E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ida, vajza që kërkon të realizojë ëndrrën e jetës

 

Ida Kumria është një vajzë plot ëndrra dhe plane për të ardhmen. Fati i ka mohuar dritën e syrit, por jo gëzimin e zemrës, bukurinë e jashtme dhe mprehtësinë e mendjes. Ajo është një nga nxënëset më të mira të Institutit të Fëmijëve të Verbër “Ramazan Kabashi” në Tiranë, dhe tani ndodhet në prag të provimeve të klasës së 8-të, fundi i së cilës do të shënojë për të edhe përfundimin e 8 viteve të mësimit në këtë institut. Këtë javë u shndërrua në një personazh të dashur e simpatik në shumë gazeta të përditshme të vendit, falë kurajës dhe këmbënguljes për të ecur përpara dhe për t’ia dalë mbanë. Njëherazi, ajo shprehu dëshirën që të kontribuonte në ndërgjegjësimin e shoqërisë në lidhje me vëmendjen dhe ndihmën ndaj shkollës së saj, nxënësve të së cilës u duhen më shumë se kurrë mjete të posaçme didaktike për t’u integruan në shoqëri, duke u bërë pjesë e iniciativës sociale te AMC.”Çdo pajisje e re që vjen në shkollë sjell “më shumë dritë” tek të gjithë ne. Për këtë dua të shpreh mirënjohjen ndaj çdo ndihme që kemi pasur e veçanërisht ndaj printerit dhe 4 kompjuterëve që na u dhanë në vitin 2007". E takojmë në oborrin e shkollës, në një ditë të ftohtë dimri dhe buzëqeshja e saj na befason. Mësuesit thonë se Ida është gjithmonë e qeshur dhe e qetë e mbi të gjitha është një vajzë plot pasione. “Jam shumë kureshtare të zbuloj gjithçka rreth meje, të di sa më shumë për ata që më rrinë pranë dhe larg, për njerëzit në përgjithësi”, thotë ndërsa një buzëqeshje i përvijohet në fytyrë. “Pasioni dhe ëndrra ime më e madhe, deri më tani, është gazetaria. Dua të shkruaj dhe të drejtoj emisione në radio, të kontaktoj me njerëz, të flas me ta”. Këtë ëndërr 14-vjeçarja ka kohë që e ushqen brenda vetes, veçanërisht kur ra për herë të parë në kontakt me disa materiale  gazetareske. “Në kushte të tjera do të kisha përpirë çdo libër që do të më dilte përpara, por të gjithë ne nxënësit e kësaj shkolle jemi të varur nga printerë që mundësojnë shtypjen e materialeve në alfabetin e posaçëm “Brail”. Që kur AMC na e solli në shkollë, 2 vjet më parë, kam shuar një pjesë të “urisë” për t’u informuar për botën, e veçanërisht për pasionin tim, gazetarinë”. Sot Ida dhe nxënësit e tjerë të shkollës kanë në duart e tyre jo vetëm librat me të cilat mësojnë,të gjithë në “Brail”, por edhe materiale të tjera shtesë, për të zgjeruar horizontin në kohën e lirë. “Sapo na e sollën printerin, në vitin 2007, kërkova dhe gjeta disa leksione gazetarie. Printeri është shumë i mirë e i shpejtë dhe materialet në “Brail” u bënë gati brenda një kohe të shkurtër. Pas tyre printova të tjerë dhe si unë veprojnë pjesa më e madhe e nxënësve. Mungesa që kemi na bën kureshtarë për gjithçka dhe e vetmja mënyrë për të shuar këtë kureshtje dhe për t’u informuar janë librat, të cilët, pa dhuratën e AMC-së, nuk do t’i kishim pasur kurrë në dorë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›