E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos, në të majtë

Nga Andi Bushati

Pamjet groteske së mbledhjes së fundit të këshillit bashkiak të Tiranës, nuk janë një fakt më shumë, për të vërtetuar krizën e thellë të së majtës. Ajo tashmë është e njohur nga të gjithë. Por, ato janë një element më shumë, për të treguar se përveçse e përçarë, opozita e majtë është edhe e paorientuar. Pa busull dhe në kaos. Dy partitë kryesore të opozitës tashmë duket sikur nuk kanë asnjë qëllim, asnjë strategji dhe asnjë objektiv, përpos inatit të verbër për të shkatërruar njëri-tjetrin.

Le të shikojmë se ç’ndodhi me nismëtaren e kësaj krize të fundit, LSI-në. Pyetja e parë që shtrohet është: përse i duhej partizanëve të Ilir Metës, bllokimi i këshillit bashkiak të Tiranës? Çfarë fitonin nga një aksion i tillë, përveçse shfryrjes së dufit për padrejtësitë që u ka bërë Rama dhe PS-ja? Sa i shërbente ky aksion politik, qëllimit të tyre final, joshjes së një elektorati sa më të gjerë opozitar për zgjedhjet e 28 qershorit?

Natyrisht aspak. Sepse duke hedhur këtë hap që s’bën asgjë më shumë se një bllokim inatçor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, LSI, humbi automatikisht një nga kartat më të vlefshme që kishte në dorë. Një nga qëndrimet moralisht më të forta të pothuajse një viti: denoncimin e marrëveshjeve okulte Berisha – Rama, që në mënyrë të turpshme, kanë bërë pazar për interesat e tyre politike, me Kushtetutën, sistemin zgjedhor, ligjin për prokurorinë e deri me dhënien e lejeve të ndërtimit.

Duke bashkuar votat me Berishën, për një çështje aspak madhore në raport me qëllimin dhe linjën e tyre politike, pasuesit e Ilir Metës, do ta kenë tashmë të vështirë, të akuzojnë vëllezërit e tyre armiq të PS-së për të njëjtën gjë. Duke bërë këtë veprim inatçor e të nxituar, ata treguan se në bashkëpunimin me Berishën, janë të gjithë të barabartë, të gjithë tentojnë ta përdorin atë si karabinë për të eliminuar aleatët armiq, duke harruar se ai është një kallashnikov, që po i grin të gjithë.

Në fakt, po të dëgjosh argumentet e LSI-së, ato e përligjin mosvotimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës, me argumente parimorë. Gjoja me detajim buxheti, me përcaktim fondesh dhe me parashikim më rigoroz. Por këto argumente, për këdo janë vetëm arsyetime që nuk fshehin dot qëllimin. Sepse kushdo mund të pyesë: Mirë me Tiranën, po me buxhetin e Bashkisë së Korçës, ç’kishte LSI? Apo edhe buxheti i Bashkisë së Korçës ishte i padetajuar? Po mirë edhe buxheti i Korçës qenkësh i padetajuar, po atëherë si ka mundësi, që vetëm këtë vit kryebashkiakët socialistë u shndërruan në neglizhues detajesh, se kurrë më parë, askush nuk e ka dëgjuar LSI-në të ketë shqetësime të tilla?

Vetëm këto pikëpyetje, mes shumë të tjerash që mund të ngriheshin, janë të mjafta për të treguar se partia e Ilir Metës, nuk ka pasur qëllim, as t’i shërbejë komuniteteve, as të prodhojë buxhete më të dobishme për qytetarët. Se LSI-ja është futur qorrazi, me inat, por pa qëllim, në këtë lojë politike që vërtet mund t’i ketë përkëdhelur ndonjë mëri të verbër, nismëtarit të saj, por që i ka hequr atij mundësinë e argumentit më të fortë politik, denoncimit të marrëveshjeve okulte Rama Berisha.

Duke i rrezikuar bashkë me këtë edhe atë atu me të cilën Meta ka luajtur shumë: atë të mishëruesit të asaj bërthame të së majtës, që mbi të gjitha është anti- berishiane.

