E Diel, 1 Nëntor 2026

Folku shqiptar, nga “Gjerdani i artë”në vitet ‘70, te “Çelësi i artë” në 2007

 

Thanas Meksi, etnolog

Në harkun e 40 viteve Folk-u shqiptar ka përjetuar dy kulme spektakolare në konkurrimin ndërkombëtar. Është  nderuar për herë të parë me “Gjerdanin e Artë” në vitin 1970 në Dizhon të Francës në Festivalin Botëror dhe ka marrë “Çelësin e Artë” në vitin 2007 gjatë konkurrimit të 115 asambleve popullore të zhvilluar në Moskë të Rusisë. Në zhvillimet aktuale kur shumë gjëra vazhdojnë të ridimensionohen në kohezion me kohën dhe vlerat e vërteta, një lajm i tillë i vendosur disi në periferinë e njoftimeve të përditshme, nuk ka kaluar pa lënë gjurmë te njerëzit e këngës dhe valleve popullore, të cilët vijojnë të mbeten të angazhuar për artikulimin dhe përshtatjen e tyre me rrjedhën e kohës. Gjithsesi, rrugëtimi i folkut shqiptar në piedestalet e atij botëror, njihet pak, ngaqë me promovimin e tij ende nuk ka angazhime serioze dhe mjaft herë kjo u besohet njerëzve diletantë, që nuk kanë lidhje me të. Ndodhi që në kapërcellin e sistemit komunist zhvillimet e folkut u ballafaquan me vështirësi e të papritura të shumta, por falë pasionit të artistëve popullorë, tradita jo vetëm nuk u ndërpre, por njohu cilësi të reja. Ata që menduan, se folku duke kaluar nga shteti te shoqatat do të zbehej, gabuan. Ai vazhdoi të zhvillohet më mirë se më parë, me i lirë në krijimtari, më frymëzues në interpretim dhe më ekzigjent në demonstrim. Shteti ndërkaq nuk hoqi dorë nga organizimi i folkut, por kalimi i tij në shoqata e fondacione thithi folkloristë pasionantë, që më mirë dhe më shpesh filluan të ballafaqohen me kolegët e tyre nga mbarë bota. Folku shqiptar me virtuozitetin e tij, me mjeshtërinë e lartë dhe me paraqitjen dinjitoze të veshjeve popullore, është bërë i suksesshëm dhe i kërkuar në çdo anë të globit. Aktualisht nuk debutojnë në festivalet ndërkombëtare vetëm ansamblet shtetërore siç bëhej dikur, por mbarë shoqatat kulturore me tërësinë e artistëve, që kanë siguruar në repertorin e tyre. Për t’u kthyer te suksesi i folkut në vite, le të sjellim në vëmendjen e lexuesit retrospektivën e dy kulmeve në rrugëtimin e tij në skenat e botës...

