Coli: Në zgjedhjet e 2005-s takuam një deputet, më pas na sulmoi Lul Berisha
Vazhdon rrëfimin i penduari i bandave të Durrësit, u përgjigjet pyetjeve të avokatëve
Bandat e Durrësit, të kryesuara nga Lulzim Berisha dhe Indrit Dokle, krahas aktivitetit kriminal, mbështesnin edhe forca të caktuara politike në zgjedhje të përgjithshme dhe lokale. Mbështetja e partive të ndryshme politike ka përçarë edhe bandën, duke sjellë inate personale dhe sulme ndaj njëri-tjetrit. I penduari i organizatave kriminale në Durrës, Adriatik Coli, ka vazhduar rrëfimin e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda, teksa është pyetur dje nga avokatët mbrojtës. Sipas burimeve nga gjykata, Coli ka deklaruar se në datën 3 korrik 2005, gjatë ditës së zgjedhjeve të përgjithshme, së bashku me Indrit Doklen kanë zhvilluar një takim me deputetin Gazmir Bizhga. Ai deklaron se takimi ka zgjatur disa minuta, ndërsa është pyetur nga avokatët edhe për temën e kësaj bisede. Më pas ka shtuar se pas takimit me deputetin Lulzim Berisha, së bashku me mbështetësit e tij, e kanë sulmuar, duke u shkatërruar automjetin. Nga sulmi nuk ka pasur të lënduar dhe prokuroria nuk e ka hetuar episodin.
Burime nga gjykata deklaruan se dëshmia e djeshme zgjati plot shtatë orë, ku avokatët e të pandehurve i kanë bërë pyetje pafund Adriatik Colit, i cili u është përgjigjur me detaje. Kjo nuk është hera e parë që i penduari rrëfen në gjykatë edhe episode që nuk janë në dosje. Disa javë më parë, gjatë dëshmisë, deklaroi se babai i Jaho Mulosmanit e kishte takuar në Durrës, duke i dhënë disa rroba ushtarake. Më tej ka rrëfyer edhe një episod, sipas të cilit Indrit Dokle kishte bërë disa tentativa për të ekzekutuar rivalin Lulzim Berisha, si edhe rekrutimin e disa personave me precedentë të lartë kriminalë në Shqipëri për ekzekutimin e tij. I penduari ka rrëfyer se në vitin 2005, në afërsi të lagjes “21 Dhjetori” në Tiranë, janë takuar Indrit Dokle, Dritan Dajti dhe Emiljano Shullazi. Organizator i takimit ka qenë Aleks Keka, i vrarë disa muaj më parë me një minë me telekomandë. Takimi ka zgjatur rreth dy orë, ku janë diskutuar të gjitha pazaret midis Dokles, Dajtit e Shullazit. Sipas Colit, i cili ishte informuar mbi këtë takim nga Keka, Dokle i kishte ofruar të merrnin përsipër të ekzekutonin Lulzim Berishën, në këmbim të një shume të majme. Dokle dhe Shullazi kishin kërkuar 200 mijë euro për vrasjen, ndërsa kërkuan 100 mijë euro paradhënie. Por Dokle këmbënguli se paratë do të jepeshin, pasi të kryhej ekzekutimi dhe në këtë mënyrë u prish “pazari”.
#