E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri u merr “besën” fshatarëve me Kuran në dorëNga Antena brenda familjesNjë dërgatë fshatarësh nga Shishtaveci mbërriti dje në zyrat elektorale të opozitës në Kukës. Ankoheshin për Flamurin. U kishte shkuar shtëpi më shtëpi me një hoxhë nga pas d

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Flamuri u merr “besën” fshatarëve me Kuran në dorëNga Antena brenda familjes

Një dërgatë fshatarësh nga Shishtaveci mbërriti dje në zyrat elektorale të opozitës në Kukës. Ankoheshin për Flamurin. U kishte shkuar shtëpi më shtëpi me një hoxhë nga pas dhe u kërkonte votën duke bërë “be” me dorën mbi Kuran.

Kandidati socialist që priti fshatarët u tha të mos shqetësoheshin, se ai që ishte me Flamurin nuk ishte hoxhë, por një drejtor që kishte emëruar Flamuri, që ishte veshur si hoxhë për të gënjyer fshatarët.

- Përderisa hiqet si njeri i Zotit dhe gënjen, dhe ju s’keni pse shqetësoheni pse nuk ia dhatë “besën”, - u tha kandidati.

Fshatarët u kthyen sërish në Shishtavec, kur ndeshën rrugës sërish Flamurin me hoxhën fals.

Ndalën makinat dhe u ulën në një hije ndanë rrugës.

- Ku ke qenë or mixhë? - i tha Flamuri.

- Zdrypëm në pazar or tej, - i tha fshatari. - Kishim do punë dhe po kthehemi.

- A keni bërë “be” mbi Kuran te ky hoxha që kam unë me vete? - i tha Flamuri.

- Kena ba boll “be”, - i tha fshatari. - Po ky hoxha ç’punë bën?

- Hoxha është njeri i rëndësishëm, - tha Flamuri, - është njeri i Zotit.

- Të ketë ymër, - i tha fshatari, - por më duket se e njoh. Kam pas një punë në një zyrë në qytet dhe më duket se e kam pa në zyrë. Më duket si drejtori, - tha fshatari.

- Po dhe drejtor është o mixhë, - i tha Flamuri. - Të thashë që është i dërguar i Zotit, dhe Zot për mua është ai burri. Ai e ka bërë drejtor.

- E kuptova, - i tha fshatari. - D.m.th., ne kena ba be mos me ia kthy fjalën atij burrit.

- Ai është Zot mbi zota, - i tha Flamuri.

- A na kallxo diçka magjike që ka bërë ai burri, - i tha fshatari, - që ta besojmë se është më i madh se Zoti?

- Patjetër, - i tha Flamuri. - Ja, më mban mend mua ti kur isha i vogël?

- Qysh bre s’të mbaj mend, - i tha fshatari. - Ti je Feimi, djali i Dalifit.

- Mirë pra. A e mban mend sa të varfër kemi qenë?

- Si mor s’e mbaj mend, - i tha fshatari, - me patate ju ka rritë baba dimër e verë. Veç ato kishte i shkreti.

- Mirë pra. A e mban mend sa kam vujt, derisa kam dashtë me ik në Kosovë për punë?

- Si mor s’të mbaj mend, të kapën ata të UDB dhe të dorëzun në kufi prapë, se thanë “asht budalla, s’mban mend rrugën.”

- E pra, mua më shikon tani ku jam, në krye fare. A ka Zot që të marrë një njeri si unë dhe ta bëjë të dytin e Shqipërisë dhe të parin e Kukësit e Tropojës?

- Jo vallahi, mirë e the, s’ka Zot që e bën këtë, - tha fshatari.

- E pra, ai burri e ka bërë në daç me e ditë, - i tha Flamuri. - Dhe atij burrit i kam dhënë besën dhe s’e heq sa të jem gjallë. Dhe ti ia ke dhënë besën atij burrit, jo Zotit lart. Ia ke dhënë atij që është Zot mbi zota.

- Or ty të lumtë goja, - i tha fshatari, - po ku me e pasë ne të gjithë atë fat që duke qenë kurrkushi të bëhena gjithkushi. Ene ky hoxha, që qenka i dërguar i atij burrit, s’na e ka shpjegu kaq qartë Kuranin e atij burrit, ne kena besu që është Kuran i fesë sonë.

- Një Kuran ka në këtë vend, o mixhë, - i tha Flamuri, - Kurani i atij burrit. Ai më ka dërguar mua këtu dhe unë ju kam çu hoxhën t’u marrë “benë”. Mos më lini në baltë, se nuk bëhet shaka me Zotin.

- Or ai Zot që të ka zgjedhë ty, i ka ba vetë llogaritë e veta, - i tha fshatari. - Po ishalla ka sy në ballë e mendjen në kokë ai Zoti tjetër atje lart dhe na ndihmon të votojmë më 28 qershor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›