“Gjerdani i artë” në Dizhon të Francës
Ka qenë viti 1970 kur Ansambli shqiptar u nderua me “Gjerdanin e artë” në Festivalin Botëror të Folkut në Dizhon të Francës. Jehona ishte e madhe. Shumë gazeta prestigjioze të kohës si “Le Monde” e të tjera vlerësuan me konsiderata të mira Ansamblin tonë. Ai i udhëhequr nga koreografi Panajot Kanaçi “Artist i Popullit”, me udhëheqës artistik Mjeshtrin Tish Daija prezantohej në Dizhon pas disa shfaqjeve të suksesshme në Evropë e Azi. Artistët shqiptarë vinin në Francë pas mjaft koncerteve në Rumani, Algjeri, Kinë, Kore e Gjermani, ku ishin duartrokitur zjarrtë dhe kishin tërhequr vëmendjen e artdashësve të shumtë.
Ftesa për në Dizhon kishte ardhur nga një studiuese franceze, e  cila ishte ftuar për të ndjekur veprimtaritë e festës së çlirimit në Tiranë. Duke parë ritmin e këngëve dhe valleve në ditët e ceremonisë festive, ajo mbeti e mahnitur dhe me të mbërritur në Paris këmbënguli për të ftuar artistët shqiptarë në skenat franceze. Ishte privilegj në atë kohë të shkoje të jepje shfaqje në Francë, në “zemrën” e kulturës botërore. Deri në atë kohë aty nuk kishte mbërritur asnjë trupë artistike nga Shqipëria. Njohjet për Shqipërinë dhe shqiptarët në Francë ishin sporadike e të pakta. Gjithsesi ftesa nuk vonoi dhe Ansambli ynë u bë pjesë e konkurrimit ndërkombëtar të Dizhonit. Në sallën e madhe të ngrehinës kërciste muzika dhe diskutimet. Aty ndodhej edhe juria, që përbëhej nga 50 personalitete të shquara të flokut botëror, para së cilës kalonin si në revistë trupat artistike nga gjithë planeti. Emocionet e artistëve shqiptarë ishin të jashtëzakonshme. Këngët dhe vallet e tyre tronditën sallën, duke marrë duartrokitje të stuhishme.
Befasia nga fenomeni shqiptar për një moment ia la vendin demonstrimit të bandës polake, e cila dukej sikur kërkonte t’i bënte karshillëk jehonës së këngëve e valleve tona. Aty për aty Xhemaliu i Kukësit, duke ftuar në skenë instrumentistët e tjerë tregoi virtuozitetin dhe potencën e daulles shqiptare, që ngriti në valle jo vetëm trupën tonë, por edhe mjaft francezë e pjesëtarë të asambleve të tjera. Deshi nuk deshi banda polake uli veglat dhe u fut edhe ajo në vallen shqiptare. Gazeta më e madhe e Dizhonit shkruante të nesërmen në faqe të parë, se trupa shqiptare u bë “surpriza e festivalit”. Pasi analizonte të gjithë numrat e koncertit e mbyllte shkrimin me shprehjen “Shqiptarët, të lehtë si era, u dridhet toka në këmbë”.
“Cikloni” shqiptar
Në çastet para konkurrimit trupa jonë u duartrokit gjatë, teksa parakalonte me flamurin kombëtar dhe veshjet popullore. Demonstrimi i saj me valle e këngë përpara podiumit të festivalit, solli një situatë elektrizuese. “Kaloi cikloni shqiptar” do të shkruanin gazetat të nesërmen. Koncerti zyrtar i konkurrimit ishte vetëm 15 minuta. Trupa jonë paraqiti dy vallet e bukura “Festë të madhe ka sot Shqipëria” dhe vallen shpërthyese “Në garë”. Në pushim këngëtarë e instrumentistë të ndryshëm demonstronin pjesë të shkëputura për nder të pjesëtarëve të jurisë. Gjatë kësaj periudhe mjeshtri Ibrahim Tukiçi dhe instrumentistët e njohur Ndue Shyti e Nevruz Tahiri ekzekutuan një kolazh me këngë e melodi të zgjedhura. Demonstrimet tona gjatë konkurrimit u pritën me entuziazëm të madh. Nga të gjitha anët u dëgjuan në frëngjisht thirrjet “Bravo Shqipëria!”. Besim Zekthi, Lili Xingu, Albert Janku, Besim Jazexhiu, Lefta Mullisi, Enver Birko e shumë të tjerë treguan vlerat e vërteta artistike. Impresionuese ishin edhe koncertet e ndryshme, që dha trupa jonë pas konkurrimit në qytete të ndryshme të Francës. Reporteri i larmishëm na dha mundësinë për të përdorur tërë gardërobën e marrë me vete, duke demonstruar madhështinë dhe bukurinë e kostumeve tona kombëtare. Kjo paraqitje e bëri kryetarin e jurisë, që të shprehej se po të kishte një “gjerdan...” për grupin më të bukur e më simpatik, sërish atë do ta merrnin shqiptarët...

