E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kam gabuarNga Pëllumb KullaReplikë kundër vetvetes Rrëfim i hapur, siç e duan dy të persekutuar te “55”, për letrën time për kryeministrin Që në krye e pranoj se kisha qëllime djallëzore, kur bëra letrën kundër kryeministrit dhe u vura të ano

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kam gabuarNga Pëllumb Kulla

Replikë kundër vetvetes

Rrëfim i hapur, siç e duan dy të persekutuar te “55”, për letrën time për kryeministrin

Që në krye e pranoj se kisha qëllime djallëzore, kur bëra letrën kundër kryeministrit dhe u vura të anoj në favor të të burgosurve dhe pronarëve. I tërë synimi ishte që të gjendesha me ta, tani që ata janë në prag të marrjes së pronave dhe milionave. Materializmi të shtyn të mëkatosh. Më shtyu. Duhet të isha idealist si ju, të rreshtohesha me Berishën, me anën më të dobët në historinë e shqiptarëve të tranzicionit. Njëri nga ju më quan patericë e Edi Ramës, tjetri nxënës i Gramoz Ruçit.

I pranoj të dyja.

Kam zbatuar porositë e Gramoz Ruçit, i cili, siç mbase e keni vënë re në artikujt e shumtë dhe librat që kam botuar këto vite, ka qenë udhëheqësi im shpirtëror. Unë, rastësisht, Ruçit nuk ia kam parë bojën asnjëherë, por, kur gënjeshtrat po asfiksojnë botën e shqiptarëve, kam drojë, se nuk ma beson njeri e më duhet të nxitoj të them se këtë e bëj, jo që ta shaj e ta mallkoj atë, por të tregoj madhështinë e z. Gramoz, që rrezaton nga larg e të dikton me fushat magnetike që vetëm ministrat e Brendshëm dinë të të magnetizojnë.

Pranoj që letrën e para ca ditëve ma diktoi ai e unë bëra budallallëkun kriminal: e shkrova.

E ju bëtë mirë që me dy lartësitë tuaja kulturore e me dy devotshmëritë tuaja ndaj idealeve kombëtare, u ulët në gazetën “55” dhe ma treguat se sa më vlen lëkura. Do të më falni që nuk e kam gazetën afër e për këtë nuk jua mbaj mend emrat. Di vetëm që mbiemrat m’u dukën të njohur e të respektuar, por kjo nuk ndryshon asgjë.

Ju sot hani bukë me emrat.

Njëri nga ju, (ky i Edi Ramës!), kish vënë re se shqiptaro-amerikanët e vjetër antikomunistë deshën të ankoheshin te presidenti Berisha, se ai duke emëruar në Nju-Jork P. Kullën u paskej dërguar atyre “komunistin më të ndyrë që qe emëruar ndonjëherë në Amerikë”.

Është e vërtetë!

Unë kam qenë më komunist se Hysni Kapoja, se Halim Budo, se Nesti Nase dhe Abdi Baleta. Minusi im ishte se nuk isha me teserë, pa me shpirt e pranoj që kam qenë. Në fakt, në vitin ‘68, kur BS pushtoi Çekosllovakinë, unë e bëra një kërkesë për në parti. Ne atëherë për shkak të rrezikut nga Moska deshëm si e si ta mbronim atdheun dhe nuk dinim se si mbrohet më mirë. Ca nga ne qethën kokën që t’u nxinte helmetën, ca shkuan me femra të përdala, ca filluan alkoolin. Një numër i madh nga ne, ku bëja pjesë dhe unë, bëmë lutje për në parti, se mendonim se gishti i komunistit rri më mirë në këmbëzën e pushkës. Po ne na i hodhën poshtë lutjet dhe nga ne në atë parti pranuan vetëm Sali Berishën. (Ju kujtimet e z. Berisha që tregon këtë histori, duhet t’i keni lexuar).

