E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi nuk reagon nje person mund te kete sa pasaporta te doje

Dokumenti Një grua nga Fieri është bërë me dy pasaporta biometrike për shkak të gabimit në aplikim

Sistemi i pasaportave biometrike lejon prodhimin e disa pasaportave për të njëjtin person. Fakti që vë në dyshim sigurinë e dokumentit që u dha shqiptarëve lëvizjen e lirë në Europë, është zbuluar pas një gabimi që kanë bërë operatorët e ‘Aleat’ në Fier dhe që nuk është sinjalizuar nga sistemi, por ka shkuar deri në prodhim. Tefik Koçiaj, 82 vjeç nga Fieri, tregon për gazetën “Shqip” se papërgjegjshmëria e operatorëve të zyrës se “Aleat” në Fier, i ka shkaktuar probleme familjes së tij. Sipas Koçiajt, në datën 19 nëntor, pasi ka blerë kuponët për pasaportat biometrike, së bashku me gruan, djalin, nusen e djalit dhe mbesën kanë shkuar në zyrat e aplikimit. I moshuari tregon se në vend të aplikimit të bashkëshortes së tij, Sadetes, operatorët e Fierit kanë kryer dy herë procedurat e aplikimit për nusen e djalit, Lefterinë. Ky gabim, i cili është ende i pandreqshëm, faktohet edhe me kuponët e aplikimit që ofrojnë operatorët menjëherë pas përfundimit të procedurës. “Thonë që ka siguri të lartë dhe elementë të lartë sigurie, por po gabojnë, pasi me një defekt të tillë duhet të kishte dhënë sinjal sistemi i Lulëzim Bashës. Është një alarm të cilit do t’i dalë krisma më vonë”, - thotë i moshuari. Në të dy kuponët shkruhet emri i Lefteri Koçiajt dhe nuk figuron fare Sadete Koçiaj. Kur ka shkuar për të tërhequr pasaportat, i moshuari ka hasur me pengesën, pasi bashkëshortja e tij nuk ka pasur pasaportë, ndërkohë që nusja e djalit ka pasur dy të tilla. Kjo ka indinjuar 82-vjeçarin, i cili ka shpresuar në zgjidhjen e problemit nga ana e operatorëve të Fierit, por nuk e ka gjetur akoma zgjidhjen. Ditën e martë familja Koçiaj ka protestuar pranë zyrave të aplikimit në Fier ku ka nisur problemi. Të pesë pjesëtarët e familjes thonë se do të arrijnë deri në grevë urie nëse problemi i tyre nuk zgjidhet. “I bënë kuponat nga 60 mijë lekë, i blemë. Mbajtëm radhë. Pritëm 33 ditë plot, dhe tashmë na duhet të riparojmë edhe defektet e tyre. Mua më duhet pasaporta e gruas”, - thotë i indinjuar i moshuari. Ndërkohë, e moshuara ka humbur ndjenjat në mjediset e zyrës së aplikimit në Fier, ku ka mbërritur brenda pak minutash ambulanca e urgjencës së spitalit. Çifti i të moshuarve tregon se në datën 27 dhjetor ata kishin planifikuar të udhëtonin drejt Greqisë, pasi u operohet për herë të tretë vajza. Nga ana tjetër, tek zyrat e aplikimit të Fierit për këtë problem askush nuk jep përgjigje. Operatorët thonë se  një problem i tillë nuk mund të zgjidhet as në Tiranë, ku janë zyrat qendrore të kompanisë “Aleat”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›