E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakujdesia, djali ekzekuton babanë

VRASJA/ Vrasja e kryefamiljarit u bë nga i biri, pasi ky i fundit po pastronte armën, pa ditur se mund të kryente qitje

Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se vrasja e 55-vjeçarit Petraq Zoja nga i biri ishte aksidentale

KOLONJË- Pastronte një pistoletë të cilën e mbanin në shtëpi prej dekadash dhe ndërsa e provonte, godet të atin duke e lënë të vrarë. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Shtikë të rrethit Kolonjë, ndërsa policia vuri në pranga djalin 24-vjeçar të viktimës, i cili tashmë ndodhet pas hekurave dhe akuzohet për “vrasje nga pakujdesia”, si dhe “armëmbajtje pa leje”. Nën dhimbjen e humbjes së të atit, djali ka rrëfyer gjithçka me detaje.

Ngjarja

Mbrëmjen e së dielës në familjen e Petraq Zojës ndodheshin të gjithë familjarët. Ndërsa babai55-vjeçar ishte shtrirë duke parë televizor, djali i tij Andoni, 24 vjeç, po pastronte një pistoletë trofe, që e mbanin në shtëpi prej dhjetëra vitesh. Ndërsa merrej me pastrimin e armës, Andoni mësohet të ketë kryer një qitje të pavullnetshme, ndërsa tyta e drejtuar nga kryefamiljari ka bërë që plumbi të përfundonte tek ai dhe t’i merrte jetën. Familjarët kanë mbetur të tmerruar nga shkrepja e armës dhe përgjakja e të zotit të shtëpisë. Krisma është dëgjuar edhe nga fqinjët, në një kohë që të afërmit, mes tronditjes së momentit janë munduar t’i japin edhe ndihmën e parë Petraq Zojës. Ai është transportuar për në spitalin e qytetit të Ersekës për ndihmë mjekësore, por, sipas mjekëve, atje mbërriti i vdekur.

Hetimet

Policia e Kolonjës nisi menjëherë hetimet për ngjarjen, duke vënë në pranga djalin e viktimës, shtetasin Andon Zoja. Nga rrëfimet e bëra para grupit hetimor, mësohet se 24-vjeçari ka treguar se kishte rreth 30 minuta që merrej me pastrimin e armës, por njëherësh dhe duke bërë provë se si funksiononte. Duke qenë se arma kishte qenë fillimisht e bllokuar, djali mësohet të ketë rrëfyer se mbushja e saj me fishekë nuk do të shkaktonte probleme. Në momentin e shkrepjes në shtëpi, në të njëjtën dhomë, kanë qenë dhe anëtarët e tjerë të familjes, ndërsa pistoleta ka kryer vetëm një qitje. Nga ana e burimeve të policisë bëhet e ditur se gjithçka rrëfen për një vrasje nga pakujdesia dhe jo për një krim të qëllimshëm. Tashmë, ndaj 24-vjeçarit është ngritur akuza e “vrasjes nga pakujdesia”, dhe e “armëmbajtjes pa leje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›