Por nëse Meta ka bërë ç’është e mundur për të arritur këtë fitore si të Pirros, nuk ka mbetur më pas edhe Edi Rama . I goditur rëndë nga shumëkush për mënyrën se si po ngre filozofinë e një opozite frikacake, që voton ligje nën shantazh, që është gati të shesë troje, prokurorë, dosje, që ka frikë të përmendë qoftë edhe një nga emrat e biznesmenëve të korruptuar që rrethojnë Berishën, këtë radhë kreu i PS, kishte një mundësi të madhe në dorë. Të tregonte se nuk ishte, ai, po Ilir Meta që bashkëpunonte me pushtetin. Të linte mënjanë inatin ballkanas, për të mundur me çdo mjet kundërshtarin, duke përdorur një mënyrë më elegante, atë të të nxjerrit përfitime nga një humbje. Por edhe në këtë rast Edi Rama zgjodhi variantin e parë. Përpara një humbjeje të ndershme, me vota në këshillin bashkiak, ai zgjodhi një fitore të turpshme, duke blerë votat e së djathtës. Përpara një beteje të drejtë, ai zgjodhi të bëjë atë që di më mirë: korruptimin.

Edi Rama përpara principit dhe moralit politik, zgjodhi rrugën për t’i thyer hundët me çdo kusht njeriut që po e pengonte, Ilir Metës.

Por pyetja shtrohet se sa ishte e dobishme bërja e asaj mazhorance me vota të blera? Sa rëndësi kishte fakti që kjo gjë e shndërronte tentativën e LSI-së për bllokim në një tentativë pa vlerë? Në raport me ato që humbte, pothuajse asnjë.

Se vërtet Rama, në një votim që më pas u konsiderua nul, i dëshmoi Ilir Metës së ai nuk mund ta bllokonte dot, por nga kjo provë force, vetë Rama humbi më shumë.

Së pari se ai tregoi se është hipokrit e i pasinqertë. Sepse prej gati një viti e gjysmë, ai vetë dhe partia e tij anatemojnë zgjedhjen e Bamir Topit president, përmes votave të blera të opozitës. Për shumë kohë, vetë Rama e përdori si një kalë beteje, këtë veprim të pamoralshëm. Madje në emër të tij, prodhoi dhe të parat përjashtime deputetësh në historinë e PS-së. Por sapo iu dha rasti, sa ia kërkoi nevoja, Rama dëshmoi para të gjithëve, se është po aq i pacipë sa Berisha në tregtimin e votave. Po aq i pamoralshëm dhe i paskrupullt.

Dhe ashtu siç ndodh shpesh me mëkatarët në vendin e krimit, Rama u tradhtua nga strategjia që kish zgjedhur vetë. Ata që e panë live seancën e votimit në këshillin bashkiak, kanë vërejtur me lehtësi zemërdridhjen, ankthin dhe padurimin që i shkaktonin kryebashkiakut këshilltarët që kishte korruptuar vetë. Ata që e kanë parë atë seancë, nuk e kanë pasur të vështirë të mos dallojnë pasigurinë dhe papjekurinë e një lideri që s’ka asgjë të ngjashme, me atë të një njeriu që pret pas disa muajsh të vijë në pushtet. Ata që e kanë parë atë seancë, janë dëshmitarë sesi vetë Rama, mes pasigurisë dhe frikës, prishi edhe atë «fitore» që me aq shpenzim e kishte përgatitur vetë. E kanë parë se si në këtë betejë pa princip dhe pa objektiv, Edi Rama kërkonte me çdo çmim vetëm një gjë: të gjunjëzonte Ilir Metën.

E nga ky këndvështrim, beteja periferike në sallën e këshillit bashkiak të Tiranës, ishte laboratori më i mirë, prej nga mund të shiheshin drejtpërdrejt, të gjitha problemet që ka sot e majta shqiptare. Një e majtë që jo vetëm është e përçarë , por që mbi të gjitha nuk ka as strategji dhe as qëllim. E ngërthyer në një luftë vëllavrasëse brenda llojit, asaj pak i interesojnë, mjetet që përdor, qëndrimet që mban, kundërthëniet që krijon. Pak i intereson se kush e ka Berishën aleatin e radhës dhe kush kundërshtar. Se kush është i gatshëm ta anatemojë dhe kush është i aftë të kopjojë mënyrat e tij. Duke dëshmuar me këtë jo vetëm përçarjen e madhe të opozitës, por duke i bërë shqiptarët të mendojnë: përse vallë duhet dënuar Berisha për skandalet e njëpasnjëshme, kur dhe konkurrentët e tij politikë, veprojnë njësoj me të dhe përdorin të njëjtat metoda?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›