“Club Med” heq dorë nga resorti në Shqipëri, shkak problemet me pronatNga Benet Koleka, Reuters“Club Mediterranee” e Francës ka hequr dorë nga projekti për të ndërtuar një resort turistik në bregdetin jonian në Shqipërisë, pas një përplasjeje të gjat
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
“Club Med” heq dorë nga resorti në Shqipëri, shkak problemet me pronatNga Benet Koleka, Reuters“Club Mediterranee” e Francës ka hequr dorë nga projekti për të ndërtuar një resort turistik në bregdetin jonian në Shqipërisë, pas një përplasjeje të gjatë në lidhje me pronësinë e vendit. Këtë e bëri të ditur “Club Med” me anë të një letre të martën.
Përplasja prej më shumë se pesë vitesh në lidhje me pronësinë e gjirit në formë patkoi kali, që ndodhet përballë ishullit të Korfuzit në Greqi, është ilustrim i kaosit në lidhje me titujt e pronësisë në Shqipërinë postkomuniste, një problem i komplikuar që pengon investimet.
Bashkimi Evropian, që pret nga Shqipëria që të shkëputet nga historia e saj dhe të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ka bërë thirrje që të zgjidhet problemi i titujve të diskutueshëm të pronësisë për thithjen e investitorë të huaj dhe për të plotësuar kriteret për anëtarësim.
“Nuk ka projekt të “Club Med” në Shqipëri”, - tha Florence Le Gall, drejtori për Zhvillim Rajonal i “Club Mediterranee”, në një letër drejtuar fshatarëve që pretendojnë pronësinë e tokës në Kakome, afër Sarandës, në jug të Shqipërisë.
Chrystel Baude, një zëdhënëse e “Club Med” konfirmoi autenticitetin e letrës.
Njerëzit e Berishës pas ndërtimit në Kakome
Pak përpara se të vinte në pushtet kryeministri, Sali Berisha, premtoi se nuk do lejonte ndërtimin e këtij fshati turistik në zonën e Kakomesë. Ai madje deklaroi se fshati turistik ishte një biznes i Fatos Nanos. Një gjë e tillë ndihmoi që PD të merrte vota e madje të drejtonte njësi vendore në zonën ku jetonin pronarët e tokës së Kakomesë.
Por, pas ardhjes së Berishës në pushtet premtimet ndryshuan. Firma e ndërtimit nis punimet në mënyrë ilegale në këtë zonë, duke e pushtuar atë. Banorët e zonës, pronarë të tokës, u dhunuan nga policia, e cila komandohej nga lart.
Vetë kryetari i komunës u vu nën presion duke i ofruar një ryshfet të majmë prej 1 milion eurosh.
Punimet në atë zonë kanë vijuar, ndërsa kryetari i komunës ishte i pari që shprehu dyshimet se pas ndërtimit të kësaj firme nuk ishte “Club Med”, por vetëm kompania shqiptare.
Gazeta “TemA” ka zbuluar se pas projektit qëndron pronari i ri i ARMO-s, Rezart Taçi dhe pronari i TV Klan, Aleksandër Frangaj. Ata janë bërë mbështetësit e pronarit të kompanisë “Riviera”, Dritan Çela, duke i ofruar atij suportin e kryeministrit, Sali Berisha.
Banorët kanë ngritur paditë përkatëse ndaj këtij pushtimi.
Firma ka nisur punimet duke bërë një masakër të vërtetë mjedisore në këtë zonë, një nga më të bukurat në gjithë Mesdheun. Ajo akoma nuk ka bërë një studim të mirëfilltë për punimet që ka ndërmarrë, por vazhdon të zhdukë bimësinë e zonës e të ndërhyjë në strukturën e saj.
Policia ka përkrahur në çdo krah këta pushtues të Kakomesë. Siç ka ndodhur dhe në rastin e Jalës, ajo është vënë në dispozicion të Familjes Berisha.
Berisha në vitin 2005: Kakomeja është biznes i Fatos Nanos
“Tani, mesazhi im për Fatos Nanon është që ai ka bërë zgjedhjen e tij, pensionin në Sarandë. Pyeteni veten ju, pse ka zgjedhur Sarandën. Duhet të shkoni në Sarandë ta kuptoni. Absolutisht po, për ato motive që po investon në Kakome. Se Kakomeja është vetëm e tij. Mos mendoni ju se do ishte një shqiptar që do t’i vërsulej pronës tjetër veç kryeministrit, askush s’mund ta bënte. Ai e bëri, siç po ndodh me fshatarët e Kakomesë, me gjithë dokumentet që provojnë pronësinë e tyre. Mirëpo ky tani nga Kakomeja mendon dhe i është hapur mendja për Ksamilin, ka bërë dhe disa projekte me disa grupe, që në fakt do merren vesh.”
* Marrë nga emisioni “Fahrenheit” i gazetarit Sokol Balla. Transmetuar në “Vizion Plus” në datë 19 qershor 2005
Familjet kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në Shqipëri
Nga Kerin Hope, “Financial Times”
22.04.2009
Arben Leka hap me kujdes një dokument ngjyrë kafe që ka vite, dhe rrëshqet gishtin te një listë e shkruar me dorë e pronarëve të tokës, që është skicuar që në vitin 1937.
