përcaktimi i fituesve të universiteteve. “Pranimi i kandidatëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë, në vitin akademik 2011-2012, të bëhet sipas listave emërore të renditura nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (AKP) pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH). Kandidatët fitues të përcaktohen nga AKP në bazë të dy parimeve: Parimi i Meritës përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore (nota mesatare e të katër viteve ose pesë viteve të shkollimit dhe katër provimet e Maturës) dhe, për disa programe studimi, edhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar në bazë të udhëzimit nr.22, datë 6.7.2011, të ministrit të Arsimit, ‘Për zhvillimin e konkurseve të pranimit, tarifën e regjistrimit për konkurrim, në disa programe studimi në ciklin e parë me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë, për vitin akademik 2011-2012’; Parimi i Preferencës përcaktohet nga vullneti i kandidatëve, i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të grupit të preferencave fituese, ndër jo më shumë se 10 preferenca të përzgjedhura nga vetë ata në Formularin A2”, - përcaktohet në udhëzim. Pas përfundimit të konkurseve në të gjitha universitetet publike, rezultatet e tyre në format elektronik dhe hard copy do të dorëzohen nga këto të fundit në AKP brenda orës 14.00 të datës 5 shtator 2011. Pas kësaj, AKP brenda datës 11 shtator do të dërgojë në MASH listat paraprake të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në Formularin A2, në përputhje me kuotat e pranimeve të miratuara nga qeveria. “Listat paraprake të kandidatëve fitues shpallen në faqen zyrtare të MASH dhe u dërgohen në formë të shkruar dhe elektronike institucioneve publike të arsimit të lartë nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Provimeve, në datën 11 shtator. Këto institucione, duke filluar nga kjo datë, duhet t’i afishojnë listat në vende të dukshme në mjediset e fakulteteve përkatëse”, - thuhet më tej në udhëzim. Për organizimin dhe realizimin e procesit të pranimit dhe të regjistrimit të kandidatëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë do të ngarkohen edhe fakultetet e institucioneve publike të arsimit të lartë, ndërkohë që ky proces do të jetë edhe nën monitorimin e rektorateve dhe të MASH-it. Regjistrimi i kandidatëve për të fituar statusin e studentit të pranuar në universitetet publike do të zhvillohet në dy faza, që janë: regjistrimi paraprak dhe regjistrimi përfundimtar. Duhet theksuar se këto dy faza regjistrimi do t’i përkasin raundit të parë të pranimeve në universitete, për të cilat aplikimi do të bëhet nëpërmjet Formularit A2. Në raundin e dytë të pranimeve, që do të realizohet për vendet që do të rezultojnë të paplotësuara në universitete, pas mbylljes së regjistrimit përfundimtar, aplikimi do të bëhet me Formularin A3. Edhe për këtë raund të dytë dhe të fundit pranimesh do të ketë fazë tjetër regjistrimesh, afatet dhe modalitetet e së cilës do të bëhen të ditura më vonë nga Ministria e Arsimit.
AKP brenda datës 11 shtator do të dërgojë në MASH listat paraprake të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në Formularin A2, në përputhje me kuotat e pranimeve të miratuara nga qeveria.
Regjistrimi paraprak nis më 12 shtator, dokumentet që duhen
Kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara humbasin të drejtën e studimit
Maturantët që do të rezultojnë fitues në listën paraprake të fituesve të universiteteve, duhet t’u drejtohen fakulteteve ku janë shpallur të tillë, për të kryer procedurën e detyrueshme të regjistrimit paraprak. Sipas udhëzimit të MASH, kandidatët fitues duhet të bëjnë regjistrimin paraprak të tyre në programin e studimit ku janë shpallur fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve nga data 12 shtator deri në datën 18 shtator, nga ora 8.00 deri në orën 18.00. Për regjistrimin paraprak, kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale të mëposhtme: Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave. Për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, Dëftesë Pjekurie (në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi, ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore); Dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; Dy fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekë paguar për llogari të universitetit, në një nga bankat e nivelit të dytë. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit paraprak sekretaritë mësimore të fakulteteve mbajnë një regjistër të veçantë, në të cilin kandidatët fitues nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, duke shënuar datën dhe orën e regjistrimit. Sekretaria mësimore e pajis kandidatin që bën regjistrimin me një fletë-regjistrimi paraprak, ku shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si edhe data dhe ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi paraprak duhet të jetë i nënshkruar nga dekani dhe kryesekretarja mësimore e fakultetit dhe i vulosur. Dy ditë pas mbylljes së këtij procesi, institucionet publike të arsimit të lartë deri në orën 14.00 të datës 20 shtator 2011, duhet të dorëzojnë në MASH dhe në AKP listën origjinale të përgatitur nga AKP, me regjistrimet paraprake të kryera në formë të shkruar dhe elektronike, në dy kopje, sipas udhëzimit të përgatitur nga AKP. Në udhëzimin për regjistrimet, theksohet se kandidatët të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktuara, për çfarëdolloj arsye, humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve. Në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, AKP, në datën 23 shtator 2011, do të shpallë listën përfundimtare të kandidatëve fitues, duke ruajtur parimin Meritë-Preferencë, që do të publikohet edhe në faqen e MASH. Listat përfundimtare të kandidatëve fitues, në formë të shkruar dhe elektronike, do t’u dorëzohen universiteteve, sipas programeve përkatëse të studimit, në datën 24 shtator nga AKP. Universitetet duhet t’i afishojnë listat brenda datës 25 shtator.
