E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clark: Zgjedhja e Obamës, shërbim më i mirë për Ballkanin

 

Në një intervistë për emisionin “Shqip”, të përgatitur nga Rudina Xhunga, gjenerali amerikan, Wesley Clark ka treguar mbështetjen për Barak Obamën dhe ka siguruar shqiptarët, se cilido president nga cilado parti të jetë në krye të vendit, do të mbështesë fuqishëm vendin tonë dhe Kosovën. Ai ka shtuar se zgjedhja e Barak Obamës do t’i japë një shërbim më të mirë vendeve të Ballkanit.
Gjenerali Clark, ju jeni simboli i luftës që solli pavarësinë e Kosovës. E dini, besoj, që shqiptarët ju vlerësojnë shumë?
Faleminderit shumë për këtë. Zemra ime është pranë popullit shqiptar. Ka qenë një periudhë e gjatë dhe e vështirë për popullin në Kosovë, por besoj se jemi në rrugën e duhur tani. Kur gjërat të shkojnë më mirë, mendoj se është e rëndësishme që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s. Për momentin është e rëndësishme që kemi pavarësinë e Kosovës, dhe që integrimi i ekonomisë të vazhdojë rrugën drejt perëndimit. Ndjehemi shumë krenarë me njerëzit e Kosovës dhe të Shqipërisë.
A i ndiqni zhvillimet në shtetin e ri kosovar?
Mendoj se pavarësia e Kosovës është një hap esencial për të ecur përpara, jam i gëzuar që më shumë shtete po e njohin Kosovën dhe ata po shtohen me kalimin e muajve dhe mendoj se me kalimin e kohës, Kosova do të jetë një pjesë e shëndetshme e Evropës.
Po Shqipëria? A keni lajme të mira nga Shqipëria?
Shqipëria është një vend shumë i pasur në njerëz dhe burime dhe unë jam i përfshirë në disa projekte në ekonominë e Shqipërisë. Ju keni naftë, gaz natyror, keni një peizazh të bukur, keni energji hidrike dhe pozicion strategjik shumë të mirë. Keni një popull të industrializuar dhe mendoj se Shqipëria ka një të ardhme të mrekullueshme përpara.
Le të flasim për zgjedhjet në Amerikë. Tani jeni përballë shqiptarëve, edhe shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Çfarë do i sugjeronit atyre, cili është zgjedhja më e mirë?
Unë po mbështes Barak Obamën si President i SHBA, por mendoj se kushdo që të zgjidhet president, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë një mik i fuqishëm i shqiptarëve. Nuk duhet të shqetësohemi se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm i SHBA-së. Kushdo qoftë, ai do të trajtojë sigurinë e Evropës si një çështje shumë të rëndësishme dhe ju jeni në zemër të konsideratave që kanë të bëjnë me sigurinë.
Por shqiptarët janë dyshues, ata mund të mëdyshen para kutisë së votimit, duke kujtuar deklaratat e Obamës për vuajtjet e popullit serb dhe mbështetjen që ai ka nga lobi serb në Ilinois.
Nuk mendoj se ka diçka për t’u shqetësuar në këtë mes. Obama president do të jetë një mik shumë i fuqishëm dhe i mirë për shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë. Kështu që nuk mendoj se ka vend për dyshime. Obama president do të jetë shumë krenar për luftën që u bë në vitet ‘99 dhe në vitet e fundit që sollën pavarësinë e Kosovës. Jam i sigurt që ai e mbështet fuqimisht këtë.
Në anën tjetër është Mekein i së njëjtës parti me Bush, që shihet si njeriu që njohu pavarësinë e Kosovës.
