Clinton përshëndet Malin e Zi për Ditën Kombëtare
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton përshëndeti popullin e Malit të Zi me rastin e ditës së tij kombëtare e cila përkujtohet çdo 13 korrik. Clinton tha se në emrin e Presidentit Barack Obama po shfrytëzon rastin e kësaj feste për të rikonfirmuar lidhjet e forta mes Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara. Kryediplomatja amerikane shtoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht përpjekjet e Malit të Zi për të hyrë në Bashkimin Europian dhe i janë mirënjohës atij vendi për kontributin që ka dhënë në Afganistan. Dita Kombëtare e Malit të Zi shënon shpalljen e pavarësisë së vendit nga Perandoria Otomane në vitin 1878 dhe njohjen e saj zyrtarisht nga Turqia.