E megjithatë Saliu u bë, kurse unë mbeta komunist në shpirt dhe kisha rast ta tregoja poshtërsinë time, kur më dërguan këtu, në Nju-Jork. U mundova t’i dëmtoj interesat e kombit me të gjitha forcat, por nuk ia dola dot. Kurse ti, zotëri, që mbron figurën e patericës, duhet t’i kishe lënë këta antikomunistët, miq të babait tënd, t’i ankoheshin presidentit. Se në fakt Berishës i duhej vënë në dukje, që me gjithë madhështinë dhe punën heroike që ka bërë në favor të kombit, ka bërë edhe ca gabime. Emërimi im, për shembull, rëndon Berishën! Mua më lumtë, se unë komunist isha dhe ia doja të keqen vendit, po Berisha që i desh të mirën, pse nuk tregonte kujdes?! Se të emërosh qorrazi kryeministra, nënkryeministra, ministra, kryetarë partie, deputetë, ambasadorë, është mungesë thellësie dhe vigjilence! Të tërë ia kishim me hile atij: Meksi, Kopliku, Shehu, Malasi, Zhulali, hera herës dhe Hajdari, Selami, Shehi, Dosti, Arbnori, Kokalari, Ngjela, Mustafaj, Zogaj, Pollo, Vejsiu… Nuk di a keni vend në gazetë, se janë shumë?... Bëhemi nja 400 emërime të gabuara, në mos gabohem unë! E nuk janë pak! Dakord, në karrierën e tij ky është një gabim i vogël i zotit Berisha, në krahasim me punët e mira që ka bërë, por prapë, mirë ishte të mos emëronte aq shumë njerëz që e lanë vendin kaq prapa, në bisht të Evropës! Ama, - e kjo duhet pranuar nga ne tradhtarët, - ai nuk lëvizi qimen nga vija e tij e drejtë. Nuk e ndërroj kurrë kursin, as ndaj pronave, as ndaj drejtësisë, as ndaj Amerikës, as për ujërat territoriale me Greqinë, as për Rambujenë. Qëndroi kolonë, siç i ka hije atij dhe ju të dyve!

Ju, zotërinj fort të nderuar, më vutë në dukje të tërë gënjeshtrat që Ruçi m’i diktoi e unë i rreshtova në kurriz të idhullit dhe prijësit tuaj. Unë gënjeja që thosha se kryeministri ynë i nderuar nisi vetëm vitin e fundit burokracinë e fisme për shpërblimin e të persekutuarve me qëllimin djallëzor që t’u marrë edhe një herë, (për të njëzetën herë!) votën. Menduar mirë: në rast fitoreje, t’ua paguante krundet në fund të mandatit të dytë, për t’u vjelë edhe votën e ardhshme. Në rast humbjeje, të linte Ramën t’u dëftente bërrylin socialist të burgosurve.

Bëtë mirë, që të dy, që i emërtuat shkrimet tuaja të vyera “polemika” dhe polemizuat në të tëra. Siç u ka hije! Për shembull, bëtë mirë që ma hodhët poshtë atë gënjeshtrën e nusërimit të pikëlluar të Presidentit dhe Kryeministrit tek arkivoli i drejtorit famëkeq të TV shqiptar, Thanas Nanos! Mirë bëtë që nuk e zutë me gojë emërimin e Mehmet Elezit, se kjo mund të tingëllonte keq, paçka se kjo thellë-thellë tregon konsekuencën në rritje të Sali Berishës, që për ambasadorë e nisi me emërimet tona, të komunistëve “të ndyrë” dhe të thjeshtë pa grada, derisa u poqën kushtet për të emëruar anëtarë të pastër të Komitetit Qendror!

