E Shtunë, 31 Tetor 2026

Coli dhe Dokle, prova me armë kundërtanke për të vrarë Lul Berishën

Një episod mjaft interesat është treguar në Gjykatën e Krimeve të rënda nga i penduari i organizatave kriminale të Durrësit, Adriatik Coli, duke treguar momentet e stërvitjes të anëtarëve të bandës, për të eliminuar njëri-tjetrin. Në harkun kohor maj-tetor të vitit 2005, Indrit Dokle dhe Adriatik Coli, të ndihmuar nga anëtarë të tjerë të bandës, vendosin t‘i bëjnë atentat kundërshtarit, Lulzim Berisha. Fillimisht vendosën që të përdornin armë të zakonshme, pistoleta dhe kallashnikov, por dy atentatet me këto armë dështuan. Në "lojë" është futur edhe i ndjeri Aleks Keka, i cili ishte kontaktuar nga Indrit Dokle. Sipas rrëfimit të Colit në gjykatë, Keka i kishte sjellë bandës sasi të mëdha armatimi, të marra në shtetin e Malit të Zi dhe vendeve të tjera të Ballkanit. Ai kishte lidhje edhe në shtetin e Kosovës me disa persona, të cilëve i kishte porositur, në bazë të kërkesës së Dokles, armë kundërtanke. Problemi i këtyre armëve ishte përdorimi. Në muajt e verës së vitit 2005, anëtarët e bandës vendosën që të kryenin prova me këto armatime. Vendi duhet të ishte larg qendrave të banuara dhe anëtarët arritën që të transportonin armët e mëdha në kufirin midis Tiranës dhe Durrësit, në një zonë të pabanuar. Aty arritën të montonin armët kundërtanke. Gjatë "zborit" u doli një problem. Nuk kishin një ndërtesë apo mjet, i cili do të goditej. Për të gjitha detajet mendonte Indrit Dokle, i cili urdhëroi disa anëtarë të bandës që të gjenin një mjet të blinduar. Mjeti u gjet brenda disa orëve dhe të gjithë ishin të kënaqur. Armët duhet të përdoreshin nga personat me fizik të zhvilluar dhe duhet të kishte një shënjestër. Sipas dëshmisë së Colit, mjeti i blinduar është goditur disa herë. Sipas tij, mjaftonte vetëm një gjuajte për të eliminuar kundërshtarin, pasi predha e armës ishte mjaft e fortë. E gjithë stërvitja kishte si qëllim eliminimin e Lulzim Berishës dhe më pas, duke marrë kundërtanket, ata arritën që të realizojnë disa tentativa, duke i qëlluar vilës së Berishës. Të gjitha dështuan, pasi shënjestra dhe më shumë fati e kanë shpëtuar Lul Berishën nga disa atentate.

Atentatet me kundërtanke
Adriatik Coli ka rrëfyer në gjykatë se ka porositur bashkë me Indrit Doklen disa kundërtanke. Rreth vitit 2005 Indrit Dokle dhe Adriatik Coli po bënin plane për të vrarë Lulin me kundërtank, për këtë gjë u interesua edhe Kujtim Buna, i cili i telefonoi një personi nga Kosova për të blerë dy kundërtanke. Kundërtanket i sollën në Shqipëri dy shtetas kosovarë, të moshës rreth 40 vjeç. Bisedat paraprakisht me këta persona, sipas Colit, i kishte bërë Kujtim Buna.. Tri apo katër ditë pas porosisë së Kujtimit, dy kosovarët sollën në Tiranë dy kundërtanket e fshehura në një kamion të mbushur me patate. Kamionin me patate e kanë sjellë deri në afërsi të rrugës "Komuna e Parisit".
Coli tha se nga udhëzimet e kosovarëve mësuan se këto ishin njëpërdorimshme dhe pasi bëhej shpërthimi i parë që çanin blindën, shpërthenin përsëri brenda dhe kishin një temperaturë 4000 gradë. "Në këtë kohë, Kujtimi bisedoi me kosovarin e shkurtër dhe i kërkoi t‘i gjente nja dy kosovarë, të cilët duhej të qëllonin për të vrarë Lul Berishën. Erdhën dy kosovarët. Me këta e bëmë pazarin për 80 mijë euro për të vrarë Lul Berishën. Njëri nga kosovarët ishte më i shkurtër dhe e quanin "Kinezi", ndërsa tjetrit nuk ia mbaj mend emrin", do të rrëfente Coli, sipas të cilit dy kosovarët i dërgoi në Durrës Sardian Sulejmani dhe i tregonte vendin dhe lokalin ku do t‘i gjuanin Lulit. Megjithatë, atentati do të dështonte, pasi një nga kosovarët u vetëplagos. Pas këtij dështimi, vetë anëtarët e bandës do të merrnin përsipër që të qëllonin ndaj Lulit. Sipas Colit, njëri prej anëtarëve të bandës mori përsipër të qëllonte vilën e Lul Berishës me kundërtank. Por tentativa dështoi, pasi u prish vetëm një pjesë e shtëpisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›