E di që është e vërtetë por mund t’ju them se të dy partitë dhe udhëheqësit e dy partive kanë punuar shumë për pavarësinë e Kosovës. Prandaj nuk mendoj se populli i Shqipërisë duhet të shqetësohet për njërën parti apo tjetrën. Të dy partitë do të jenë fuqimisht në favor të pavarësisë së Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar. Duhet të ndiheni të qetë dhe të lumtur që kushdo të jetë presidenti i ardhshëm amerikan, interesi juaj do të respektohet shumë dhe mbështetja juaj do të vlerësohet po kaq shumë.
Si mendoni se do ta impaktojë Ballkanin zgjedhja e njërit kandidat apo tjetrit?
Nga pikëpamja ime, mendoj se vendet e Ballkanit do të shërbehen më mirë nga zgjedhja e Barak Obamës sepse mendoj që ai është lideri më i aftë për të përdorur diplomacinë në Evropë dhe Lindjen e Mesme, për të reduktuar mundësitë e konflikteve, për të përmirësuar mirëkuptimin mes njerëzve dhe mirëpërdorur forcën, diplomacinë dhe marrëdhëniet ekonomike në të gjithë botën.
Çfarë mendoni se do të ndikojë më shumë në votën amerikane, politika e jashtme apo ekonomia vendase?
Është një pyetje shumë e mirë. Ekonomia është çështje qendrore për Amerikën. Edhe presidenti Ajzenhauer dikur ka thënë se forca më e madhe e Amerikës nuk është ushtria por ekonomia e saj dhe këto kohë ekonomia ka qenë dhe është e lëkundur. Ne kemi filluar me atë proces dhe mendoj se jemi larg linjës së finishit. Bankat që janë ndihmuar deri tani duhet të ndihmojnë bizneset e vogla amerikane dhe konsumatorët duhet të fillojnë të marrin hua dhe njerëzit të kenë besim përsëri tek ekonomia kështu që mund të konsumojnë, investojnë dhe kursejnë. Por ne nuk jemi ende afër kësaj. Arsyeja pse unë bëj fushatë për Barak Obamën është sepse mendoj se është personi më i mirë, më i aftë për t’u dhënë zgjidhjen e duhur këtyre çështjeve. Unë e njoh Xhon Mekein dhe e respektoj atë. Mendoj se pavarësisht nëse është Obama apo Mekein, nëse amerikanët janë të shqetësuar për ekonominë apo sigurinë, populli shqiptar duhet të jetë shumë i qetë me cilindo rezultat. Është procesi që ka vlerë. Çdo katër vjet ne ligjërojmë lidershipin tonë në Amerikë dhe kjo është një periudhë shumë e rëndësishme që Amerika të jetë e bashkuar. Prandaj mendoj të shihni procesin dhe të jeni me ne dhe të festoni rezultatin pavarësisht se kush fiton.
Dhe në fund, diçka për kandidimin tuaj për president të SHBA, ju ishit pretendent në 2004, por edhe këtë vit shiheshit si kandidat i mundshëm i demokratëve. A mund të na tregoni, çfarë përvoje është kandidimi, sa energji, financa, kohë kërkon?
Kam kaluar një kohë shumë të bukur kur kandidova për këtë detyrë në 2003 dhe 2004. Ne mblodhëm qindra mijëra njerëz në internet dhe ngritëm një fond mbi 20 milionë dollarë, fitova në shtetin e Oklahoma-s gjatë zgjedhjeve paraprake demokratike, dola i dyti në tre shtete të tjera. Së fundi nuk isha kandidati por kjo ishte një eksperiencë e shkëlqyer dhe mënyrë shumë e mirë për të kuptuar Amerikën dhe për të mësuar sistemin politik amerikan. Kështu që e konsideroj veten vërtet me shumë fat që mu dha kjo mundësi.
Do të donit ta provonit përsëri?
Nuk e di, nuk e di, ndoshta në të ardhmen. Por tani jam i lumtur që jam në këtë proces, po bëj pak fushatë për Barak Obamën, po ofroj disa opinione politike grupeve të ndryshme. Jam i lumtur që jam amerikan. Jam i lumtur për popujt e Ballkanit, i lumtur që rajoni, tani është në paqe dhe që Kosova është e pavarur. Jam i lumtur që kam miq në Shqipëri dhe jam i mirëpritur prej tyre. Ju falënderoj për mbështetjen tuaj dhe pyetjet tuaja.

