E Diel, 1 Nëntor 2026

Nju Jork, Berisha prezanton në OKB reformat e Shqipërisë



Kryeministri Sali Berisha prezanton në Nju Jork reformat e suksesshme të qeverisë, përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe reduktimit të varfërisë. Z. Berisha mori dje pjesë në takimin e organizuar nga qeveria amerikane me kryeministrat e vendeve që përfitojnë nga programi amerikan i pragut të sfidës së mijëvjeçarit. Aktualisht, Shqipëria është në fazën e dytë të zbatimit të këtij programi dhe me një fond prej 15 milionë dollarësh, ka konkretizuar disa projekte antikorrupsion. Kryeministri Berisha përmendi si të tilla projektet për regjistrimin elektronik të biznesit brenda një dite, marrjen në mënyrë elektronike të licencave, pagimin e taksave online, si dhe prokurimet elektronike.

Të gjitha këto, sipas z. Berisha, e kanë renditur Shqipërinë si një ndër vendet me rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe lehtësimin e klimës për biznesin. Gjatë vizitës së tij në SHBA, kreu i qeverisë, Berisha, ishte i ftuar në konferencën “Zhvillimi dhe bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”, organizuar nga Millenium Challenge Corporation dhe organizata “Interaction”. Millenium Challenge Corporation, agjencia e qeverisë amerikane, e cila ndihmon vendet në zhvillimin e tyre, bazohet në parimin se ndihma më eficente ndaj këtyre vendeve është forcimi i një qeverisjeje të mirë dhe investimi tek njerëzit që promovojnë rritjen ekonomike. “Interaction” është organizata-aleancë më e madhe në SHBA, e cila mbledh në gjirin e saj 180 organizata joqeveritare dhe e cila bashkëpunon ngushtë me qeveritë, por edhe me komunitetet lokale për të mundur varfërinë dhe për të rritur cilësinë e jetesës për njerëzit. Gjatë takimit të organizuar nga këta organizma prestigjiozë jo vetëm në SHBA, por në mbarë botën, së bashku me Kryeministrin Berisha ishin të ftuar të referonin për luftën kundër varfërisë edhe liderë të tjerë nga vende, të cilat kanë përfituar nga programet e ndihmës së Millenium Challenge Corporatin. Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në këtë eveniment u fokusua mbi rëndësinë e reformave në luftën kundër korrupsionit, pjesë thelbësore e së cilës janë edhe hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare me mbështetjen jetike të Millenium Challenge Corporation. Z. Berisha shprehu mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për qeverinë e SHBA-së për ndihmën bujare që i kanë dhënë vendit përmes Millenium Challenge, duke nënvizuar se këto fonde ishin të një eficence dhe ndihme të madhe për zhvillimin e vendit. Kryeministri i njohu të pranishmit me faktin se këto para u përdorën në disa projekte të rëndësishme e të suksesshme, të cilat ndryshuan shumë vendin dhe luftuan burokracinë dhe si rrjedhojë korrupsionin si Regjistrimi i Biznesit (One Stop Shop), i cili ndihmoi shumë njerëzit e biznesit dhe komunitetin e biznesit në përgjithësi. Më pas, Kryeministri u ndal në rëndësinë e prokurimeve elektronike në luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit. “Shqipëria, - tha Kryeministri, - është i vetmi vend që zbaton vetëm prokurime elektronike. Këto para, - shtoi Kryeministri, - kanë rëndësi, sepse reformat janë jetike për të luftuar korrupsionin. Kështu u krijua One Stop Shop për lejet dhe licencat, menjëherë pasi qeveria hoqi 2 të tretat e tyre”. “Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë dhe eficente për të luftuar varfërinë dhe mizerjen, sesa lufta kundër korrupsionit, ndaj jam shumë i lumtur se kjo iniciativë e nisur nga Presidenti Bush u mbështet plotësisht edhe nga Presidenti Obama. Kjo në bindjen time është një nga ndihmesat më të mëdha që SHBA u ka dhënë vendeve të tyre mike si Shqipëria”, - theksoi Kryeministri Berisha.

Sfidat e Shqipërisë, Berisha, më 26 shtator, fjalim në OKB

Sfidat e Shqipërisë do të jenë shtylla e fjalimit përshëndetës të Kryeministrit Sali Berisha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Z. Berisha do të mbajë diskutimin e tij më 26 shtator dhe në këtë fjalim ai do të fokusohet në mbështetjen e Shqipërisë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kontributin e Shqipërisë në paqen dhe sigurinë globale në kuadër të NATO-s e më gjerë, njohja e pavarësisë së Kosovës, objektivat e mijëvjeçarit për një zhvillim të qëndrueshëm. Por, një vend të veçantë në fjalimin e së shtunës të Kryeministrit Berisha do të ketë edhe Kosova, e cila ende nuk ka numrin e mjaftueshëm të votave, 93, që i duhen për t’u bërë anëtare e OKB-së.

