Sejdiu: Ndryshimi kufijve, rrezik për rajonin
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu në fjalimin vjetor para deputetëve të Kosovës i ka bërë thirrje Beogradit, që të distancohet nga stimulimi i dhunës në Kosovë, ndërsa u ka bërë me dije të gjithë atyre që pretendojnë ndryshimin e kufijve të Kosovës,
se kjo nuk do të ndodh kurrë. Presidenti Sejdiu gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës ka përmendur dhunën në veri të Mitrovicës, e cila sipas tij ka ardhur nga ata që e ndjekin politikën e vjetër të Miloshevicit. Duke shprehur mundësinë e bisedimeve Beogradin, presidenti theksoi se ato do ta jenë vetëm teknike dhe në asnjë mënyrë nuk do ta prekin statusin e Kosovës. Nga ky Kuvend, ne ju themi sërish të gjithë atyre flasin për ndryshime kufijsh dhe shkëmbime territoresh në mes Kosovës dhe Serbisë, se ne e kundërshtojmë forcërisht çdo ide të tillë të pamatur, sepse çmojmë realitetet ekzistuese në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Pra, secili zot në shtëpi të vet, pasi që ne nuk kemi asnjë pëllëmbë tokë për ti falur askujt. Idetë për lëvizje kufijsh janë gjithmonë të rrezikshme, por ato janë veçmas të rrezikshme në rajonin tonë. Burizanët e këtyre ideve duhet ta dinë se një eksperiment i tillë do të hapte Kutinë e Pandorës për krejt Ballkanin Perëndimor, sepse çështje të ngjashme mund të hapeshin lehtë në të gjitha vendet e kësaj hapësire, u shpreh Sejdiu. Presidenti i Kosovës, nga salla e Kuvendit i ka bërë thirrje presidentit serb, Boris Tadiç që të distancohet nga grupet ekstremiste në veri të Kosovës, të cilat po krijojnë tensione dhe dhunë. Ftoj zyrtarët e Beogradit, edhe presidentin Tadiç që të distancohen nga grupet e tilla që nxiten dhe përkrahen për të shkaktuar tensione dhe dhunë. Fryma e nxitjes doli në pah edhe pas incidentit të fundit në Mitrovicë, në të cilin pësoi një qytetar i komunitetit boshnjak, ndërsa dhjetë të tjerë, pjesëtarë të komunitetit serb, u plagosën. Po kështu, edhe sulmin ndaj deputetit të këtij kuvendi, z. Petar Miletiç, i cili njëkohësisht është kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Liberale Serbe dhe drejtues i Këshillit Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentit, Beogradi zyrtar u përpoq ta paraqesë si pasojë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës duke provuar ta gjuajë gurin dhe ta fshehë dorën, vijoi Sejdiu, për të shtuar se aktorët e krimeve të tilla duhet të marrin dënimin e merituar. Në fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës ai i bëri thirrje BE që t'i bëjë me dije Serbisë se nuk mund të synojë, siç tha, anëtarësimin në strukturat euro-atlantike pa hequr dorë nga politika e saj aktuale ndaj Kosovës. Prandaj, ritheksoj thirrjen tonë për bashkësinë ndërkombëtare, në rend të parë për Bashkimin Evropian, që Serbisë ti thuhet shkurt dhe hapur se ajo nuk mund të synojë anëtarësimin në familjen evropiane pa hequr dorë nga politika e saj nacional-hegjemoniste, e cila solli pasoja të tmerrshme për të gjithë popujt e rajonit, duke përfshirë edhe vetë popullin serb, prijësit e të cilit ende nuk po mund të distancohet nga ajo politikë, nënvizoi presidenti i Kosovës. Ai tha se Kosova vazhdon të jetë e interesuar për vendosjen e paqes dhe të bashkëpunimit në rajon dhe ripërsëriti qëndrimin se me Serbinë do të mund të bisedohet për të gjithat temat që janë me interes për dy shtete sovrane dhe fqinje, por asnjëherë për çështjen e pavarësisë dhe të integritetit territorial të Kosovës, sepse kjo çështje sipas tij është përmbyllur njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008. Sejdiu i bëri thirrje Komisionit Evropian që ti ofrojë Kosovës udhëzuesin për liberalizimin e vizave dhe të fillojë sa më shpejt dialogun për këtë çështje. Ai tha se Kosova duhet të angazhohet më fuqishëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe një bashkëveprim me misionin evropian për sundimin e ligjit. Ndërkohë, deputetët e dy partive parlamentare, AAK dhe LDD si dhe një numër i deputetësh të pavarur nuk morën pjesë gjatë fjalimit vjetor të presidentit në shenjë mospajtimi ndaj politikave që ai po udhëheq në Kosovë.