Marrë nga “Shqip” në Top Channel

John Withers: Cilido kandidat të fitojë, kemi zgjedhje historike

Në një intervistë për emisionin “Shqip”, të Rudina Xhungës në “Top Channel”, ambasadori amerikan në vend, John Withers, u shpreh për herë të parë mbi zgjedhjet amerikane. Ambasadori rrëfeu se tashmë e ka hedhur votën e tij, pasi është shtetas i Merilandit, një prej shteteve që e lejon votimin paraprak në SHBA. Por nuk u bë e mundur të mësohej, se cili ka qenë kandidati i preferuar i ambasadorit amerikan. Zoti Withers i vlerësoi si historike këto zgjedhje dhe tha, se cilido kandidat që do të fitojë do të sjellë erën e ndryshimit, pasi në zgjedhje u tregua se edhe një pjesëtar minoriteti mund të bëhet president i SHBA dhe edhe një grua mund të bëhet zv/presidente. “Pavarësisht se si shkon gara, shoqëria amerikane i ka fituar këto zgjedhje”, tha Withers. Për shqiptarët e Amerikës, Withers u shpreh se do të ishte gabim nëse nuk do ta hidhnin votën e tyre, pasi është i vetmi moment, ku ndjen fuqinë se “ti je një qytetar që zgjedh një president”. Withers i siguroi shqiptarët, se kushdo që të fitojë zgjedhjet e katër nëntorit do të vazhdojë të mbështesë popullin shqiptar, pasi miqësia mes vendeve tona tashmë është e solidarizuar. Withers shprehu optimizmin, se zgjedhjet në SHBA do të jenë të suksesshme dhe të mirorganizuara.

        

OKB, të premten për rikonfigurimin e UNMIK-ut

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të premten për rikonfigurmin e UNMIK-ut dhe misionin evropian EULEX. Sipas gazetës serbe “Veçernje novosti”, e cila mbështetet në burime diplomatike, përveç raportit të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun për zbatimin e Rezolutës 1244, temë e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit do të jetë edhe misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX për të cilin serbët vazhdojnë të ngrenë shumë pika dyshimi. Qeveria në Serbi ka vendosur disa kushte për pranimin e EULEX-it, ndër të cilat është mosnjohja e statusit të Kosovës dhe zbarkimi pa emrin e planit Ahtisari. Ndërsa serbët e Kosovës, të nxitur nga nacionalistët, vazhdojnë ta quajnë ilegal këtë mision dhe kanë nënshkruar një peticion ku kërkojnë që ai të mos shkelë në zonat e banuara me serbë, në veri të Kosovës. Gazeta pohon se nuk pritet që në mbledhjen e së premtes të merret vendimi përfundimtar për shtrirjen e EULEX it në Kosovë. “Ditëve në vijim do të vazhdojnë bisedat intensive mes Brukselit, Nju Jorkut, Beogradit dhe Prishtinës për reformën e pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Shumëçka lidhur me këtë çështje nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit varet pikërisht nga këto negociata”, citohet në gazetë.

Beogradi kthen përsëri ambasadorin në Pragë

Beogradi ka vendosur të rikthejë në Pragë ambasadorin e vet, pas tërheqjes së detyrueshme që bëri nga Çekia ndërkohë që vendi njohu pavarësinë e Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të presidentit serb, Boris Tadiç me atë çek, Vaclav Klaus. Gjatë takimit të tyre në Beograd dy krerët e shteteve kanë konstatuar se çështja e vetme që i ngarkon marrëdhëniet e mira tradicionale mes dy vendeve është fakti se qeveria çeke e ka njohur pavarësinë e Kosovës, por të dy kanë theksuar se kjo nuk mund të jetë pengesë për vazhdimin e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Tadiç ka thënë se për Serbinë “shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës është e dhembshme”. “Ne jemi thjesht të lënduar me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, tha Tadiç, me të cilin është solidarizuar presidenti çek Klaus, i cili ka thënë se e kupton dhe e justifikon lëndimin e popullit serb. Megjithatë Tadiç bëri të ditur se Beogradi ka marrë vendimin për kthimin e ambasadorit të vet në Pragë, të cilin e kishte tërhequr pasi Çekia e njohur Kosovën. Presidenti çek, Vaclav Klaus e ka kundërshtuar vendimin e qeverisë çeke për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Rruga e presidentit amerikan, nga vota e thjeshtë në Kongres

