E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet 200 kg kanabis, policia në kërkim të korrierëve

Sekuestrohen në afërsi të Lazaratit rreth 200 kg hashash. Një operacion i policisë së Gjirokastrës, i cili ka nisur mëngjesin e së shtunës rreth orën 5:30 pranë fshatit Lazarat, në afërsi të vendit të quajtur "Furra e Gëlqeres" është finalizuar me kapjen dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme droge të llojit kanabis sativa. Sipas njoftimeve zyrtare mësohet se janë përafërsisht rreth 200 kg bimë narkotike.

Burimet e policisë lokale thanë për "Shqip" se informacioni për këtë sasi të konsiderueshme lënde narkotike ka ardhur në rrugë operative dhe më pas specialistët e sektorit të antidrogës dhe krimeve pranë Komisariatit të Policisë në Gjirokastrës kanë nisur operacionin për të ndjekur hap pas hapi në distancë veprimet e të dy palëve të trafikantëve të "shitësve" dhe "blerësve" të drogës.

Lënda narkotike ka qenë e paketuar dhe e ambalazhuar në thasë të zinj dhe më pas janë vendosur në një çantë sportive.

Terreni i pikëtakimit të të dy palëve të trafikantëve, i paracaktuar për të realizuar veprimet për këmbimin e mallit dhe parave ishte në një zonë ku përreth ndodheshin disa kratere të thella, të mbetura si pasojë e shfrytëzimit të inerteve me qarkullim të rrallë të automjeteve të vogla dhe të kalimtarëve. Sipas policisë, sapo kanë pikasur se ndiqeshin dhe ishin zbuluar, duke përfituar nga errësira e natës dy automjetet që merrnin pjesë në këtë tregti droge janë larguar duke u strehuar në brendësi të fshatit Lazarat. Sipas burimeve të uniformave blu, tre personat e përfshirë në këtë trafik janë të njohur për policinë, ata tashmë janë në ndjekje dhe po punohet me intensitet për arrestimin e tyre. Emrat dhe identitetet e autorëve të këtij trafiku nuk janë bërë të ditura nga policia për arsye hetimi. Mësohet se destinacioni i sasisë së madhe të lëndës narkotike ka qenë tregu grek. Me kapjen e autorëve do të zbulohet dhe rrjeti i plotë i trafikut të drogës dhe mundësia e përfshirjes së personave të tjerë.

Gjatë 9 muajve të fundit, policia e Gjirokastrës ka shënuar rreth 25 raste trafiku të drogës, ndërkohë që në pesë raste nuk është bërë i mundur identifikimi i trafikantëve, pasi ata janë larguar si në rastin e fundit duke lënë pas drogën dhe duke u larguar vetë për t‘i shpëtuar identifikimit dhe arrestimit.

En.Se.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›