E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria greke, liri për 1500 të burgosur shqiptarë

PADREJTËSITË/ Prej tetë ditësh të gjithë të dënuarit në 21 burgje të Greqisë janë futur në grevë urie

ATHINË- Autoritetet greke pranojnë të shqyrtojnë propozimin e Burgjeve për të liruar 1500 të dënuar shqiptarë. Lajmi konfirmohet për bashkëpunëtorin e agjencisë së lajmeve NOA në Athinë, nga burime zyrtare të Ministrisë greke të Drejtësisë. Pikë tjetër e rëndësishme që u pranua të shqyrtohet është hyrja në fuqi e ligjit të BE, të vuajtjes së vetëm tre të pestës së dënimit, ku pjesa tjetër të jetë me kusht, për të gjithë të dënuarit për trafik narkotikësh. Ministria e Drejtësisë deklaroi zyrtarisht se ajo është informuar për grevën e përgjithshme të urisë në të 21 burgjet e vendit, që pohoi se vazhdon prej tetë ditësh. “Prej kohësh ne jemi duke verifikuar dhe analizuar çështjet që shtrohen në 18 pikë-kërkesa të të burgosurve”, deklaroi dje kreu i ministrisë. Ai shtoi se për këtë qëllim kanë kryer një seri takimesh me disa përfaqësi të të burgosurve dhe po shohin mundësinë e dhënies përgjigje për disa prej pikave. Dje u mblodh Këshilli Qendror i Burgjeve (KESF-) për të shqyrtuar kërkesat e të burgosurve. Mbledhja u drejtua nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Konstandin Glecou, dhe menjëherë pas saj u informua ministri i Drejtësisë, i cili deklaroi dje se u njoftua zyrtarisht mbi propozimin për të liruar 1500 të burgosur ndër të cilët pjesa më e madhe janë shtetas shqiptarë, të dënuar kryesisht për trafik lëndësh narkotike dhe vjedhje të pasurisë shtetërore apo private. Shoqata e Avokatëve të Greqisë, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut të Greqisë, si dhe disa organizata të tjera joqeveritare kanë mbështetur publikisht grevën e urisë dhe pikat e parashtruara në peticion.

Greva e urisë

Katër mijë shtetasit shqiptarët që gjenden në burgjet greke janë futur në një grevë urie pa afat, në përpjekje për të kërkuar përmirësim të kushteve dhe kërkesa të tjera që lidhen me dënimet dhe trajtimin e tyre. Në grevë faktikisht janë futur të gjithë të burgosurit në qelitë e Greqisë. Bëhet fjalë për një organizimin të cilin e konfirmoi edhe qeveria në Athinë. Pjesa më e madhe e të burgosurve shqiptarë ndodhen në burgun e sigurisë së lartë Koridhalos në afërsi të kryeqytetit. Atje mësohet se janë të paktën 1500 shqiptarë të cilët janë ngujuar duke refuzuar të marrin çdo lloj ushqimi, ndërsa konsumojnë vetëm ujë. Ndërkohë në 20 burgjet e tjera në të gjithë Greqinë, gjenden edhe rreth 2500 shtetas shqiptarë të dënuar për vepra të ndryshme penale të konsumuara në këtë vend gjatë periudhës së emigrimit. Janë plot 18 kërkesa të të burgosurve që grevën e urisë e kanë parë si mjetin e fundit për të arritur një mbështetje nga ana e shtetit, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, kërkesa të cilat ia kanë vënë në dispozicion drejtuesve më tëlartë të burgjeve në Greqi. Sipas të dënuarve shqiptarë, vlera e dënimit duhet të jetë 3/5 pasi 1/5 e këtij dënimi duhet të jetë me kusht ashtu si është në të gjitha vendet e Evropës.

Dhoma e Avokatisë së Greqisë: Me shqiptarët është abuzuar

Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Greqisë doli dje me një komunikatë të posaçme lidhur me grevën e urisë së të burgosurve duke deklaruar se është plotësisht në mbështetje të kërkesave të tyre. “Vlerësojmë se kërkesat e tyre janë të drejta dhe të ligjshme”, thuhet në deklaratën e avokatëve, ku bëhet e ditur se shumica e të burgosurve janë të huaj, pa mbrojtje. “Kemi konstatuar dhe mbledhur dëshmi për persona të cilët janë akuzuar dhe dënuar për trafik lëndësh narkotike pa kurrfarë provash dhe për më tepër pa mbrojtje të të pandehurve që u takon me ligj”,- vijon deklarata duke denoncuar faktin që autoritetet i ndalojnë avokatët e të dënuarve apo të pandehurve që t’i vizitojnë ata pranë qelive të tyre.

Dëshmia e shqiptarit në burg

Arjan Pane, një i burgosur shqiptar nga Korça, i kapur disa kohë më parë duke transportuar udhëtarë nga Shqipëria drejt Greqisë, në autobusin e të cilit u gjet një sasi e konsiderueshme droge, pretendon se është i pafajshëm, por përveç kësaj ai thotë se trajtimi i tyre në burgje është çnjerëzor. Sipas Panos, përveçse nuk iu bëhet asnjë lloj trajtimi, nuk zbatohen konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Madje, shqiptarët janë dhe më shumë të diskriminuar, ashtu si dhe shtetasit kurdë në këto burgje. Në grevën e urisë, e cila sipas të burgosurve shqiptarë do të vazhdojë deri në vetëmohim nëse paraqitet nevoja, ndërkohë që disa prej tyre janë në gjendje të vështirë shëndetësore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›