Clinton: Të gjithë bashkë për ndalimin e dhunës në Siri
Kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon dhe sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në një deklaratë të përbashkët të dhënë sot për shtyp, i kanë kërkuar komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet në një zë të vetëm për zgjidhjen e çështjes siriane.
Clinton argumentoi se “fushata e dhunës në Siri” ka prekur ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar”. Rusia dhe Kina kanë bllokuar rezoluta të mëparshme që dënonin regjimin e Bashar al-Assad dhe që kërkonin largimin e tij, me argumentin se po ndërhyhej në punët e brendshme të një shteti sovran dhe se nuk jepeshin garanci për mosndërhyrjen ushtarake.
Reagimi i Clinton erdhi në një ditë kur 47 civilë u vranë në sulmin e radhës të forcave qeveritare ndaj trupave rebeleve të ndodhura në qytetin e Homsit. Midis të vrarëve ishin edhe disa gra dhe fëmijë. Damasku zyrtar pranoi bilancin e të vdekurve, por fajësoi për këtë aktivitetin e “terroristëve të armatosur”.
Duke folur në një mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Nju Jork, Clinton u shpreh: “Besojmë se ka ardhur koha për të gjithë vendet, edhe ato që më parë kanë bllokuar përpjekjet tona, që të mbështesin apelin humanitar dhe politik të paraqitur që më parë prej Ligës Arabe”. Në një referencë të qartë ndaj Kinës dhe Rusisë, Clinton i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që “të flasë me një zë të vetëm, sepse vrasja e të pafajshmëve në Siri është bërë e papranueshme dhe është e domosdoshme që procesi i tranzicionit politik të nisë sa më shpejt”.
Përpara Clinton, edhe ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, vlerësoi se duhet të rriten përpjekjet për të siguruar një zgjidhje për popullin sirian.