Clinton: Nuk do të qëndrojmë përgjithmonë në Afganistan

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se përfshirja amerikane në Afganistan “nuk është një përkushtim i pafund” dhe se plani i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për tërheqjen e trupave amerikane në vitin 2014, ende vlen.
Këto komente ajo i bëri në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkura, gjatë paraqitjes së prioriteteve buxhetore të Departamentit të shtetit.
Clinton tha se Amerika dhe aleatët e saj në NATO, kanë bërë përparim të dëshmuar në fushën e sigurisë.
Ajo po ashtu u tha anëtarëve të Kongresit amerikan se presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, që e ka udhëhequr goditjen brutale njëvjeçare kundër civilëve, i përshtatet definimi i kriminelit të luftës.
Për Libinë, sekretarja amerikane e shtetit theksoi se Washingtoni po punon me qeverinë e re civile për rindërtim e vendit, pas luftës së brendshme, e cila e përmbysi ish-liderin, Muammar Gaddafi.