Por që të dy, dhe paterica, dhe ti i teorisë së Gramozit, bëtë mirë që ia çorët maskën rrenës time të poshtër, se Berisha ka pranuar që gjatë tetë vjetëve ka thënë për Fatos Nanon vetëm shpifje. Se vetëm qëndrimi juaj i patundur më ka mbajtur mua të vazhdoja me gënjeshtra të tjera, atë që vetëm kur ia nxori lakrat Bullatoviçi i Malit të Zi, prijësi ynë pranoi se e kish thyer embargon me Jugosllavinë duke i shitur naftë Serbisë. Në kushtet që i krijoi Bullatoviçi, Berisha deklaroi se kjo ishte e vërtetë, por shtoi, se ai pat qenë shprehur kundër embargos që impononte OKB për Jugosllavinë. Se ku qe shprehur kështu dhe ku e pat thënë…????? Nuk e dinte as kryeministri i tij, as ministrat e tij, as ambasadorët (me problemet e embargos në OKB merresha unë, por me mua ai kish rezerva për bindjet e mia tmerrësisht komuniste), e asnjë zyrtar tjetër. Këtë qëndrim patriotik kundër embargos e dinin vetëm presidenti ynë dhe kontrabandistët tanë patriotë.

Ja, edhe këtë gënjeshtër desha ta përsërisja në letër. Se e kam thënë njëherë. Por ju më shpëtuat e nuk e përmenda prapë. Kam frikë mos më qortojë Gramozi, por them se do ta hedh lumin me ndonjë ndëshkim të lehtë nga ai.

Kërkoj falje dhe që i kujtoja kryeministrit që shpall festat kombëtare sa herë zë vendin e fundit në arritjet evropiane. Këto janë të vërteta, edhe duket se edhe ju i pranoni, se nuk i zinit në gojë në polemikat tuaja dinjitoze.

Si përfundim, unë i pranoj tërë etiketat që më vini: dhe i pabesë, dhe komunist, dhe i shitur, dhe interesaxhi. Me një fjalë unë nuk vlej për asgjë e ju bëni mirë që më diskreditoni. Por ju harxhuat mundim kot, se unë nuk jam në asnjë listë për t’u votuar e nuk pretendoj as për deputet, as për kryeministër dhe as për ndonjë titull tjetër e as vendit e askujt nuk do t’i vijnë rreziqe nga unë. Lumturisht i kemi qelibar listat dhe kjo e garanton të ardhmen e vendit. Sado u përpoqa unë, përpjekjet ujë nuk më pinë. Ju të dyve ju këshilloj ta hidhni votën tuaj për Sali Berishën dhe listën e tij. Ai është i denjë për votat tuaja dhe ai i meriton ato.

Me mua mos harxhoni më letër e bojë, se unë nuk ju përgjigjem më në jetë të jetëve! Por mobilizohuni aty e kusur mos i lini Ramës, Ruçit, Gjinushit, Metës, Polit të Lirisë dhe Ballëve Kombëtarë dhe Legaliteteve të ndryshëm, që nuk janë me ju. Dhe sidomos Ngjelës. Votat e një populli si ju të dy, ai nuk i meriton. Kur partitë i quan lecka ku të vesh këmbët, siç i quan ai, kur kundërshton perënditë, siç bën ai, kur nuk gënjen, siç bëjnë shefat e kur do më shumë ligjet se prijësit, aty të rrijë, nuk është i denjë për votantë si ju të dy.

T’i rroni kombit, or ju dy trima të persekutuar!

Poshtë shënim: E pata të vështirë të ulem deri në nivelin tuaj e të shkruaj siç doni ju. E ja, tani po më dhëmbin kërbishtet, se ndenja gjatë ulur. E di që shumë miq do të më shajnë për këtë gjest, por sinqerisht, të mos ishit deklaruar të persekutuar, unë nuk do ta bëja këtë replikë. Nga ana tjetër, them, se nuk është shenjë e mirë, për Berishën, që asnjë nga pronarët e vjetër nuk rrëmbeu drunë kundër meje, e të më zbërthente brinjët, siç bëtë ju të dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›