Tansfertat në valutë, si duhet ti qarkulloni paratë kur kaloni kufirin
Ervin KOÇI
Transfertat e parave në lekë ose në monedhë të huaj do të kenë që nga dhjetori i këtij viti rregulla të reja, për sa i përket mbajtjes dhe qarkullimit të tyre. Për shumat mbi 1 milion lekë ose kundërvleftën e tyre në valutë, të gjithë rezidentët dhe jorezidentët janë të detyruar të deklarojnë përpara autoriteteve doganore burimin dhe qëllimin e mbajtjes së tyre. Ky rregull përmbahet në rregulloren e re "Për veprimtarinë valutore", miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë më 30 shtator të këtij viti. Rregullorja e re, që shfuqizon atë të marsit 2003, do të hyjë në fuqi më 7 dhjetor 2009, 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Rregullorja përcakton gjithashtu, se jorezidentët që vizitojnë përkohësisht Republikën e Shqipërisë mund të nxjerrin jashtë saj valutë në "cash" dhe/ose në çeqe udhëtarësh deri në shumën e deklaruar përpara autoriteteve doganore kur kanë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo shumë duhet të justifikohet me paraqitjen e deklaratës së plotësuar në momentin e hyrjes dhe dokumentet që shoqërojnë ndryshimet, nëse ka të tilla.
Metalet me vlerë
Për sa u përket lëvizjeve fizike të arit dhe të metaleve të çmuara në pikat doganore, rezidentët dhe jorezidentët kanë të drejtë të transferojnë nga brenda-jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, arin dhe metalet e çmuara të standardizuara, vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara nga Banka e Shqipërisë. Ata mund t'i transferojnë arin dhe metalet e çmuara të pastandardizuara nga pikat doganore, vetëm pas deklarimit në lidhje me burimin (origjinën) e tij, qëllimin e transferimit, sasinë që kërkohet të transferohet, kthimin ose jo të metaleve të çmuara dhe formën e kthimit. Dokumentacioni nuk kërkohet vetëm për bizhuteritë e përdorimit personal. Lidhur me transferime të kapitalit jashtë vendit, rregullorja përcakton se ai mund të kryhet nga persona fizikë, nëpërmjet subjekte të licencuara nga BSH-ja, pas deklarimit të qëllimit të transferimit të kapitalit, deklarimit të burimit të krijimit të kapitalit që transferohet, shumës së kapitalit dhe adresës ku do të transferohet.
Pastrimi i parave
Sipas rregullores së re të BSH-së lidhur me luftën kundër pastrimit të parave apo financimit të terrorizmit, subjektet (banka, noterë, etj) njoftohen se ka një serë treguesish anomalish në sjelljen e klientëve, të cilat ata janë të detyruar t'i evidentojnë zyrtarisht e të njoftojnë menjëherë Bankën Qendrore. Pasi sjellje të tilla mund të fshehin tentativa për transaksione të dyshimta. Këtu përfshihen klientë ose përfaqësues të tyre që paraqesin dokumente identifikimi me origjinë të dyshimtë; klientë që japin si adresë të tyre një adresë të një personi të tretë; klientë që hapin disa llogari dhe kryejnë transferta të shpeshta të fondeve midis tyre; klientë që kryejnë transaksione me partnerë jo të zakonshëm; mosjustifikimi me dokumentacion përkatës i veprimeve të kryera nga jorezidentët me llogaritë e hapura pranë subjekteve, etj. Raste të tilla evidentohen kur p.sh, ka klientë që refuzojnë ose hezitojnë të japin informacionet e duhura për kryerjen e transaksioneve, të deklarojnë aktivitetet e veta, të paraqesin dokumentacionin kontabël ose të një lloji tjetër, të sinjalizojnë marrëdhëniet e mbajtura me subjektet e tjera, të japin informacione, të cilat në rrethana normale do ta bënin vetë klientin të përshtatshëm për të marrë kredinë ose shërbime të tjera bankare/financiare. Po kështu, ka raste kur klientë në vështirësi ekonomike, papritur kërkojnë të shlyejnë plotësisht ose pjesërisht detyrimet e veta me anë të derdhjeve të papritura me një vleftë të madhe, pa një justifikim të dukshëm dhe pa saktësuar origjinën e fondeve etj.
Shkurt//////////////////////
Grosistët: “Rivlerësimi i gjobave nga Tatimet, antiligjor”
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve ka ndjekur me vëmendje kontrollet dhe rikontrollet e Shërbimit Tatimor Shqiptar. Kjo shoqatë është e detyruar të sqarojë media-t, por sidomos opinionin publik, si më poshtë vijon: 1. Deri në këtë moment, ndaj shoqërive që ushtrojnë veprimtari në këtë fushë nuk është aplikuar asnjë gjobë. Është e vërtetë që, me urdhër të Drejtorit të Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, është urdhëruar rikontroll dhe kontroll masiv, për periudhën 2008-2009. Nga ky kontroll kanë dalë disa raporte kontrolli, të cilat, në gjykimin e kompanive, nuk mbështeten në ligj dhe realitetin ekonomik të subjekteve. 2. Sqarojmë opinionin publik në përgjithësi dhe konsumatorët e shoqërive tona në veçanti se, çmimet me të cilat ata blejnë çdo ditë (të cilat lehtësisht konstatohen nga kushdo), janë të ndryshme në qytete, rrugë nacionale, Tiranë e rrethe dhe mes kompanive dhe, janë të pasqyruara në dokumentet kontabile të çdo kompanie. 3. Problemi qëndron se punonjësit e tatimeve kanë nxjerrë një çmim mesatar, ku herë thonë se është çmim i investiguar dhe herë se është një çmim i INSTAT-it dhe, me këtë çmim të fiksuar, të pambështetur në realitetin e tregut, kërkojnë të rivlerësojnë të gjithë veprimtarinë e kompanive. Për sa u përket kasave fiskale, nga Ministria e Financave, janë caktuar pesë kompani. Shoqëritë e Karburanteve u kanë krijuar çdo lehtësi që ato të kenë mundësi të realizojnë këtë proces, por, sipas deklarimit të tyre, shoqëritë e fiskalizimit nuk arrijnë t’i montojnë. Në mënyrë paradoskale tatimorët gjobisin dhe mbyllin stacionet e shitjes me pakicë të karburanteve. Sa më sipër, i jemi drejtuar Kryeministrit dhe Ministrit të Financave dhe kemi kërkuar ndërhyrjen e tyre për të ndaluar rivlerësimet antiligjore të tatimorëve si dhe të përcaktojnë një kuadër ligjor të përshtatshëm për vendosjen e kasave fiskale. Në ditët që vijnë Shoqata e Shoqërive të Hidrokarburave do të bëjë publikë të gjitha hapat që do të ndërmarrim në mbrojtje të lirive ekonomike që na garanton sistemi.
24 Nentor 2009