Statusi i Jeruzalemit, çështje thelbësore në procesin e paqes

Statusi i Jeruzalemit është një nga çështjet kryesore në përpjekjet për një paqe afatgjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Jeruzalemi perëndimor u vu nën kontrollin e Izraelit pas luftës gjashtë ditore arabo-izraelite të vitit 1948. Jeruzalemi lindor u mbajt nga Jordania, por u aneksua nga Izraeli pas luftës gjashtë ditore të vitit 1967 dhe konsiderohet territor i pushtuar.
Izraeli e konsideron Jeruzalemin kryeqytetin e vet të përjetshëm dhe të pandarë. Por palestinezët duan që Jeruzalemi lindor të jetë kryeqyteti i tyre.
Në Jeruzalem nuk ka ambasada të huaja. Ato janë të vendosura në Tel Aviv. Komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh aneksimin e Jeruzalemit Lindor nga Izraeli. Uashingtoni beson se fati i Jeruzalemit Lindor duhet të negociohet në biseda mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Newt Gingrich, kandidati republikan për president në Shtetet e Bashkuara, e përmendi kohët e fundit këtë çështje në një fjalim në një organizatë amerikane pro-izraelite.
“Ditën e parë të presidencës sime do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për ta vendosur ambasadën amerikane në Jeruzalem” theksoi ai.
Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara John Bolton është dakord. “Sigurisht që duhet bërë në konsultim me qeverinë izraelite. Duam ta bëjmë një gjë të tillë me kujdes. Por e kam të vështirë ta kuptoj se pse ambasada amerikane nuk është në kryeqytetin e vendit” shtoi ai.
Alon Ben-Meir, një ekspert për Lindjen e Mesme në Universitetin e Nju Jorkut thotë se deklarata e zotit Gingrich është pjesë e një retorike politike që ka si synim të sigurojë votat e hebrenjve të Amerikës.
Por analistët thonë se kjo nuk ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh faktin që procesi i paqes së Lindjes së Mesme ka ngecur dhe nuk pritet ndonjë përparim në një vit zgjedhjesh presidenciale në Shtetet e Bashkuara.