Lekajt janë një nga 129 familjet që luftojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik me pesë yje në Shqipëri.
Kompania “Riviera” me qendër në Tiranë dëshiron të ndërtojë një resort me 800 krevate në gjirin e Kakomesë, një gjysmërreth me rërë të bardhë dhe me pemë ullinjsh mbrapa, një oaz gjelbërimi të përhershëm dhe manastiri i shekullit të 13 i Shenjtores Mari. Kompania ka ndërtuar barriera duke rrethuar gjirin dhe ka bllokuar hyrjen për në manastir.
“Ne të gjithë kemi tituj pronësie, po e mbrojmë pronën në gjykatë, kurse buldozerët kanë rrethuar zonën dhe ne nuk kemi akses në pronën tonë”, - thotë zoti Leka, një inxhinier civil.
Dritan Çelaj, president i kompanisë “Riviera”, thotë se Kakomeja është një tokë publike. Kompanisë së tij i është dhënë një qira 99-vjeçare në vitin 2004 për zhvillimin e gjirit, por projekti prej 40 milionë eurosh nuk u zbatua dhe u vendos në pritje pas protestave nga ana e banorëve dhe ndryshimit të qeverisë.
Vladimir Kumi, kryetar komune në Nivicë, 6 kilometra nga Kakomeja, ku jetojnë shumica e protestuesve, thotë se shumica e familjeve kanë tre tituj pronësie për tokën e tyre. Një daton që prej vitit 1870, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane, një tjetër i lëshuar nga regjistri i pronave i hartuar nga Mbreti Zog në vitin 1930 dhe një i tretë i vitit 1994, kur u bë rikthimi i tokës së kolektivizuar nën regjimin komunist.
Përplasjet për pronësinë e tokës janë shumë të shpeshta përgjatë bregdetit malor të jugut të Shqipërisë, kryesisht për shkak të potencialit të zhvillimit si një nga brigjet e fundit të virgjëra të Mesdheut.
Rikthimi i tokës te pronarët e periudhës para komunizmit vazhdon të jetë një çështje e mprehtë, me shumë pretendime akoma të pazgjidhura.
Një regjistër i ri i pronave, i ngritur me asistencën e ekspertëve të huaj, ka një listë të gjatë aplikimesh për tituj pronësie.
Sistemi gjyqësor shqiptar është kritikuar nga Komisioni Evropian si i dobët dhe i hapur ndaj influencave, duke shtuar vështirësitë e zgjidhjes së çështjes së pronësisë përmes gjykatave.
Protestuesit, që preferojnë ta quajnë veten “Klubi 129”, thonë se ata nuk kanë kundërshtime për zhvillimin e turizmit të “butë” në Kakome - shtëpi të vogla të pavarura apo hotele - pasi pretendimet për pronësi të jenë njohur dhe ata të kenë pjesë në projekt.
Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit, Sali Berisha, e kundërshtoi projektin, kur ishte në opozitë. Tani ajo mbështet zotin Çelaj.
Ylli Pango, ministër Turizmi, thotë se sektori po rritet me shpejtësi, me një rritje prej 60 për qind të vizitorëve gjatë vitit të kaluar, duke e çuar numrin në 2 milionë.
“Shumica e vizitorëve vijnë në Shqipëri për fundjava të lira përgjatë bregut. Por ne duhet të zhvillojmë dhe një numër të vogël të resorteve cilësore”, - thotë ai. “Kakomeja është një shembull i tillë”.
Vizitorët do të fluturojnë për në ishullin grek të Korfuzit dhe më pas të kalojnë me varka për në Kakome. “Riviera” planifikon të ndërtojë një resort me 800 krevate, që do të krijojë dhe qindra vende pune. “Sigurisht që ne do iu ofrojmë vende pune vendasve”, - thotë zoti Çelaj.
Shumica e banorëve të Nivicës u larguan pas rënies së komunizmit për t’u punësuar në ndërtim dhe turizëm në Greqi, duke lënë pas të vjetrit që kujdesen për shtëpitë dhe ullinjtë.
Në verë, popullsia e fshatit rritet nga 400 në më shumë se 2000 banorë, për shkak se familjet rikthehen për të rikonstruktuar shtëpitë dhe për t’u çlodhur buzë detit.
Falë kontributeve nga diaspora e saj, Nivica mblodhi 20 mijë euro përmes një projekti të Bankës Botërore për të ndërtuar një rrugë të asfaltuar dhe për të sjellë ujë të rrjedhshëm në fshat.
“Zyrtarët na akuzojnë se po braktisim pronën dhe po lëmë vendin”, - thotë Vangjel Cari. Ai ka punuar për dhjetë vite në hotelet greke, përpara se të kthehej për të drejtuar kafenë e fshatit.
“Në fakt, ne po investojmë, në mënyrë që të bëjmë turizëm në mënyrën që ne duam”.