Vazhdon operacioni kundër talebanëve në Helmand
Mijëra trupa amerikane, britanike dhe afgane janë duke u përpjekur për të konsoliduar përparimet në ofensivën e madhe kundër talebanëve që filloi ditën e shtunë.
Në betejën që zhvillohet në jug të Afganistanit, marinsat amerikanë janë duke bërë përparime të ngadalshme në qytetin Marjah që është edhe bastioni kryesor taleban në provincën Helmand.
Shkëmbime të vazhdueshme zjarri janë raportuar në këtë zonë, ndërkaq në shumë ndërtesa njoftohet të jenë vënë bomba.
Kryqi i Kuq ndërkombëtar ka ngritur të parën qendër për ndihmë në qytet, ku thuhet se ka kuruar deri tani dhjetëra civilë të plagosur si pasojë e luftimeve.
Në pjesë të tjera të provincës, forcat e drejtuara nga amerikanët janë përballur me një qëndresë më të vogël.
Ushtarët britanikë dhe afganë janë duke ushtruar kontrolle gjatë të gjithë zonës duke kërkuar për kryengritës dhe armët e tyre.
Ata gjithashtu kanë detonuar mjete të improvizuara shpërthyese që kanë shkaktuar vdekjen e shumë njerëzve.
Megjithëse kanë hasur më pak qëndresë sesa e kishin parashikuar, në këtë zonë ka ende kryengritës.