E Diel, 1 Nëntor 2026

Coca-cola të mbushura me fishekë, pranga 20-vjeçarit

Policia e Mirditës arrestoi dy net më parë shtetasin Erjon Nikolli, i cili kishte me vete një arsenal armësh

MIRDITË – Policia e Mirditës vuri në pranga dy net më parë një 20-vjeçar nga fshati Spaç i komunës së Oroshit. Sipas burimeve zyrtare, Erjon Nikollit iu gjetën me vete 2 pistoleta TT, një mitraloz i lehtë, një armë automatike kallashnikov, si dhe dy shishe “coca-cola” të mbushura me fishekë. Policia, e cila e prangosi 20-vjeçarin teksa ishte nisur për në Durrës u shpreh se në momentin e arrestimit se Nikolli ishte plagosur në këmbë me armë zjarri. I marrë në pyetje nga uniformat blu, i riu ka deklaruar se ishte marrë tri herë peng dhe për herë të fundit kjo gjë i kishte ndodhur një ditë më parë në vendin e quajtur Qafë Benë, rrugës për Fushës Arrëz. Madje, sipas tij, është synuar të merret peng nga pengmarrës që kanë dashur t’i transplantojnë organet jetësore. Për këtë kanë dashur ta marrin peng dhe në Qafë-Benë, ndërkohë që nuk sqarohen rrethanat e plagosjes së tij. Policia ende nuk konfirmon ndonjë pistë të mundshme nëse i shoqëruari në polici që ishte dhe posedues i këtij armatimi, e ka bërë këtë pohim për t’iu fshehur materialit luftarak që kishte me vete, apo nëse thëniet e tij janë të vërteta. Nga ana tjetër, po hetohet nëse personi në fjalë ka pasur qëllime për ta përdorur arsenalin luftarak apo për ta tregtuar. Gjithashtu, për organin e hetimit mbetet me rëndësi dhe konkluzioni i komisionit eksperto-mjekësor për të parë gjendjen e tij mendore, sidomos pas pohimeve se rrezikohej të përdorej për t’i marrë organet jetësore për transplant.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›