Clinton kritikon Pakistanin

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, tha se Pakistani nuk është duke bërë sa duhet për të arrestuar Hafiz Mohamed Saedin, njërin nga personat e dyshuar për organizimin e një sulmi terrorist në vitin 2008 në qytetin indian, Mumbai.
Duke folur në qytetin indian të Kalkutës, Clinton tha se Washingtoni është duke ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e Saedit dhe se Shtetet e Bashkuara kanë "kërkuar në mënyrë të përsëritur" që Pakistani ta arrestojë personin në fjalë.
Saeed është anëtar dhe themelues i grupit militant, Lashkar-e-Taiba.
Në sulmin e vitit 2008 në Mumbai patën vdekur 166 civilë dhe nëntë persona të tjerë, që dyshohej se ishin terroristë.
Autoritete indiane kanë deklaruar se ia kanë dorëzuar Pakistanit informacionet për përfshirjen e dyshuar të Saedit në sulm.
Clinton tha gjithashtu se Washingtoni beson se udhëheqësi i Al-Qaidës, Ayman al Zavahiri, fshihet në Pakistan.