Afatet e shpalljes së fituesve
11 shtator shpallet lista paraprake e fituesve
12 shtator-18 shtator nis regjistrimi paraprak
20 shtator dorëzohen në MASH listat e regjistrimeve
23 shtator del lista e fituesve përfundimtarë
24 shtator listat do t’u dorëzohen universiteteve
25 shtator universitetet duhet t’i afishojnë listat
26 shtator-30 shtator çregjistrimet e fituesve
30 shtator dorëzohen listat e regjistrimit përfundimtar
Dokumentet e regjistrimit
Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave.
Për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, Dëftesë Pjekurie (në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi, ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore).
Dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit.
Dy fotografi.
Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekë, paguar për llogari të universitetit në një nga bankat e nivelit të dytë.
Pse regjistrimet bëhen me dy faza
Shumë maturantë të regjistruar në universitetet publike, të shpallur fitues gjatë fazës paraprake, vendosin të konkurrojnë për studime jashtë vendit dhe largohen. Kandidatë të tjerë të regjistruar po në universitetet publike të vendit vendosin të ndjekin studime në universitete private. Kandidatë të tjerë nuk dëshirojnë më të vazhdojnë studimet e larta. Të gjithë këta kandidatë lënë kuota vakante (vende bosh) që plotësohen nga kandidatë të tjerë. Pikërisht për të marrë këtë informacion dhe për të evituar bllokimin e kuotave kërkohet regjistrimi paraprak. Pas marrjes së këtij informacioni hiqen nga lista të gjithë kandidatët që nuk do të figurojnë të regjistruar paraprakisht brenda afatit kohor të përcaktuar.
Çfarë ndodh në regjistrimin përfundimtar
Vitin e kaluar lista e kandidatëve fitues të regjistrimit përfundimtar tregoi se të gjithë kandidatët që kishin fituar në preferencën e tyre të parë, mbeten po aty fitues. Pra, sipas parimit Meritë-Preferencë, asnjë kandidat nuk zbret në preferencë. Po ashtu, shumica e fituesve në preferenca të tjera, mbetën fitues në po ato preferenca ku ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak, ndërsa një pjesë e fituesve, në sajë të vendeve bosh nga mosregjistrimi në fazën e parë, u ngjitën në preferencë. Për shembull, nëse në regjistrimin paraprak ishin shpallur fitues në degën e shtatë, u ngjitën në preferencën e gjashtë apo të pestë. Madje, një vit më parë pati nga ata kandidatë që nuk ishin shpallur fitues në regjistrimin paraprak dhe u shpallën fitues në regjistrimin përfundimtar, falë vendeve bosh të lëna nga regjistrimi paraprak.
Pranimet me dy raunde, Formulari A3 për vendet bosh
Pranimet në universitetet publike të vendit edhe këtë vit do të bëhen me dy raunde, brenda të cilëve do të ketë disa faza regjistrimesh. Ministria e Arsimit ka rikthyer Formularin A3, për pranimet e reja të studentëve në universitetet publike të vendit. Megjithëse më parë MASH bëri të ditur se pranimet në universitete do të realizoheshin vetëm me një raund, pra nëpërmjet Formularit A2, dhe se kuotat që do të mbeteshin të parealizuara nuk do të rishpërndaheshin, për rrjedhojë vendet që do të mbeteshin bosh do të “digjeshin”, në vendimin përfundimtar të këtij dikasteri për kuotat dhe tarifat e studimit për vitin e ri akademik thuhet se “Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë bëhet nëpërmjet parimit Meritë-Preferencë dhe në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3). Shpërndarja e maturantëve kandidatë në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë publik, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (Merita), si dhe përzgjedhjes së programeve të studimit (Preferenca), të bërë nga vetë kandidati/ja”. Raundi i parë (aplikimi me Formularin A2) do të zhvillohet në dy faza: faza paraprake dhe ajo përfundimtare. Kuotat, që do të mbeten të parealizuara do të rishpërndahen nga Ministria e Arsimit, në bazë të propozimeve të universiteteve, duke respektuar parimin e “Meritës”. Kjo do të thotë se në raundin e dytë të pranimeve në universitete kandidatët do të konkurrojnë për të fituar universitetin vetëm për vendet e mbetura bosh që do të shpallen nga Ministria e Arsimit. “Shpërndarja e kuotave realizohet nëpërmjet plotësimit të formularit të ri të aplikimit A3 (raundi i dytë), sipas preferencave të kandidatëve. Kanë të drejtë të plotësojnë Formularin A3 të gjithë kandidatët të cilët kanë aplikuar me Formularin A2 dhe nuk figurojnë të regjistruar në asnjë program studimi edhe pas mbylljes së fazës përfundimtare të regjistrimeve”, - përcaktohet në vendim. Në Formularin A3 do të renditen të gjitha degët e universiteteve që kanë ende vende të lira dhe përkrah secilës prej tyre do të shënohen dhe kuotat përkatëse. Ndërkohë që edhe në Formularin A3 maturantët do të kenë mundësi të përzgjedhin përsëri 10 preferenca të ndryshme studimi.
