E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cmimi i energjisë, Prifti i përgjigjet Ramës: Vendimi do merret nga ERE

TIRANE- Ministri i Energjetikës, Dritan Prifti ka reaguar pas zhvillimit të tryezës së Partisë Socialiste për energjinë. Gjatë një konference për shtyp, ai e ka cilësuar privatizimin e OSSH-së si më të suksesshmin pasi kompania ceke CEZ që e ka blerë është me emër në botë. Sipas ministrit Prifti, brenda pak ajo ka investuar më shumë se 60 milion euro në të gjithë vendin.
“Nga qershori kompania CEZ ka marrë drejtimin e Koorporatës dhe vetëm në pak muaj humbjet janë ulur me 3%. Arkëtimet kanë një stabilizim të ndjeshëm. Mbi 60 milionë euro kanë filluar të investohen në projekte të ndryshme në gjithë Shqipërinë, në një kohë kur kompania parashikon që të paktën pas 3 vjetësh të ketë fitimin e parë” theksoi Prifti.
Përsa i përket rritjes së cmimit të energjisë të kërkuar nga OSSH, ministri Prifti deklaroi se ky vendim do të merret nga Enti Rregullator i Energjisë, si institucion i pavarur.
“Unë e informoj zotin Rama që çmimi i energjisë elektrike vendoset vetëm nga Enti Rregullator i Energjisë, që është një institucion krejtësisht i pavarur. Qeveria ka vendosur që nëse do të ketë rritje të cmimit të energjisë elektrike ka parashikuar për buxhetin e vitit 2010, 2 miliard lekë për të kompensuar shtresat në vevojë për këtë rritje.” tha Prifti.

Kreu i Energjetikës ka bërë të ditur gjithashtu se pas privatizimit të OSSH-së , qeveria nuk do të subvencionojë më asnjë operator në sektorin energjetik. Kjo do të thotë se KESH dhe OST nuk do të përfitojnë më fonde nga buxheti i shtetit.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›