Mjeshtrit virtuozë popullorë
Në koncertin e ansamblit, që mori pjesë në festivalin e Dizhonit morën pjesë shumë mjeshtër që vinin nga rrethet. Nga Kukësi merrte pjesë Xhemaliu bashkë me dy daullexhi të tjerë. Nga Puka i famshmi Ndue Shyti me çifteli. Nga Elbasani Novruz Tahiri, mjeshtri i kavallit etj. Treshja e daulleve krijonte një harmoni tërheqëse dhe i shfaqte më të burrëruar valltarët tanë. Me ritëm dhe timbër të shkëlqyer, me një dinamikë të përsosur, mjeshtrit e daulles krijuan një atmosferë të gëzueshme për të pranishmit, që pak e njihnin folkun shqiptar. Gjate valles ata futeshin në mes të valltarëve dhe lodronin bashke me ta. Sukses të spikatur pati orkestra “simfonike” e Ndue Shytit. Francezet habiteshin se si ky instrument popullor me dy tela tingëllonte aq ëmbël dhe shoqëronte këngëtarin, sikur të ishte një orkestër e vërtetë. Jo më pak çudi ngjalli edhe fyelli i Novruz Tahirit. Franezët e filmuan dhe incizuan mjeshtrin elbasanas, për ta përdorur më pas melodinë e tij në filmin artistik “Pas Hithres”. Ndërkaq, kengetarja e njohur greke Maria Faranduri e mirëpriti melodinë e fyellit në këngët e preferuara të saj. Figurë të shkëlqyer bëri elbasanasi tjetër, mjeshtri i violinës “Artisti i popullit”  Ibrahim Madhi. Ai ekzekutoi me virtuozitet vallen për violinë dhe orkestër, duke ngritur në këmbë të gjithë pjesëmarrësit. Ritmet e violinës së mjeshtrit Madhi sfiduan në festival rumunët në gjininë e tyre të preferuar. “Artistët tuaj virtuozë, u shpreh kryetari i Jurisë, na i lehtësuan punën në vlerësimin tonë, mbasi të gjithë ishin unanimë, se ju e meritonit plotësisht “Çmimin e parë”. Ndërkaq ambasadori ynë në France, Javer Malo u shpreh me krenari: “Atë që keni bërë ju pesëdhjetë artistët për 15 ditë në
Francë, për njohjen e Shqipërisë dhe të kulturës së saj, vështirë se e bëjnë 50 ambasadorë për 15 vjet. Ju lumtë!”
 
“Elba Folk” rrëmben “Çelësin e artë”
në Moskë
I përzgjedhur midis 115 ansambleve, për të marrë pjesë në festivalin Botëror të Folkut në Moskë, Ansambli popullor “Elba Folk” i Elbasanit, arriti në kryeqytetin rus mbas 50 vjetësh të shfaqjes së fundit të Ansamblit shqiptar atje, të dhënë në vitin 1958. Në këtë festival, që organizohej në Kremlinin e vjetër, morën pjesë 13 shtete, nga kontinentet e Evropës, Azisë dhe Afrikës. Nga Ballkani merrnin pjesë ansamblet e Sllovenisë, Bullgarisë dhe Kroacisë. Shfaqja e parë 10 minuta pati interes të jashtëzakonshëm. Mjaft nga të pranishmit dinin fare pak për Shqipërinë dhe pozitën gjeografike të saj. Mjaft herë na quanin kosovarë. E nisëm fillimisht me vallen “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, për të vazhduar me “Potpuri elbasanase”
Koreografi i ansamblit shtetëror, mjeshtri i madh Rexhep Çeliku, punoi me përkushtim dhe pasion me valltarët dhe orkestrantët elbasanas, duke pasur në krahë muzikantin e njohur Zyhdi Floqi. Provat vazhdonin deri në orën dy të mëngjesit, pa ndjerë lodhje. Paraditeve vizitonim kuriozitetet e Zuzdalit dhe Moskës, ndërsa pasditeve deri në mesnatë në skenën ruse kërciste vallja dhe kënga e ansambleve të ndryshme. Që në fillim të konkurrimit, krahas ansamblit tonë ra në sy ansambli spanjoll dhe ai indian. Trupa vendase këndoi këngët e veta karakteristike, këtë radhë pa pjesëmarrjen e këngëtarëve të njohur Bibikina e Mokshanka, të cilat në një moment pushimi gjetën rastin dhe kënduan me grupin tonë. Menduam se kënga “Vajta n’Elbasan” apo “M’u ke guri që ban xixa” do t’i përshtateshin festivalit. Dhe nuk u gabuam. Pas valles së Elbasanit, orkestra e përberë edhe nga instrumentistë-këngëtarë si Lemi, Çimi dhe Namiku, kënduan ato në grup duke ngritur në këmbë tërë sallën. Tanimë, spektatorët këndonin dhe kërcenin bashkë me ne. Ndodhi një moment kur konferencieri i festivalit, aktor i teatrit “Balshoj” të Moskës Sergei Mihajllov, duke iu drejtuar sallës për të paraqitur këngën e radhës, shpërtheu: “Tani do të dëgjoni këngën “Vajta N’Elbasan”, të kompozuar nga mjeshtri rus Rashit Bejbutov, në vitët ‘50, kur ishte në Elbasan. Ai ia kushtoi këtë këngë popullit të urtë të Elbasanit, vajzave të bukura, prandaj e këndoi ai i pari…” Mjaftoi kaq që spektatori rus të shpërthente nga duartrokitjet. Po kështu edha vallja “Gorarçe” ngjalli interes dhe entuziazëm. Ajo u kërcye edhe nga vajzat, që shoqëruan vargun e burrave. Në këtë koncert final, që ishte i parafundit në skenën e festivalit të Moskës, ne konkurruam mbas spanjollëve. Dhe pas nesh Ansambli shtetëror rus do të mbyllte programin me korin karakteristik të përbërë nga 200 artistë-këngëtarë, 24 valltare, etj.
Fill mbas koncertit tonë drejtuesve të ansamblit u erdhi një ftese, për një takim me dirigjenten e shquar ruse Larisa Atimove. Ajo na u drejtua: Urime! Fitoi bukuria shqiptare dhe shtoi: fituat me vallet shumë të bukura, kostumet brilante dhe muzikën e ëmbël. Në mbrëmje vonë në sallën e koncerteve, presidenti i Elba Folkut, valltarët Xhepi, Xhimi, Nardi, Domenika, Viera, instrumentistët u ngjiten në skenë dhe morën çmimin “Çelësi i artë” të Festivalit Botëror të Folkut në Moskë ’07.
e ardhmja
e folkut tonë
Ansamblet popullore të shoqatave mbajnë gjallë lëvizjen kulturore të qyteteve shqiptare. Megjithatë ato janë shumë pak dhe si të tilla të pamjaftueshme për funksionimin e një shoqate kulturore, që në qendër ka evoluimin e folkut popullor dhe promovimin e vlerave të tij në Evropë dhe botë. Kthimi i këtyre shoqatave, në një “Laborator” të folkut tonë, në këtë periudhë të ekonomisë së tregut dhe të përshtatjes së tij me kohën dhe botën, kërkon angazhimin e shtetit dhe kontributin e  tij, në ndihmë të tyre.
Eshtë e udhës që shoqatat me emër të kenë status të veçantë, mbështetur në një program të veçantë. Ato të kenë të drejtën të sponsorizohen dhe ndihmohen financiarisht nga shteti dhe institucionet, firmat e fuqishme, fondacionet dhe organet buxhetore...
Organizimi i festivaleve me artistët popullor në vende historike dhe piktoreske, do të ndihmonte shumë turizmin kulturor dhe do të tërhiqte më shumë turistë. Kanë përvojë në këtë aspekt vendet perëndimore. Mjafton të përmendim këtu rastin e një vendi të gjelbëruar, në veri të Hollandës, ku bora dhe të ftohtit s’ndahen për gjashtë muaj, në të cilin çdo fillim gushti organizohet një festival folku, që dhjetëfishon numrin e banorëve të qytetit për ditë me radhë. Është momenti t’i kthehemi kësaj përvoje pasi resurset kulturore e artistike i kemi të shumta. Menaxherët e këtyre shoqatave kulturore as më pak dhe as më shumë kanë kërkuar pranë autoriteteve një status si në rastin e trupave teatrore shfaqja e të cilave nuk thith as 30 përqind të spektatorëve të festivaleve folklorike.

