E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: “Kujdes, ekonomia e vendit është nën pasojat e krizës botërore”



Ervin KOÇI

Pasojat e krizës ndërkombëtare ekonomike janë duke dhënë efektet e tyre në ekonominë e shqiptare e cila duket se do ta mbyllë këtë vit me bilance negative. Ky ka qenë dhe konkluzioni i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Gjatë një takimi me bizneset kryesore në vend. Ai ka bërë apel për kujdes pasi ekonomia e vendit rrezikohet ende nga kriza globale, duke argumentuar se pavarësisht rritjes ekonomike pozitive, nuk ka vend për entuziazëm por për atë që ai e quajti, “optimizëm të kujdesshëm”. “Banka Shqipërisë mbetet në pozita kujdesi sepse rreziqet financiare mbi ekonominë nuk janë tejkaluar plotësisht. Sistemi bankar ka ende mungesë likuiditeti, ndërsa ekonomia botërore mbetet përsëri e dobët”- theksoi Fullani. Guvernatori i BSH-së, i ka bërë thirrje biznesit vendas që të bëjë kujdes me politikat e tij edhe gjatë vitit 2010. Ai i kërkoi kompanive private të bazojnë investimet në analiza konkrete të tregut, pasi në këtë mënyrë do të jenë eficiente. Sipas kreut të BSH-së, “edhe 2010-a do të jetë viti me nivelin më të ulët të investimeve publike. E nëse do të kemi parasysh faktin se një pjesë të konsiderueshme do t'i marrë segmenti rrugor Rrëshen-Kalimash, atëherë, shumë biznese do të mbeten pa aktivitet”. Për BSH-në është e nevojshme që të bëhet kujdes, në mënyrë që vitin e ardhshëm të ketë një rritje të qëndrueshme ekonomike. Fullani u shpreh se mungesa e likuiditetit mbetet ende prezente tek bizneset shqiptare.

Mungesa e eksporteve

Për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, duhet të ndryshojë modeli i zhvillimit të vendit, pasi mungojnë eksportet e qëndrueshme, të cilat janë tregues i konkurrueshmërisë, ndërkohë që ka edhe probleme strukturorë. Të gjitha këto, pengojnë investimet e huaja dhe frenojnë rritjen ekonomike të vendit. “Modeli i zhvillimit të vendit ka nevojë për modifikime dhe përmirësime, të cilat duhet të synojnë rritjen e eficencës dhe qëndrueshmërisë. Ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë nga dobësitë strukturore”- tha Fullani. Këshilla, Guvernatori Fullani, ka dhënë edhe për qytetarët. Ai iu ka sugjeruar atyre që të tregojnë kujdes me konsumin dhe në rastin e marrjes së kredive, të zgjedhin monedhën vendase. Për sa u përket bizneseve, kreu i Bankës Qendrore u ka rekomanduar që të bashkëpunojnë me bankat, si dhe të studiojnë tregun, përpara se të investojnë. Ai i kërkoi kompanive private të bazojnë investimet në analiza konkrete të tregut, pasi në këtë mënyrë do të jenë eficiente. Fullani u shpreh se mungesa e likuiditetit mbetet ende prezent tek bizneset shqiptare.

Ankesat e biznesit

Një nga përfaqësuesit e biznesit shqiptar, Hajredin Frateri, akuzon qeverinë si të njëanshme, pasi ajo favorizon më shumë investitorët e huaj se sa ata vendas. Ai kërkon që qeveria të rishikojë shpenzimet publike me tendencë që të kenë mundësi të punojnë të gjitha bizneset. Sipas tij ka shumë sipërmarrës që kanë dëshirë të investojnë por nuk kanë hapësirë. Një tjetër përfaqësues biznesi, Vahid Ruli, thotë se “problem kryesorë mbetet sistemi bankarë. Bankat kanë bllokuar kreditin. Edhe ato pak kredi që jepen janë me interesa të larta gati të papërballueshme”. Sipas tij, “një vit më parë bankat jepnin kredi në mënyrë jo shumë të kontrolluar, ndërsa tani po reagojnë në anën e kundërt duke bllokuar kreditimin edhe për ato plane biznesi të mirëstudjuara”. Edhe nga vrojtimet e kryera nga Banka e Shqipërisë, biznesi vlerëson se 3-mujori i katërt i këtij viti do të ketë përmirësim, ndërsa për sa i përket pritjeve për investime në 6 muajt e parë të vitit 2010, ato janë negative.

Kriza përfshin sistemin bankar, shkurtohen nga puna 90 punonjës

Bankat e nivelit të dytë kanë shkurtuar një sasi të vogël vendesh pune gjatë 6-muajve të fundit, pjesërisht si pasojë e efekteve të krizës dhe pjesërisht si pasojë e përfundimit të fazës së ekspansionit të këtij biznesi. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, në fund të shtatorit, sistemi bankar kishte rreth 6460 të punësuar, ndërkohë që në mars, të punësuarit qenë rreth 6550. Të dhënat janë të përafërta për shkak se disa banka të vogla nuk e kanë publikuar numrin e të punësuarve. Nga të dhënat e publikuara, pesë banka raportuan ulje të numrit të të punësuarve, shtatë raportuan rritje, ndërsa për katër banka mungojnë të dhënat. Sistemi bankar shqiptar ka qenë në ekspansion të plotë gjatë dekadës së fundit dhe numri i të punësuarve është shumëfishuar. Studentët e ekonomikut gjatë viteve të shkuara qenë mësuar të rekrutoheshin nga bankat që para se të diplomoheshin, por gjatë dy-tre viteve të fundit, situata ka ndryshuar dhe për këtë profesion ka më pak mundësi punësimi. Këtë vit, fitimet e bankave u tkurrën me dhjetë herë më pak në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa ulja e volumit të punës në sektorin e kreditimit i shtyu një pjesë të bankave të mos nxitohen në punësimet e reja. Megjithatë, numri i të punësuarve në banka është ulur me më pak se 1.4 për qind. Në tërësi, volumi i biznesit të bankave ka ardhur në rënie gjatë këtij viti. Shqiptarët kanë dorëzuar apo nuk kanë rinovuar pothuajse një të tretën e kartave të debitit që patën tërhequr vitet e shkuara, ndërsa edhe transaksionet me anë të kartave kanë shënuar një rënie mbi 30 për qind gjatë nëntëmujorit të parë të këtij viti. Bankat në Shqipëri shënuan një normë kthimi nga kapitali i vet (ROI sipas akronimit në anglisht) prej 1.79 përqindësh, ndërkohë që një vit më parë, ky tregues ishte 16.33 për qind. Ky është treguesi se sa para kanë fituar pronarët e bankave në raport me investimin e vet. Dy vite më parë, sistemi bankar arrinte të fitonte deri në 20 për qind në vit, ndërsa sot fitimet janë tkurrur në minimum.

24 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›