Siri, masakër në Homs, regjistrohen 50 viktima të tjera

Sipas një lajmi të bërë publik nga mediat siriane, referuar Aktivistëve për të drejtat e njeriut, mësohet se në Homs janë shënuar edhe 50 viktima të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë. Madje aktivistët kërkuan edhe mbajtjen e një seance urgjente të KS-së të OKB-së lidhur me situatën e krijuar. Mbajtjen e seancës urgjente e kërkoi edhe Këshilli Kombëtar Opozitar i Sirisë. Në anën tjetër, edhe pse e pranoi që vdekjet kanë ndodhur vërtet, Damasku zyrtar pretendon se ato janë vepër e terroristëve të armatosur. Sipas televizionit shtetëror sirian këtë masakër në Homs e kanë kryer `bandat terroriste`. Sipas raportit zyrtar për gjakderdhje janë përgjegjës anëtarët e bandave të armatosura. Por aktivistët për të drejtat e njeriut pohojnë se vrasjet u kryen nga grupi i regjimit, i njohur si `shabih` që ka rolin kryesor në qërimin e hesapeve me aktivistët e opozitës. Sulmi ndodhi vetëm pak orë pasi i dërguari i posaçëm i OKB-së, Kofi Annan, përfundoi misionin dy ditor në vend.