Thaçi: Me marrëveshje, Serbia ‘de jure’ e njohu kufirin me Kosovën

Kreu i ekzekutivit të vendit e ka cilësuar këtë marrëveshje si një hap shumë të rëndësishëm edhe për vënien e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, përderisa ka shtuar se kjo në një mënyrë apo një tjetër është edhe njohje ‘de jure’ e kufijve të Kosovës nga ana e Serbisë.
“Menaxhimi i integruar i kufijve si model evropian garanton kalim të shpejtë dhe të lehtë të njerëzve dhe mallërave, por njëkohësisht siguron që autoritete përkatëse të Republikës së Kosoëvs të luftojnë dhe parandalojnë kontrabandën, trafikimin dhe krimin e organizuar që kishte lulëzuar veçanërisht në veri në 12 vjetët e kaluara. Me këtë marrëveshje është vënë ligjshëmria e plotë dhe sundimi i ligjit edhe në kufirin verior të Republikës së Kosovës. Por në të njëjtën kohë me këtë marrëveshje është edhe një njohje në një kuptim apo kuptimin tjetër edhe ‘de jure’ të Serbisë për Republikën e Kosovës, pra kufijve nga Serbia në raport me kufijtë e Kosovës”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se në të gjashtë pikëkalimet kufitare, do të zbatohet legjislacioni i Kosovës nga ana e të gjitha agjencive të Kosovës, ndërsa EULEX-i sipas ftesës së institucioneve të Kosovës, do të jetë aty për monitorim dhe të mbështes zbatimin e standardeve evropiane për menaxhimin e integruar të kufirit.
Po ashtu, sipas tij, simbolet shtetërore të Kosovës, do të jenë të vendosura kudo, si në Merdare, ashtu edhe në pikën 1 dhe 31.
“Ajo çka kërkohet tani edhe nga dëshmitarët dhe garantuesit e marrëveshjes ndërshtetërore, është përcjellja nga afër e fillimit të implementimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, në mënyrë që Serbia mos t’i bishtnojë kësaj marrëveshje, sikur herave të tjera, dhe diçka e tillë do të kërkohet edhe ditëve të ardhshme në Bruksel, por edhe në SHBA”, është shprehur Thaçi.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se nuk do të ketë mbështetje për askënd pa u implementuar marrëveshjet e arritura gjatë gjithë raundeve të dialogut.
Ndërkaq, kryenegociatorja e Kosovës, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka njoftuar për zhvillimin e raundit të tetë, duke thënë se është biseduar për çështjet e bashkëpunimit rajonal, energjisë, telekomit, por çështja kryesore ishte marrëveshja për menaxhimin i integruar të kufirit.
“Për neve edhe më e rëndësishme ishte mozbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë dhe për të cilën ne jo vetëm që i paraqitem dështimet e palës serbe, por nga ana tjetër kërkuam nga BE-ja që ta ketë të qartë këtë dukuri në kuadër të vlerësimeve që u bëhen shteteve në rrugën drejt integrimit në BE dhe kërkuam presion shumë më të madh për t’u zbatuar marrëveshjet, sepse çelësi i suksesit të dialogut teknik është zbatimi i marrëveshjeve”, ka thënë Tahiri.
Ajo ka thënë se kjo koncepti i menaxhimit të integruar të kufirit është i definuar qartë në ligjet e Bashkimit Evropian dhe Traktatin e Lisbonës.
Ndërkohë, kreu i ekzekutivit të vendit Hashim Thaçi ka përshëndetur edhe konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian të nxjerrura mbrëmë për Kosovën, të cilat do të konfirmohen në Samitiin e BE-së më 9 dhjetor.
“Katër konkuluzionet që janë për Kosovën, janë shumë të mirëpritura, të mirëseardhura dhe të përshëndetura nga Qeveria e Kosovës. E para agjenda e qartë evropiane e Kosovës, e dyta, dialogu për liberaliziimn e vizave fillon sivjet, pra në ditët e ardhshme, e treta, marrëdhëniet kontraktuale midis Kosoëvs dhe bashkimit Evropian, fillimisht përmes lidhjes së marrëveshjeve tregtare dhe qasjes në programe të shumta financimi të BEsë dhe e katërta, zotimi i Këshillit të Ministrave të BE-së për mbështetje të plotë për anëtarësim të Kosovës në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian”, ka thënë Thaçi.
Ndryshe, gjatë kësaj mbledhje, kryeministri Thaçi dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri kanë vlerësuar se me marrëveshjen e arritur në Bruksel për menaxhimin e integruar të kufirit, janë mbrojtur interesat nacionale dhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Efekti kryesor i kësaj marrëveshje, sipas tyre, është se Serbia në një mënyrë e ka njohur kufirin e Kosovës dhe efekti i dytë se ka filluar heqja e barrikadave në veri të Kosovës. (Kosovapress)