Amerikanët sot do të drejtohen në orën 7:00 të mëngjesit në secilin shtet dhe Distriktin e Kolumbisë për të hedhur votën e tyre për presidentin e ri dhe zëvendësin e tij. Regjistri federal përgatit letrat dhe materialet e instruksioneve për Arkivistin për t’ia dërguar Guvernatorëve të 50 Shteteve dhe Kryebashkiakut të Distriktit të Kolumbisë. Materialet përfshijnë pamflete mbi ligjin Federal të zgjedhjeve instruksione të detajuara mbi mënyrën se si do ta përgatisin kredencialet e votuesve (Certifikatat e Vërtetësisë) dhe votuesit elektoral shkojnë në votim (me Certifikatën e Votës). Më katër nëntor, votuesit shkojnë për të votuar në secilin shtet dhe Rajonin e Kolumbisë për presidentin dhe zëvendës presidentin. Ata hedhin votën e tyre duke përzgjedhur një çift kandidatësh të listuar në një biletë të vetme President/zv-president. Pasi kanë bërë këtë, ata zgjedhin të propozuarit e tyre për Elektorët që do t’i shërbejnë Kolegjit Elektoral (me 538 përfaqësues). 48 nga 50 shtetet dhe Distriktin e Kolumbisë janë me sistemin “fituesi i merr të gjitha”. Nga mesi i nëntorit deri në mes të dhjetorit, kryhet Transmetimi i Certifikatave të Vërtetësisë në NARA. Vërtetimet listojnë emrat e elektorëve të caktuar dhe numrin e votave për çdo person. Shtetet përgatisin shtatë origjinale të vërtetuara nga nënshkrimi i Guvernatorëve dhe vula e shtetit. Një origjinal dhe dy kopje të certifikuara dërgohen në regjistrin Federal (gjashtë të tjerat i atakohen votave elektorale në takimet Shtetërore). Më 9 dhjetor shtetet duhet të bëjnë përcaktimet finale dhe të sheshojnë debatet për caktimin e elektorëve të paktën 6 ditë para takimit të 15 dhjetorit, kur mblidhen të gjithë elektorët dhe paraqiten në Kongres. Elektorët regjistrojnë votat e tyre në gjashtë “Certifikatat e Votës”. firma, vula e tyre dhe nga një set votash dërgohen menjëherë te Presidenti i Senatit dhe dy sete tek Arkivisti. Regjistri federal ruan një set arkival. Presidenti i Senatit dhe Arkivisti duhet t’i kenë në dorë votat e elektoratit deri më 24 dhjetor 2008. Ndërsa mblidhet Kongresi i Ri, Arkivisti dërgon kopje të Certifikatave të Vërtetësisë në Kongres. Kongresi mblidhet në një sesion të përbashkët për të numëruar votat elektorale. President dhe zëvendësi duhet të arrijnë një maksimum prej 270 votash nga votat e Kolegjit elektoral. Në mungesë të arritjes së votave nga secili kandidat, Dhoma përfaqësuese zgjedh Presidentin dhe Senati zëvendëspresidentin.
Më 20 janar 2009 në mesditë, kryhet emërimi i Presidentit të ri amerikan.

Obama: Ndryshimi varet nga ju!

Demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon Mekein i kanë vazhduar fushatat e tyre në shtetet që vlerësohen si kyçe edhe gjatë ditës së djeshme, që ishte e fundit e fushatës. Në Shtetet e Bashkuara nuk ka heshtje parazgjedhore deri në fillim të votimit. Obama ka vizituar dje tre shtete ku ka bërë apelet e fundit për votuesit. Ai ka bërë fushatë ditën e fundit në Florida, Karolinën e Veriut dhe Virxhinian. Ditën e fundit të fushatës së tij 21-mujore për presidencën amerikane, Obama tha para mbështetësve të tij në Jacksonville, Florida se e ardhmja e garës presidenciale më të gjatë dhe më të kushtueshme në historinë e Amerikës varej prej tyre. “Kjo është mënyra me të cilën ne do ta ndryshojmë vendin, me ndihmën tuaj”, tha ai para turmës që brohoriste “O-bam-a, O-bam-a”. “Nuk mund të ulim ritmin as një minutë, as një sekondë gjatë 24 orëve të fundit. Jo tani. Jo kur në lojë vihet kaq shumë”.

Mekein: Ne do të fitojmë!

Kandidati republikan, Xhon Mekein ka organizuar fushatë në shtatë shtete gjatë ditës së djeshme, deri të martën në mëngjes, në përpjekje për të bindur votuesit e pavendosur se ai, dhe jo rivali i tij, ishte më i kualifikuar për drejtimin e SHBA-së. Ai shkoi në Florida, Tenesi, Pensilvania, Indiana, Nju Meksiko dhe Nevada. “Me këtë lloj entuziazmi, këtë lloj intensiteti ne do të fitojmë në Florida”, tha Mekein para një turme relativisht modeste në Florida, me rreth 1 300 njerëz. Mekein tha se ai e kritikon politikën ekonomike të presidentit Bush. Por theksoi se Obama do të ngrejë taksat, ndërsa ai jo. “Miqtë e mi është zyrtare. Ka mbetur vetëm një ditë për ta çuar Amerikën në një drejtim të ri”, tha kandidati republikan. “Ne do të fitojmë”, theksoi ai.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›