Regjistrimi përfundimtar
Kush ngjitet në preferencë duhet të çregjistrohet
Për këtë fazë, regjistrimet e kandidatëve të rinj dhe çregjistrimet e atyre që kanë ndryshuar vende në listat e fituesve do të kryhen nga data 26-30 shtator
Regjistrimi i studentëve të rinj që do të ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve nuk mbyllet me regjistrimin paraprak, me përjashtim të atyre që edhe në listat përfundimtare të fituesve u ka dalë e drejta e studimit në të njëjtën degë. Kështu, kandidatët, të cilët në listat përfundimtare të fituesve janë shpallur fitues në një program studimi të një preference të tyre më të lartë se ai i regjistrimit të ndërmjetëm, do të çregjistrohen nga vetë sekretaritë mësimore nga programi i studimit ku ishin regjistruar më parë. Ndaj këta kandidatë duhet të tërheqin dosjen individuale me dokumentet përkatëse nga sekretaritë mësimore ku janë çregjistruar dhe të regjistrohen në programin e studimit, në të cilën janë shpallur fitues me listat përfundimtare. Sipas afateve të vendosura nga MASH, sekretaritë mësimore të fakulteteve në datat 26-30 shtator, prej orës 8.00 deri në orën 18.00, do të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve të përcaktuar më sipër si dhe do të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve të shpallura nga AKP dhe të dërguara nëpërmjet MASH-it. Ndërkaq, edhe për këtë fazë, veprimet e çregjistrimit paraprak dhe ato të regjistrimit përfundimtar të kandidatëve të rinj do të dokumentohen në një regjistër të veçantë. Në kryerjen e procedurës së regjistrimit përfundimtar në sekretaritë mësimore të fakulteteve, kandidatët fitues që janë ngjitur një preferencë më lart kundrejt regjistrimit të ndërmjetëm, nënshkruajnë në momentin e regjistrimit për dorëzimin e dokumenteve, në regjistrin e veçantë. Sekretaria mësimore duhet ta pajisë kandidatin që bën regjistrimin me fletë-regjistrimin, ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit, si dhe data e ora e regjistrimit. Fletë-regjistrimi duhet të jetë i nënshkruar nga dekani dhe nga kryesekretarja mësimore e fakultetit, si dhe të jetë i vulosur. Kandidatët, të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk është e nevojshme të regjistrohen. Ndërsa për kandidatët që e kanë kryer regjistrimin paraprak, tarifa e regjistrimit prej 1550 lekësh e arkëtuar për regjistrimin fillestar në universitetin X, do të kalojë me xhirim nga llogaria e degës së Thesarit ku universiteti X ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e Thesarit të universitetit Y, në të cilin është realizuar regjistrimi përfundimtar i studentit dhe i shoqëruar me listën e studentëve. Me mbylljen e regjistrimit përfundimtar, universitetet do të dorëzojnë në AKP listat përfundimtare origjinale të përgatitura nga AKP, me regjistrimet e kryera për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të plotë, të plotësuara sipas udhëzimit të AKP për regjistrimin përfundimtar, në formë të shkruar dhe elektronike dhe në dy kopje deri në datën 30 shtator 2011. Pas kësaj date, universitetet do të raportojnë në Ministrinë e Arsimit vendet e mbetura bosh nga faza e regjistrimit përfundimtar dhe kërkesat për rishpërndarjen e tyre. Me marrjen e këtyre të dhënave, MASH do të bëjë publikimin e vendeve të paplotësuara në universitete, për të cilat maturantët jofitues do të aplikojnë nëpërmjet Formularit A3.