Novruz Tahiri, autor i muzikës së filmit “Pas Hithrës”
Një instrumentist popullor mjeshtër i fyellit, që rëndom quhet kavall, njihet tashmë si autori i linjës melodike të filmit francez “Pas Hithrës”. Virtuozi popullor Novruz Tahiri, nga Elbasani, krejt pa dashjen e tij ka mbetur kështu pjesëtar i ansamblit të krijuesve të kësaj vepre artistike. Ishte regjisori i filmit, i cili duke ndjekur koncertet e Festivalit të Folkut në Dizhon të Francës e përzgjodhi melodinë e fyellit të elbasanasit për ta bërë linjë melodike të veprës, që kishte në dorë. Dhe kështu ndodhi. Po nga gara e Dizhonit Novruz Tahiri, ka dhe një kujtim tjetër. Melodia e fyellit të tij mahniti aty këngëtaren e njohur greke Maria Faranduri, e cili me ritmet e melodisë së tij ndërtoi rimat e këngëve të saj.

 Bejbutovi, rusi që kompozoi “”Vajta N’Elbasan” në vitet 50,
 Teksa shfaqej nga artistët elbasanas kënga “Vajta N’Elbasan” në festivalin e Moskës së vitit 2007, të pranishmit do të befasoheshin nga një fakt interesant. Kënga që vinte nga “Toka e shqiponjave” ishte krijim i autorit sovjetik Rashit Bejbutov. I ndodhur në Shqipëri në vitet ‘50 ai kishte bërë edhe mjaft këngë të tjera për të cilat artistët shqiptarë, jo vetëm që i shfaqën mirënjohjen, por do t’i ruanin ato edhe në vitet pas divorcit politik me Bashkimin Sovjetik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›