E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet skafi me 300 kg drogë

Policia e Himarës në bashkëpunim me atë të Vlorës ka bërë të mundur zbulimin dhe bllokimin e një skafi me 300 kilogramë lëndë narkotike.

Në ujërat e detit në Himarë është konstatuar një mjet lundrues tip skaf i cili po lëvizte nga ujërat territoriale Greke pranë ishullit të Fanit me drejtim për në ujërat territoriale shqiptare në Dhërmi.

Burime nga policia i thanë noa se mjeti është vëzhguar për disa orë me radhë derisa rrymat e forta ujore e kanë futur në territorin shqiptar.

Në vijim nga ana e policisë kufitare mjeti lundrues është nxjerrë në breg ku është konstatuar se ishte një skaf me mbishkrime dhe matrikullime italiane.

Brenda mjetit u gjetën disa çanta të mbushura me lëndë narkotike te llojit “cannabis sativa” e cila pas peshimit rezultoi të ishte rreth 300 kilogramë.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se skafi ka ardhur nga territori Italian në territorin Grek dhe për shkak të detit të trazuar dhe rrymave të forta detare është braktisur nga trafikantët dhe ka dalë në ujërat tona territoriale.

Aktualisht nga ana e policisë vijon puna për hetimin e rastit dhe identifikimin e ndalimin e autorëve./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›