Dobriansky, Berishës: Ju konsoliduat institucionet e ligjit

Ekspertja e politikës së jashtme amerikane, Paula Dobriansky, vlerëson ecurinë e reformave në Shqipëri dhe vendosmërinë e treguar nga qeveria shqiptare nën lidershipin e Sali Berishës, për të konsoliduar institucionet e demokracisë dhe të ligjit. Në mënyrë të veçantë për të luftuar korrupsionin dhe për të ngritur në nivele të larta si asnjëherë tjetër zhvillimin ekonomik të vendit. Kjo iu bë dje e ditur Kryeministrit Sali Berisha në Nju Jork gjatë takimit që zhvilloi me znj. Paula Dobriansky, personalitet i rëndësishëm në politikën amerikane, mike dhe përkrahëse e vendosur e zhvillimit të Shqipërisë në vite. Paula Dobriansky është një eksperte e politikës së jashtme amerikane, e cila ka mbuluar rolin e zëvendëssekretares së Shtetit për Demokracinë dhe Punët Globale, si dhe çështjen e Irlandë së Veriut gjatë administratës së George Bush-it. Ajo shprehu vlerësimet pozitive për zbatimin me eficencë në Shqipëri të programeve të ndihmës së qeverisë amerikane si Millenium Challenge dhe për faktin se në rastin e Shqipërisë këto fonde shkojnë për të implementuar nisma dhe ide të qeverisë, të cilat po tregojnë se janë mjaft të suksesshme dhe të vlerësuara nga ndërkombëtarët. Znj. Dobriansky uroi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për mandatin e tij të dytë qeverisës dhe u shpreh e bindur se këto reforma dhe integrimi i vendit në BE do të jenë përparësi edhe e qeverisë së re. Kryeministri Berisha falënderoi znj. Dobriansky për përkrahjen dhe ndihmën e saj për Shqipërinë dhe e garantoi atë se qeveria shqiptare do të jetë e vendosur të implementojë me sukses ato standarde dhe kritere që do të çojnë në integrimin e vendit dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.

“Vatra”, darkë për nder të Berishës, premton Shqipërinë Evropiane

Diasporës shqiptare, Kryeministri Sali Berisha u premton Shqipërinë Evropiane. Federata panshqiptare e Amerikës, “Vatra” shtroi një darkë të përzemërt për nder të Kryeministrit Sali Berisha, në Nju Jork. Të ftuar ishin veprimtarë e aktivistë të njohur të komunitetit shqiptar, biznesmenë, studentë, intelektualë dhe krerët e disa organizatave e shoqatave shqiptaro-amerikane, njerëz të fushave të ndryshme. Mori pjesë edhe eksperti pranë Komitetit Kombëtar për Politikën e Jashtme Amerikane, David Phillips. Kryeministri Berisha, duke përshëndetur “Vatrën” dhe përfaqësuesit e komunitetit, veprimtarët e aktivistët e dalluar të çështjes kombëtare në diasporë, shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për ta çuar vendin drejt prosperitetit, për ta futur atë me dinjitet e krenari në familjen evropiane. Një projekt i madh u konkretizua gjatë katër viteve të fundit, ai që quhet edhe "Korridori i Kombit", i cili ka transformuar dhe po transformon çdo ditë, gjeografinë e këtij rajoni. Berisha premtoi për mbarë shqiptarët: “Një projekt edhe më të madh, atë të integrimit të shqiptarëve në Evropë, një projekt edhe më shumë ambicioz që do të paraqesim para shqiptarëve dhe botës një Shqipëri, tjetër. Të ndërtojmë një Shqipëri, tjetër, nëpërmjet një infrastrukture, tërësisht moderne. Jam i zotuar para shqiptarëve se në krye të katër vjetëve, do të "përgjysmojë distancat nga kryeqyteti i Shqipërisë me çdo vendbanim shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë".

SHBA, Berisha lobon për Kosovën shtet

Kryeministri Sali Berisha i kërkon homologut australian që përmes lidhjeve dhe kontakteve me vendet e tjera, të ndihmojë për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Për këtë Berisha gjeti gatishmërinë e plotë të Kryeministrit Kevin Rudd. Gjatë vizitës në SHBA, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Australisë, z. Kevin Rudd. Gjatë bisedës u diskutua për fuqizimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike. Kryeministri i Australisë tregoi interes për reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si reforma mbresëlënëse, pasi kanë rezultuar të jenë të suksesshme dhe në një kohë krize botërore dhe që i garantuan Shqipërisë një rritje të mirë ekonomike. Kryeministri Berisha e njohu me të gjitha masat e ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim dhe u shpreh se Shqipëria mirëpret investitorët australianë të investojnë në Shqipëri dhe të shfrytëzojnë potencialet e saj në fushën e energjisë, pasuri minerale, turizëm etj. “Shqipëria, - tha Kryeministri, - ka barrën fiskale më të ulët në Evropë, taksën e sheshtë 10%, krah të lirë pune dhe të mirarsimuar, prandaj investimet australiane do të gjejnë mbështetjen e plotë të qeverisë dhe do të jenë një histori suksesi”. Kryeministri australian u shpreh se do të kontaktojë me korporata të mëdha australiane, të cilat kanë interes të investojnë në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Berisha pati një takim edhe me Presidentin e Libanit, z. Michael Sulayman. Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimin e marrëdhënieve tradicionale midis dy vendeve dhe intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike. Presidenti i Libanit vlerësoi si mjaft pozitiv zhvillimin e Shqipërisë, si dhe tolerancën fetare të admirueshme që ka vendi ynë. Berisha u shpreh se do të mbështeste forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe u ndal në çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Libani. Presidenti i Libanit, z. Sulayman, u shpreh se kjo çështje është në vëmendjen e qeverisë dhe të shtetit të Libanit. Gjatë kësaj seance, Kryeministri u takua me personalitete botërorë. Kryeministri u takua edhe me liderët e Bangladeshit dhe të Tanzanisë, me të cilët bisedoi mbi njohjen e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se Kosova është faktor i rëndësishëm i paqes e stabilitetit në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›