Clamy-Rey Njohja e Kosoves veprim i matur
Znj. Micheline Clamy-Rey ka rikonfirmuar rolin dhe arsyet e njohjes së pavarësisë së Kosovës që, sipas saj, “Zvicra nuk është as e para e as e fundit që ka njohur shtetin më të ri në Europë, atë të Kosovës”. Sipas shefes së diplomacisë zvicerane, Berna është një nga kancelaritë që ka folur ndër të parat për pavarësinë e Kosovës. Calmy-Rey theksoi se “Austria ishte para nesh, nëse kjo ju qetëson. Prandaj, ka qenë qeveria që ka bërë njohjen diplomatike të Kosovës dhe jo unë. Dhe Zvicra ka qenë shteti i 30 ose 31 që ka njohur Kosovën. Ne nuk kemi vepruar me ngut mirëpo, sigurisht, ne ishim të parët që atëkohë në OKB patëm deklaruar se duhet të flitet për pavarësinë e Kosovës. Bëhej fjalë për stabilizimin e regjionit”. Në prononcimet e shefes së diplomacisë së Zvicrës, njëherësh presidente e ardhshme e këtij vendi, znj. Micheline Calmy-Rey në mediat zvicerane, ka mbrojtur njohjen e shtetit të Kosovës. Duke folur në kuadrin e polemikave që kanë të bëjnë me Hashim Thaçin pas raportit të përgatitur nga senatori që është nga rajoni i Tiçinos, Dick Marty, për llogari të Këshillit të Europës, lidhur me trafikun e dyshuar të organeve të nxjerra nga të burgosurit serbë, këshilltarja federale ka kujtuar pastaj se deklarata e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj më 2008-n nuk vareshin nga personi i Kryeministrit kosovar.